Turqia paralajmëron Perëndimin për kurdët

Kryeministri Jëlldërëm u ndal edhe në luftën kundër terrorizmit.

“Në një zonë me sipërfaqe 400 kilometra katrorë në veri të Irakut është zhvilluar një operacion spastrimi. Ushtarët tanë vazhdojnë veprimtarinë e tyre të planifikuar këtu”,- tha shefi i Qeverisë së Ankarasë.

“Për shkak të bombardimeve ajrore terroristët, pjesëtarë të organizatës separatiste terroriste PKK në zonë malore Kandil, u shtrënguan shumë dhe nisën të kalojnë në anën iraniane të kufirit dhe kur u shtrënguan edhe këtu kaluan në anën e Irakut”,- tha të mërkurën Kryeministri Binali Jëlldërëm në transmetimin direkt në një televizion privat.

Në lidhje me operacionin ndërkufitar të forcave turke në Vargmalet Kandil, shefi i Qeverisë së Ankarasë tha se mes Turqisë dhe Iranit nuk ekziston asnjë problem për këtë çështje.

Kryeministri foli edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Sondazhet publike tregojnë se më pak se 20% e qytetarëve turq i besojnë ShBA-së. Perceptimi amerikan në opinionin publik (turk) ka prekur fundin, pra është më pak se 20%. Kjo tregon se situata është shumë dëshpëruese. E parë në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe, nuk jemi ne ata që do ta rregullojmë këtë, por ShBA-ja”,- tha Jëlldërëm.

Bashkëpunimin që Turqia ka filluar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të pastruar nga terroristët zonën Menbixh në Sirinë veriperëndimore, Jëlldërëm e konsideroi si një “zhvillim të mirë”, pasi në të kundërtën,- shtoi ai,- gjendja do të ishte më e tensionuar, mund të kishte edhe përplasje.

Në vazhdim Kryeministri tha se vendet Perëndimore po bëjnë përpjekje në drejtim të nxitjes dhe përdorimit të kurdëve në hapësirën gjeografike të Lindjes së Mesme dhe i paralajmëroi këto vende që të mos bëhen pjesë e një plani keqdashës.

Fuqitë imperialiste po përpiqen të krijojnë një shtet terrorist në kufijtë jugorë të Turqisë,- nënvizoi Jëlldërëm dhe shtoi: “qëllimi i tyre këtu është ta angazhojnë Turqinë me gjëra të tjera, të eliminojnë politikat efektive të saj në rajon, të vonojnë zgjimin e popujve të shfrytëzuar, të shtypur dhe të pafajshëm të rajonit. Dhe këtë përpiqen ta bëjnë përmes gjakut dhe shpirtit të vëllezërve tanë kurdë”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne