Ministri i turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Omer Çelik, bëri me dije të shtunën se Turqia nuk do të pranojë ndonjë “partneritet të privilegjuar” me BE-në.

“Nëse na ofrohet një partneritet i privilegjuar, ne s’do ta marrim në konsideratë atë dhe thjesht do ta refuzojmë”, deklaroi Omer Çelik për një kanal televiziv privat duke theksuar se Ankaraja ka një qëndrim të qartë në lidhje me partneritetin e privilegjuar ndërmjet Turqisë dhe BE-së, debate këto që u ngritën në rend të ditës pas takimit të 5 janarit në Paris ndërmjet Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij francez, Emmanuel Macron.

Në vend të anëtarësimit me të drejta të plota në BE, politikanët gjermanë kanë propozuar kohët e fundit “partneritet të privilegjuar” për Turqinë.

“Askush nuk mund t’i ofrojë Turqisë një status të dorës së dytë në raportet e saj me Bashkimin Evropian”, theksoi shefi i negociatave të Ankarasë me Brukselin.

Çelik kritikoi gjithashtu zyrtarin më të lartë të BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, duke thënë se “ai dëshiron të ulë marrëdhëniet Turqi-BE, edhe pse është komisar i Unionit për Zgjerimin”.

“Turqia nuk është as një kamp refugjatësh që mund të bashkëpunoni vetëm për çështjet migratore, as edhe një shtab ushtarak për të kooperuar në lidhje me luftën kundër terrorizmit. Turqinë do ta shikoni si një shtet”, nënvizoi ministri i turk për Çështjet e Bashkimit Evropian.

Ankaraja ka aplikuar për anëtarësimin në BE në vitin 1987, kurse negociatat e aderimit kanë nisur në vitin 2005. Megjithatë bisedimet kanë filluar të zvarriten në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve të administratës grekoqipriote në ishullin e ndarë të Qipros, Berlinit dhe Parisit.

32