U përplasën më herët për fëmijët e Bulqizës/ Gazetarja e “Le Iene”-Ramës: Duhet t’i përgjigjeni akuzave që ju bëhen

Allice Marinelli, gazetare e “Le IENE” në Itali është e njohur dhe në Shqipëri pasi ka realizuar artikut të ndryshëm në lidhje me problematikat në vendin tonë.

Në një intervistë për “Tempora” Marinelli tha se kryeministri Edi Rama duhet t’i përgjigjet akuzave që i bëhen dhe të mos i instrumentalizojë ato politikisht..

Marinelli:

“Sigurisht që me Shqipërinë kemi një lidhje të rëndësishme, nuk është vetëm një vend i afërt gjeografikisht me Italinë, por edhe afër zemrës. Ka shumë shqiptarë prej vitesh në Itali, ka edhe shumë italianë në Shqipëri. Është një lidhje që e njohim tashmë dhe interesi për Shqipërinë është gjithnjë i ndezur.

Në këtë moment historik, interesi është edhe më i madh. Nga Italia na ka bërë shumë përshtypje se si protestat që sot janë të përgjithshme kundër korrupsionit, nisën faktikisht si spontane nga ana e studentëve, që luftonin për të drejtat në arsim dhe kushtet e jetesës në ambientet studentore.

Ato sollën zëvendësimin e një ministri. Ndoshta Edi Rama ka të drejtë, që protesta u mbështet edhe nga një pjesë politike, por kjo është e pashmangshme, në të gjitha vendet, në të gjitha betejat, tek ato për të drejtat në arsim, për të drejtat e grave etj.

Por kjo për ne ka pak rëndësi, pra instrumentalizimi politik i mundshëm i një proteste. Për ne rëndësi ka që studentët dalin në rrugë, zbresin në sheshe dhe që kryeministri nuk u përgjigj. Sipas nesh, të paktën siç e shohim nga jashtë, kryeministri Edi Rama duhet t’i përgjigjet akuzave që i bëhen dhe jo vetëm t’i drejtojë gishtin instrumentalizmimit politik që është i pashmangshëm në kaq beteja aktuale.

Në një vend si Shqipëria, që perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkan sipas organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, Transparency International është shumë e rëndësishme që qeveria të përgjigjet. Duhet të përgjigjet për varfërinë në rritje të njerëzve që ne e prekëm vetë me ardhjen në Shqipëri. Do të qe një sinjal i rëndësishëm nga ana e qeverisë”.

Kujtojmë që Marinelli ka patur një “përplasje” me Ramën rreth një vit më parë pas kronikës që kishte realizuar në Bulqizë të Shqipërisë, lidhur me fëmijët që rropaten për kafshatën e gojës maleve me krom mbuluar, në vend që të qëndrojnë mbi libra si shumë moshatarë të tyre.

Rama e quajti “kazan” median dhe pamje të vjetra të reportazhit, pa parë kronikën, dhe më pas pranoi publikisht se ka gabuar për rastin e fëmijëve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne