Turqia mbështetë sektorin e shëndetësisë në Shqipëri

Turqia vazhdon mbështetjen për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, duke ofruar ndihmë në trajnimin e personelit shëndetësor dhe për ofrimin e shërbimeve falas për gra.

Ambasada e Turqisë në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë dhe autoritetet shqiptare, si dhe Grupin e Spitaleve “Sante Plus”, ka sjellë në Shqipëri automjetin “Ambulanca Rozë – Skanues Kanceri”, që do të ofrojë shërbim pa pagesë për shtetaset femra për disa ditë në Tiranë, për të kryer vizitat, për kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës (mamografi dhe paptest).

Në ceremoninë e hapjes së këtij shërbimi morën pjesë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, zëvendësministri i Shëndetësisë i Republikës së Turqisë, Ahmet Baha Öğütken, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i degës për Ballkanin i Shoqatës së Pavarur të Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Turqisë (MUSIAD), Bilal Kara dhe zyrtarë të tjerë.

Ministrja Manastirliu në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi qeverinë e Turqisë për ndihmën e ofruar me nismat në mbështetje të sektorit të shëndetësisë në Shqipëri.

“Jemi në javën e shëndetit që kulmon më 7 prill, në Ditën Botërore të Shëndetit që na rikthen vëmendjen tek parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm. Ne të gjithë e dimë që parandalimi shpëton jetë. Parandalimi i sëmundjeve kronike dhe sëmundjeve tumorale shpëton jetë, prandaj sot jemi të gjithë bashkë. Falënderoj qeverinë e Turqisë për mbështetjen e dy nismave, të nismës shumë të rëndësishme të klinikës rozë dhe trajnimit të mjekëve dhe infermierëve për urgjencën mjekësore në Shqipëri. Klinika rozë do të jetë në sheshin ‘Skënderbeu’ për tre ditët e ardhshme për të ofruar shërbimin e mamografisë dhe paptestit falas për gjithë të interesuarit”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi se mirëpresin çdo kontribut nga mjekët turq për të forcuar këtë program dhe për ta zgjeruar në vazhdim.

Zv.ministri Öğütken në fillim të fjalës së tij ka përcjellë për të pranishmit përshëndetjet e popullit turk dhe Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Midis Turqisë dhe Shqipërisë ka lidhje të vjetra historike dhe kemi ardhur këtu për t’i forcuat sa më shumë këto lidhje. Ne kemi ndihmuar për trajnimin e mjekëve shqiptarë që herë pas here vijnë në Turqi dhe përfitojnë nga përvoja jonë në fushën e shëndetësisë. Pa pagesë çdo vit 100 pacientë shqiptarë mjekohen në Turqi dhe deri më sot 1500 vëllezër shqiptarë janë mjekuar dhe shëruar falë shërbimit shëndetësor në Turqi. Kjo ambulancë shëtitëse ka ardhur nga Turqia në Shqipëri dhe gjithë shërbimi do të jetë pa pagesë”, theksoi Öğütken.

Zv.ministri turk tha se për personat që do të kryejnë vizitat dhe do të rezultojnë të sëmura për një numër të caktuar do të marrin përsipër mjekimin në Turqi.

Kryetari i degës për Ballkanin i MUSIAD, Bilal Kara, tha se lufta kundër kancerit ka edhe dimensionin ekonomik, duke shtuar se problemi kryesor për pacientet me kancer është se drejtohen tek mjeku me vonesë. Ai theksoi se këto veprimtari do të ndikojnë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Automjeti “Ambulanca Rozë” është sjellë nga Turqia dhe ka profil vetëm për mamografinë dhe paptestin për gratë. Në “Ambulancën Roze” do të ofrojnë shërbim mjekët nga Turqia në bashkëpunim me mjekët shqiptarë në datat 3-5 prill 2018, në Sheshin “Skënderbeu” në Tiranë. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne