“Turqia ka një rol kyç në sigurinë e Evropës”

Zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, tha se Turqia është një vend përcaktues gjeopolitik dhe strategjik të cilin Qeveria e Hungarisë e vëren si një partner strategjik.

Kovacs, për Anadolu Agency (AA) ka folur në lidhje me vizitën që presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, do të zhvillojë më 8-9 tetor në Hungari dhe në lidhje me marrëdhëniet e tensionuara kohët e fundit mes Hungarisë dhe Bashkimit Evropian (BE).

Ai ka informuar se presidenti Erdoğan në kuadër të vizitës së tij në Budapest do të kryejë edhe hapjen e tyrbes “Gül Baba”, një prej veprave osmane të restauruar nga Agjencia Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim (TIKA).

– “Turqia ka një rol kyç”

Qeveria e Hungarisë i vëren në rëndësinë strategjike marrëdhëniet që ka me Turqinë, ka bërë të ditur Kovacs, duke shpjeguar se ashtu siç e ka shprehur shumë herë edhe kryeministri Viktor Orban, Hungaria i përcakton qëndrimet e saj në përputhje me traditat e saj historike sipas tre pikave të cilat janë Berlini në Evropë, Moska dhe Stambolli.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Turqia është një element përcaktues nga pikëpamja gjeopolitike dhe strategjike dhe ne marrëdhëniet tona i zhvillojmë sipas kësaj. Ne, marrëdhëniet me Turqinë po i pozicionojmë si strategjike në kuadrin e respektit reciprok”, tha Kovacs.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se jo vetëm për Hungarinë, por është edhe në interes të Evropës që të ketë marrëdhënie të mira dhe normale me Turqinë e cila ka një rol kyç edhe për sigurinë e rajonit, por edhe për atë të Evropës, Kovacs, tha se “Turqia e cila ka një fuqi rajonale, luan një rol kyç nga pikëpamja e sigurisë edhe për Evropën edhe për Lindjen e Mesme”.

Ndër të tjera Kovacs ka bërë të ditur se Qeveria e Hungarisë vazhdon mbështetjen e saj për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropain, dhe se dera duhet të jetë e hapur për të gjitha vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE.

– “Kundër Hungarisë ka nisur një gjueti shtrigash”

Duke bërë një vlerësim në lidhje me votimin e Parlamentit Evropian më 12 shtator, për fillimin e procedurës për ndëshkimin e Hungarisë me arsyetimin se “është larguar nga sundimi i ligjit dhe vlerat demokratike” Kovacs tha se votimin në fjalën e konsiderojnë të diskutueshëm, se në votimin e raportit nuk është siguruar shumica e dy të tretave të nevojshme dhe se Gjykata Evropiane e Drejtësisë do të vendosë për rezultatin e votimit.

Kovacs duke e cilësuar vendimin si “një gjueti shtrigash” kundër Hungarisë, tha se kërkohet që vendi i tij të ndëshkohet për shkak se mbron kufijtë kundër migracionit dhe për shkak të politikave që ndjek kundër emigrantëve.

– “Hungaria nuk do të mbështesë integrimin e Ukrainës”

Kovacs ka bërë vlerësime edhe për krizën mes dy vendeve pas publikimit në rrjetet sociale të pamjeve me kamera të fshehtë të ceremonisë së betimit të disa personave që morën nënshtetësinë hungareze në kryekonsullatën hungareze në qytetin Berehove të Ukrainës, ku jetojnë hungarezë pranë kufirit Hungari-Ukrainë.

Në lidhje me këtë situatë, Kovacs ka bërë të ditur se ceremonia e betimin në kryekonsullatë nuk shkel ligjet e Ukrainës, dhe ka pretenduar më tej se dy-nënshtetësia në Ukrainë është e paqartë nga pikëpamja ligjore, ku madje edhe disa zyrtarë e deputetë të qeverisë ukrainase kanë dy-nënshtetësi.

Po ashtu Kovacs ka theksuar se në Ukrainë jetojnë rreth 150 mijë hungarezë, dhe se vendi i tij nuk do të mbështesë integrimin e Ukrainës në BE dhe NATO për sa kohë që nuk do të qartësohet situata e pakicës hungareze.

– Kriza Hungari-Ukrainë

Hungaria pretendon se në vend janë shkelur të drejtat e pakicës hungareze për shkak të ndryshimit të ligjit që Ukraina realizoi mbi arsimin në shtator të vitit të kaluar.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, në një deklaratë më parë në lidhje me ndryshimin e bërë nga Ukraina në ligjin për arsimin ishte shprehur se “Ukraina me ndryshimin e bërë në ligjin e arsimit ka goditur pas shpine me thikë Hungarinë”.

Sipas ndryshimit të ligjit për arsimin në Ukrainë, hungarezët në vend, nuk do të mund të studiojnë në gjuhën e tyre amtare në institucionet e arsimit të mesëm dhe në universitete.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne