Turqia vendos kundërmasa për SHBA-në mbi tarifat doganore të çelikut dhe aluminit

Turqia do të marrë masa kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me vendimin e tyre për vendosjen e tarifave doganore shtesë mbi importin e çelikut dhe aluminit.

“Ankaraja do të aplikojë kundërmasat në Uashington me 266,5 milionë dollarë në tarifat doganore për importin e qymyrit, letrës, arra/bajameve, duhanit, orizit të papërpunuar, uiskit, automobilave, kozmetikës, makinerive e pajisjeve, si dhe produkteve petrokimike”, bënë të ditur burime të Ministrisë turke të Ekonomisë nën mbrojtjen e anonimatit.

Burimet shtuan se vlera e këtyre importeve arrin në rreth 1,8 miliardë dollarë.

Në muajin mars, Presidenti amerikan, Donald Trump, imponoi një tarifë doganore prej 25 për qind për hekurin dhe çelikun e importuar, si dhe një tarifë prej 10 për qind mbi aluminin.

Të njëjta burime theksuan se kundërmasat e Turqisë erdhën pasi përpjekjet e saj për të fituar një përjashtim nga tarifat doganore shtesë të SHBA-së mbetën pa rezultat “për shkak të qëndrimit aktual të Uashingtonit”.

Kundërmasat e Turqisë janë në përputhje me humbjet e shkaktuara nga pengesat ndaj eksporteve të hekurit dhe çelikut të Turqisë në SHBA.

Më herët, ministri i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, i quajti këto tarifa “të papranueshme” për Turqinë.

Pas vendimit të SHBA-së, Zeybekci i kërkoi sekretarit amerikan të Tregtisë, Wilbur Ross, që të përjashtojë Turqinë nga tarifat.

Në fund të prillit, zëvendëskryeministri turk, Mehmet Simsek, u takua me sekretarin amerikan të Financave, Steven Mnuchin, në Uashington, ku diskutuan mbi çështjen.

Më datë 30 prill, Donald Trump njoftoi se SHBA-ja do të vononin aplikimin e tarifave shtesë për importet e aluminit dhe çelikut nga Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe Meksika.

Shtëpia e Bardhë deklaroi po ashtu se kishte arritur një marrëveshje me Korenë e Jugut lidhur me importet e çelikut.

“Marrëveshje të tjera u arritën edhe me Argjentinën, Australinë e Brazilin”, tha Shtëpia e Bardhë, me detaje që vijnë pasi marrëveshjet të përfundojnë.

Aktualisht importohen rreth 90 për qind e aluminit të përdorur në prodhimin amerikan, si dhe një e treta e të gjithë çelikut. Pas shpalljes së tarifave, grupet e industrisë thanë se konsumatorët do të përballen me barrën e tarifave për shkak të rritjes së çmimeve për mijëra artikuj të prodhuar ose të paketuar me metale./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne