U dëbua nga Salvini se nuk besonte ne kryq/ 33-vjeçari: më keqtrajtuan dhe më shkatërruan jetën

Një shqiptar është dëbuar nga Italia, për shkak se dyshohet se ka lidhje me grupet ekstremiste pro ISIS. Bëhet fjalë për Shaban Caca, 33 vjeç, i cili prej 14 vitesh banonte në Padova.

Sipas mediave italiane, Shaban Caca mbante lidhje me imamë radikalë të arrestuar në Kosovë dhe së fundmi kishte publikuar në rrjetin social “Facebook” krahas ideologjive me natyrë xhihadiste islamike e anti-perëndimore dhe komentet mbi sulmet e ndodhura së fundmi në Francë, edhe mesazhe kundër festave të fundvitit.

33-vjeçari shqiptar është marrë nga shtëpia, është transferuar në staconin e policisë dhe më pas është dëbuar e shoqëruar në Tiranë, me një flurim nga aeroporti ‘Malpensa’ në Milano. Lajmi është bërë i ditur nga vet Ministria e Brendshme Italiane, e cila ka vendosur që Shaban Caca të mos lejohet të hyjë brenda territorit italian për dhjetë vitet e ardhshme.

Lidhur me këtë rast ka komentuar edhe vet ministri i Brendshëm, Matteo Salvini. “Nuk ka hapësirë për ata që duan të sjellin luftë në shtëpinë tonë”, ka thënë ai.

Sa i takon Shaban Cacës, i kontaktuar nga media italiane “Il Mattino”, është shprehur se ndonëse është mysliman dhe frekuentonte xhamitë, kurrë nuk ka pasur probleme me drejtësinë. “Asnjëherë nuk kam promovuar asgjë anti-perëndimore. Më keqtrajtuan dhe shkatërruan jetën time. Dua të shkoj përsëri në Padova”, ka thënë ai përmes një telefonate nga shtëpia e tij në Kavajë.

Momentalisht, avokati i tij nga Padova, Fabio Targa është duke u përgatitur për apelim të vendimit. Sakaq, policia italiane ka sinjalizuar si person të rrezikshëm edhe një tjetër emigrant shqiptar me statusin e azilkërkuesit.

Po sipas mediave italiane, bëhet e ditur se ai është dorëzuar nën mbikëqyrje speciale në një kamp refugjatësh e vendimi ndaj tij do të merret nga Komisioni për të drejtën e Mbrojtjes Ndërkombëtare. Në rast se ky Komision vërteton se shqiptari nuk e ka të drejtën e mbajtjes së statusit së azilkërkuesit, edhe ndaj tij do të lëshohet urdhri i dëbimit nga terrori italian./ shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne