Turqia synon të rrisë gjithnjë e më tepër bashkëpunimin me Shqipërinë

Ambasadori i  Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ka zhvilluar një sërë vizitash në qytetet jugore të Shqipërisë: Përmet, Tepelenë dhe Gjirokastër.

Vizitën e parë ambasadori Yörük e zhvilloi në Përmet, ku pati një takim me Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Niko Zhupuli.

Kryetari i Bashkisë së Përmetit shprehu mirëseardhjen ndaj tij në këtë qytet duke thënë se qyteti që ai drejton ka shumë figura që kanë kontribuar për historinë e dy vendeve.

Ai uroi ambasadorin për ceremoninë e inaugurimit (betimit) të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Kryetari u shpreh gjithashtu se ky qytet ka marrëdhënie të mira me institucionet turke dhe sidomos me Unionin e Bashkive të Turqisë. “Kemi kërkuar disa trajnime të punëtorëve tanë në bashkinë e Stambollit”, tha ai.

Ndërsa ambasadori Yörük falënderoi kryebashkiakun për pritjen. Duke vënë në dukje se populli turk dhe ai shqiptar janë vëllezër, ai theksoi se edhe pse këta dy popuj nuk janë fqinjë, ata i quajnë shqiptarët si fqinj të zemrës.

Jam i angazhuar që të vizitoj të gjitha qytetet e Shqipërisë”, theksoi Yörük dhe shtoi se objektivi i këtyre vizitave është njohja nga afër e bukurive të këtij vendi, por jo vetëm, edhe takimet me zyrtarët vendorë duke biseduar për hartimin e projekteve konkrete për përparimin më tej në marrëdhëniet tregtare, ekonomike dhe kulturore.

Ambasadori i Turqisë ka zhvilluar një vizitë edhe në bashkinë e Tepelenës. Në këtë kuadër ai ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi.

Në këtët takim ai ka njohur nga afër ambasadorin me situatën e zonës që ai drejton si dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në disa fusha si turizmi, agrokultura, bujqësia, etj.

Ndërsa ambasadori Yörük në fjalën e tij në këtë takim ka njohur kryetarin me arsyen e vizitës duke thënë se ai dëshiron që të rrisin bashkëpunimin mes dy vendeve.

Tepelena është një qytet që ka një histori dhe të kaluar të përbashkët, si dhe ky vend i përket trashëgimisë kulturore të historisë sonë të përbashkët. TIKA është e interesuar nga afër për restaurimin e këtyre objekteve, sikurse po ndodh me disa projekte në qytetin e Gjirokastrës”, tha ambasadori dhe më pas vuri në pah se me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, investitorët turq do të kenë më shumë në vëmendje zonën në fusha të ndryshme dhe veçanërisht në atë të turizmit.

Ambasadori Yörük ndalesën e radhës e bëri në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ku fillimisht është pritur nga Prefekti Astrit Aliaj.

Prefekti Aliaj i ka uruar ambasadorit mirëseardhjen dhe më pas, duke vënë në dukje se e njeh mirë Turqinë, ka shtuar se është i lumtur që pret sot ambasadorin e këtij vendi në qytetin e tij.

Ai ka shprehur dëshirën e vëllazërimit të Prefekturës së Gjirokastrës me një prefekturë turke dhe shtoi se këtë gjë e kërkon për të mirën dhe interesat e dy vendeve.

Prefekti Alija ka bërë thirrje për ardhjen dhe thithjen e kompanive turke në Qarkun Gjirokastër duke thënë se qytetarët e Gjirokastrës janë njerëz punëtorë.

Ambasadori Yörük ka zhvilluar një takimedhe me Kryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami.

Yörük në kuadër të vizitave ka vizituar edhe universitetin e vetëm të këtij qarku, “Eqerem Qabej”. Në takimin e rastit, ai është takuar me rektorin e këtij universiteti, Bektash Mema dhe disa drejtues të tjerë që e shoqëronin.

Rektori shprehu gatishmërinë dhe dëshirën për rritjen dhe intesifikimin e marrrëdhënieve me universitetet turke përmes programeve të ndryshme si Mevlana, Erasmus, etj.

Ambasadori Yörük gjatë takimit në këtë universitet zbuloi edhe një fakt interesant. “Unë kam lindur në të njëjtin qytet ku ka lindur edhe Eqerem Çabej. Pas shumë vitesh unë vij në një universitet që mban emrin e një personi që ka lindur në qytetin tim të Eskişehir-it…”, deklaroi ai.

Vlen të përmendet se ambasadori i Turqisë në Tiranë, Yörük, që prej fillimit të detyrës së tij në Shqipëri, ka nisur një sërë vizitash në qytete të ndryshme të saj. Ai shprehet se këto vizita dhe takime janë të rëndësishme pasi në sajë të tyre mund të rritet bashkëpunimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve tregtare, ekonomike, kulturore, etj./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne