Turqia: Transferimi në Jerusalem i Ambasadës së SHBA-së, njoftim “jashtëzakonisht shqetësues”

Turqia e cilësoi të shtunën si “jashtëzakonisht shqetësues” njoftimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se do të transferojnë në Jerusalem Ambasadën e tyre në Tel-Aviv.

“Deklarata e administratës amerikane për të transferuar në maj Ambasadën e tyre nga Tel-Avivi në Jerusalem zbulon se SHBA-ja këmbëngul të minojë bazat e paqes duke mos respektuar të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Jerusalemin dhe parametrat e vendosura të OKB-së” thuhet në një komunikatë me shkrim të Ministrisë turke të Punëve të Jashtme.

Për fat të keq – vijon komunikata – SHBA-ja demonstron me këtë vendim se nuk dëgjon dhe, akoma më keq, nuk do t’ia dijë për zërin e ndërgjegjes së komunitetit ndërkombëtar, siç pasqyrohet në Komunikatën Përfundimtare të Samitit të Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam në Stamboll dhe më pas në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Në përgjigje të këtij vendimi shumë shqetësues të SHBA-së, Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj, së bashku me shumicën dërrmuese të bashkësisë ndërkombëtare, për të mbrojtur të drejtat legjitime të popullit palestinez”, theksohet në fund të komunikatës së MPJ turke./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne