Turqia do ndihmoj Durrësin dhe Dakon

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e Turqisë, Murat Ahmet Yörük. Ambasadori turk pasi ka falenderuar për pritjen deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira por tashmë duhet thelluar bashkëpunimi konkret midis qyteteve. Ambasadori deklaroi se rritja e bashkëpunimit ekonomik e kulturor midis qyteteve shqiptare dhe atyre turke do të jetë edhe një nxitje më tepër për biznesin turk që të investojë në Shqipëri si dhe do të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve turistike. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako i bëri ambasadorit turk një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit dhe punën në vijim. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik dhe atë të turizmit duke e njohur ambasadorin me llojet e turizmit që ofron Durrësi.

Më tej kryebashkiaku Dako ka mbështetur idenë e ambasadorit turk për hapësira të reja konkrete bashkëpunimi duke shprehur gatishmërinë për një binjakëzim midis Durrësit dhe një qyteti bregdetar turk të ngjashëm me qytetin tonë. Sipas kryebashkiakut Dako binjakëzimi me një qytet të rëndësishëm turk do të intensifikojë marrëdhëniet ekonomike, turistike e kulturore dhe do të shërbejë për një nxitje akoma më të madhe që bizneset turke të investojnë në Durrës. Në fund të takimit i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, kryebashkiaku Dako dhe ambasadori turk Murat Ahmet Yörük shkëmbyen dhuratat e rastit./ Gazeta Impakt

 
 
 
 
 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne