“Turqia duhet të jetë pjesë e paqes, jo e luftës”

Pas sulmit ajror të SHBA-së në Siri, Kemal Kılıçdaroğlu, lideri i opozitës kryesore turke, Partia Popullore Republikane tha më 7 prill se Turqia duhet të jetë “pjesë e paqes, jo e luftës.”

“Përdorimi i armëve kimike nuk është diçka që thjeshtë mund t’i përgjigjesh me bombardime, fajtorët e vërtetë duhet të gjenden dhe të dënohen”, tha Kılıçdaroğlu.

Kreu i PPR-së tha se “ekspertët dhe autoritetet e pavarura” duhet të gjejnë fajtorët e vërtetë të përdorimit të armëve kimike të martën në qytetin sirian të Idlibit.

“Gjykimi i fajtorëve të vërtetë është i rëndësishëm në mënyrë që njerëzit, grupet dhe shtetet e tjera të mos përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë Kılıçdaroğlu.

Kılıçdaroğlu ka kritikuar deklaratat e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan se Turqia do të “bëjë pjesën e saj,” duke pasuar fjalët e forta të Presidentit të SHBA-së Donald Tramp kundër regjimit sirian, me akuzat për përdorimin e armëve kimike.

“Cila është pjesa jonë? A do të veprojmë ne pas marrjes së udhëzimeve? Pesha e Turqisë në Lindjen e Mesme ka humbur ekstremisht. Ne do të kishim peshë nëse do të kishim luajtur rolin e afrimit të palëve për të siguruar paqen. Ne nuk duam që Turqia të jetë pjesë e një lufte në rajon. Turqia duhet të marrë një rol aktiv për ndërtimin e paqes,” tha ai, duke theksuar se qeveria duhet të mendojë për pasojat negative të luftës në rajon, dhe duke u bërë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje dhe dialog.

Kılıçdaroğlu komentoi edhe deklaratat e Erdoganit se Turqia mund të nisë operacione të reja ushtarake në Siri dhe Irak.

“Ata që qeverisin Turqinë flasin shumë, por nuk e marrin mundimin për të zbatuar atë që thonë. Ata thanë se ne do të hyjmë në Manbixh. A e bënë ata këtë? Jo. A u lejuan për ta bërë atë? Jo. Ata thanë se ne do të shkojmë në Raka. A shkuan? Jo. Ata duan të hyjnë në rajon nën kontrollin e një fuqie. Por problemi është se të dyja fuqitë e mëdha në rajon nuk e duan Turqinë,” tha ai.

“Turqia është bërë një burg gjysmë i hapur”

Kreu i PPR-së foli edhe për zhvillimet e brendshme përpara referendumit të 16 prillit për zhvendosjen e vendit në një sistem ekzekutiv presidencial, duke thënë se Turqia është bërë një “burg gjysmë i hapur.”

“Ne kemi qindra shembuj për të provuar se njerëzit tanë në Turqi jetojnë në një burg gjysmë të hapur. Është krijuar një koncept i fajësisë kolektive, i cili është inekzistent në ligjin universal. Ne po fillojmë të kemi një sistem ligjor, ku një prokuror është në gjendje të marrë pasaportat e gruas dhe të fëmijëve të të dyshuarit, t’i ndalojë ata nga dalja jashtë vendit dhe t’i trajtojë edhe ata si fajtorë,” tha ai.

Kılıçdaroğlu gjithashtu kritikoi vendimet kontradiktore të marra së fundmi nga gjykatat, pas vendimit të javës së kaluar për lirimin e 21 të dyshuarve për një rast në strukturën mediatike të Organizatës terroriste Fethullahiste (feto), e akuzuar për orkestrimin e përpjekjes së dështuar për grusht shteti. Menjëherë pas daljes së këtij vendimi, një gjykatë tjetër ndryshoi vendimin dhe vendosi për vazhdimin e arrestimeve.

“Kjo do të thotë se asnjë gjyqtar nuk mund të marrë një vendim për lirimin e atyre që janë nën arrest apo ndalim, pa pëlqimin e autoritetit politik. Kjo është fiks si Gjermania e Hitlerit,” tha ai, duke kritikuar vendimin për shkarkimin e përkohshëm të trupit gjykues dhe të prokurorit i cili urdhëroi lirimin.

“A po shërben drejtësia në bazë të reagimeve që vijnë nga publiku, apo sipas sundimit të ligjit? Sundimi i ligjit duhet të jetë suprem. Kjo është duke dëmtuar drejtësinë në Turqi,” tha Kılıçdaroğlu.

Udhëheqësi i PPR-së tha gjithashtu se elementët thelbësorë të ndryshimeve kushtetuese nuk janë diskutuar në mënyrë adekuate në publik. “Partia në pushtet nuk e ka shpjeguar në fushatë se pse njerëzit duhet të votojnë po. Subjekti kryesor i referendumit në mitingjet e fushatës është Kemal Kiliçdaroglu, si të isha unë ai që kërkoi referendumin,” tha ai.

Kılıçdaroğlu tha se partia e tij pritet të ketë një pjesëmarrje të lartë në referendum, duke theksuar se ekspertët u kishin thënë se një pjesëmarrje e lartë do të shërbejë në favor të krahut “Jo”.

“Ne i inkurajojmë të gjithë për të shkuar në kutinë e votimit. Megjithatë, ne jemi të shqetësuar për njerëzit e zhvendosur në juglindje,” tha ai.

Gjatë përleshjeve në vitet 2015 dhe 2016 ndërmjet Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe forcave të sigurisë në Turqinë juglindore, një numër qytetesh dhe rrethesh panë shkatërrim të madh, pasuar kjo me shpërnguljen e rreth 500,000 njerëzve. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë regjistruar në vendet ku janë vendosur dhe kështu nuk do të jenë në gjendje të votojnë në referendum.

“Ne nuk kemi informacion të saktë në lidhje me atë se sa njerëz janë zhvendosur, dhe nëse ata janë në gjendje të regjistrohen aty ku banojnë aktualisht. Ne nuk e dimë nëse ata do të jenë në gjendje të hedhin votat e tyre”, tha Kılıçdaroğlu, duke u zotuar se PPR do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e kutive të votimit. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne