Turqia ‘duhet të zhvillojë lidhjet me Rusinë’ për të kundërshtuar planin e SHBA-së për Lindjen e Mesme

Për Turqinë, është më e rëndësishme të ruhet bashkëpunimi në rajon me Rusinë sesa me Shtetet e Bashkuara, tha për Sputnik kryetari i Partisë Felicity të Turqisë (SAADET).

Në një intervistë me Sputnik, Temel Karamollaoğlu ndau mendimet e tij mbi situatën aktuale në Lindjen e Mesme dhe rolin e Ankarasë në krizën diplomatike rreth Katarit.

Sipas politikanit, aktualisht po bëhen përpjekje për të ndarë rajonin në përputhje me interesat e forcave globale, dhe kriza e Gjirit është pjesë e një plani për të rishikuar hartën e Lindjes së Mesme.

“Kjo është strategjia që forcat globale po përpiqen të luajnë. Ka një përpjekje të dukshme për të ri-hartuar hartën rajonale, dhe askush nuk e fsheh atë. Si pjesë e kësaj strategjie, aktorët rajonalë armatosen dhe detyrohen të luftojnë njëri-tjetrin. Si rezultat, ata dobësohen,” tha Karamollaoğlu.

Sipas tij, Turqia mund të luajë një rol në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme nëse Ankaraja zbaton një politikë të jashtme të pavarur.

“E vetmja mënyrë për Turqinë është që të çlirohet nga influenca imperialiste dhe të zhvillojë një politikë të pavarur në rajon, në mënyrë që të kontribuojë në ruajtjen e rendit dhe paqes. Përndryshe, Turqia do të jetë nën ndikimin e jashtëm”, ​​vuri në dukje ai.

Politikani vuri në dukje se kriza aktuale ka një histori shekullore dhe Turqia ka kohë që po përballet me këtë kërcënim.

“Gjithçka filloi nga lufta midis Iranit dhe Irakut 30 vjet më parë. Më vonë, Iraku u hodh në luftë kundër Kuvajtit. Pastaj, Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun,” tha ai.

Karamollaoğlu sugjeroi se kriza aktuale rreth Katarit mund të përdoret si një pretekst për ta tërhequr Turqinë në këtë proçes.

Më 5 qershor, një numër vendesh, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Egjiptin, shkurtuan marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe vendosën embargon në gjithë trafikun detar, ajror dhe tokësor duke akuzuar Dohën për mbështetjen e grupeve terroriste, veçanërisht të lëvizjes terroriste Vëllazëria Muslimane, si dhe për ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të tjera. Disa shtete të tjera në rajon reduktuan marrëdhëniet diplomatike me vendin.

Që nga shpërthimi i krizës, Ankaraja i ka mohuar akuzat kundër Dohës dhe ka bërë thirrje për rivendosjen e lidhjeve me Katarin, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e përshkroi masën e izolimit të vendit të vogël të Gjirit si një “gabim të rëndë” dhe tha se ishte “kundër vlerave islamike”.

“Katari ka treguar qëndrimin më vendimtar kundër organizatës terroriste Shteti Islamik së bashku me Turqinë. Viktimizimi i Katarit përmes fushatave njollosëse nuk i shërben asnjë qëllimi”, tha Erdogani për anëtarët e tij në Ankara.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu është përfshirë gjithashtu në mënyrë aktive në ndërmjetësimin e krizës.

“Kriza në Lindjen e Mesme është një kërcënim për integritetin territorial të Turqisë. Tani, është shumë më e rëndësishme të mbash një bashkëpunim të ngushtë me Rusinë, sesa me SHBA-në. Uashingtoni shkel çdo rregull apo normë politike. SHBA ka pushtuar shumë vende pa asnjë rezolutë pas 11 shtatorit. Në këtë situatë, Turqia duhet të zhvillojë lidhjet me Rusinë,” tha Karamollaoğlu.

Në një intervistë më të hershme me Sputnik, analisti politik dhe autori turk Samer Saleha sugjeroi gjithashtu se kriza e Katarit është një kërcënim për Turqinë, dhe Ankaraja mund të jetë “synimi i ardhshëm”.

“Në këtë situatë, Turqia beson se mund të jetë objektivi i ardhshëm [pas Katarit]. Udhëheqja turke dhe ekspertët besojnë se më pas do të vijë një sulm ndaj Turqisë. Ai do të vijë nga shtetet e Gjirit dhe nga SHBA-ja. Vizita e Donald Trampit në Rijad mund të jetë pjesë e një plani amerikan në rajon,” tha Saleha. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne