Turqia premton vazhdimin e përkrahjes për FSK-në

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur sot në një takim njohje, ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Me këtë rast, Berisha fillimisht i uroi detyrën ambasadorit Sakar, si dhe e njoftoi atë me procesin e tranzicionit të FSK-së, dhe punën e madhe për ngritjen e kapaciteteve, të parapara me planin e tranzicionit.

“Votimi unanim i Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, nga ana e Kuvendit të Kosovës, ka qenë një ngjarje historike për Kosovën dhe FSK-në. Ky votim ka treguar edhe njëherë për besimin e madh që ka Ushtria e Kosovës, tek të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim nacionaliteti dhe etnie“, ka thënë ministri Berisha.

Ai ka thënë se janë të përkushtuar në realizimin e misionit si forcë multietnike dhe profesionale, që do të jetë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

Berisha gjithashtu e ka falënderuar ambasadorin Sakar, për ndihmën e dhënë në vazhdimësi dhe në të gjitha etapat nga ana e Turqisë për Kosovën.

“Përkrahja e shtetit Turk për Kosovën në përgjithësi dhe në veçanti për FSK-në, është shumë e rëndësishme, dhe unë ju falënderoj për përkrahjen e deritanishme duke besuar se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe më tej, nga ana e Turqisë”- ka thënë Berisha.

Ndërsa, ambasadori i Turqisë, Çagri Sakar, pasi ka uruar ministrin e Mbrojtjes për miratimin e ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së, ia përcjelli edhe një letër urimi, për miratimin e ligjeve për MM dhe FSK-në, nga ministri i Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.

“Turqia do të vazhdojë me përkrahjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si me përkrahje financiare për ushtrinë, ashtu edhe me programet për shkollimin dhe trajnimin e oficerëve dhe ushtarëve të FSK-së, në akademitë ushtarake turke”, tha Sakar.

Ai gjithashtu ka njoftuar se ministri i Mbrojtjes së Turqisë, së shpejti do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovw, transmeton Klan Kosova.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne