Turqia reagon ndaj kërkesës saudite për t’i dhënë fund pranisë ushtarake turke në Katar

Turqia nuk ka ndërmend të mbyllë bazën e saj ushtarake në Katar, deklaroi Ankaraja zyrtare.

Reagimi erdhi ndërkohë që Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni, i kanë paraqitur një listë me 13 kërkesa Katarit për t’i dhënë fund bllokadës, më e rënda në 30 vitet e fundit. Një nga pikat kryesore është mbyllja e bazës ushtarake turke në Katar. “Mbyllni bazën ushtarake turke të krijuar kohët e fundit, si dhe ndaloni bashkëpunimet ushtarake me Turqinë brenda kufijve të Katarit”, shkruhet në kërkesën e paraqitur nga këto shtete arabe. Arabia Saudite dhe 5 vende të tjera arabe të Gjirit Persik kanë ndërprerë lidhjet diplomatike me Katarin si dhe shkëmbimet tregtare, duke e izoluar plotësisht vendin e vogël dhe të pasur me gaz natyror. “Nëse ka një kërkesë të tillë, kjo do të thotë ndërhyrje në marrëdhëniet dypalëshe”, tha ministri turk i mbrojtjes Fikri Isik. Të enjten, pesë makina të blinduara dhe 25 trupa turke arritën në Katar nga Turqia si pjesë e bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve. Ekzistojnë tashmë 88 ushtarë turq të vendosur në Katar dhe ky numër pritet të arrijë përfundimisht 1,000, sipas gazetës turke Hurriyet. Marrëveshja për të krijuar një bazë turke në Katar u nënshkrua në vitin 2014. “Rivlerësimi i marrëveshjes bazë me Katarin nuk është në agjendën tonë“ tha ministri turk i Mbrojtjes. Ai shtoi se vendet arabe që kundërshtojnë Katarin nuk dërguan një kërkesë të drejtpërdrejtë për të mbyllur bazën turke./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne