Rajoni Shqiperia

Turqia mbështet shëndetësinë në Shqipëri

Qeveria turke nëpërmjet Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për shëndetësinë në Shqipëri, ndërsa projekti i fundit është ai i dhurimit të autoambulancave.

TIKA ka dhuruar për sektorin shëndetësor në Shqipëri, konkretisht për shërbimin e urgjencës pesë autoambulanca me pajisje moderne të shërbimit.

Në ceremoninë e dorëzimit të tyre ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, nënkryetari i TIKA-s, Prof. Dr. Birol Çetin, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore të Shqipërisë.

Ministrja Manastirliu gjatë fjalës në aktivitet tha se mbështetja e TIKA-s në Shqipëri ka qenë shumë dimensionale dhe në shumë sektorë.

Shëndeti është kryesori dhe ne jemi shumë falënderues kur bëhet fjalë për mbështetje direkte që Qeveria e Turqisë dhe TIKA kanë ofruar për shëndetësinë në Shqipëri. Fokusi i Qeverisë shqiptare ka qenë fuqizimi dhe modernizmi i këtij shërbimi. Janë 32 autoambulanca të reja të cilat i janë shtuar flotës së autoambulancave në të gjithë Shqipërinë. Edhe këto pesë autoambulanca të dhuruara nga TIKA do të jenë pjesë e flotës së autoambulancave në strukturën e urgjencës kombëtare të cilat do t’i shtohen këtij shërbimi në ato zona rurale të vendit ku ka nevojë për një shërbim shumë më të shpejt për sa i përket urgjencës“, theksoi ajo.

Manastirliu shtoi se “Do të doja të vlerësoja kontributin e TIKA-s, kontributin e Qeverisë së Turqisë për gjithë mbështetjen që na ka ofruar dhe do të vazhdojë jam e bindur të na ofrojë, duke shpresuar që projekte të tjera të mbështetjes në shëndetësi do të vazhdojnë”. 

“Kemi realizuar mbi 500 projekte në Shqipëri” 

Nënkryetari i TIKA-s, Prof. Dr. Birol Çetin, gjatë fjalës në aktivitet theksoi se kanë realizuar shumë projekte në fushën e shëndetësisë në Shqipëri.

Ne realizojmë gjithsej 2000 projekte në vit në më tepër se 100 shtete të botës, por Shqipëria ka një vend të veçantë sepse është një vend mik i jonë. Ne si popull turk, si shtet i Turqisë jemi gjithmonë të gatshëm për nevojat tuaja dhe do të vazhdojmë edhe më tutje. Sot fatkeqësisht në botë shumë probleme mundohen të zgjidhen me armë, ose luftëra, ndërkohë ne si Turqi mendojmë se zgjidhja është duke ndarë diçka me njëri-tjetrin dhe këtë duhet ua japim edhe brezave të rinj, kulturën e të ndarit me njerëzit e tjerë. Miqtë janë shumë të rëndësishëm për ne“, tha Çetin.

Ambasadori turk në Tiranë,  Yörük theksoi më tej se “Uroj që këto pesë autoambulanca që janë siguruar nga TIKA të shërbejnë për shërimin e pacienteve, miqve tanë shqiptarë. Këto janë një dhuratë që vijnë direkt nga populli turk“. /trt

OPINIONE