Udhëheqësja e Mianmarit indiferente ndaj reagimeve ndërkombëtare

Udhëheqësja e Mianmarit, fituese e “Çmimit Nobel”, Aung San Suu Kyi, pavarësisht të gjithë reagimeve dhe thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar, vazhdon heshtjen e saj ndaj persekutimit të muslimanëve të Arakanit.

Mos reagimi i Suu Kyi, për dëbimin e mijëra muslimanëve të Arakanit nga tokat e tyre dhe vrasjen e mijëra të tjerëve, e cila në vitin 1991 kishte fituar Çmimin Nobel për “demokraci, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër dhunës”, po shkakton kritika të shumta në komunitetin ndërkombëtar.

Edhe deklaratat e saj për gjendjen në Arakan ku thotë se “Ka akuza të ndërsjella. Duhet t’i dëgjojmë të gjitha. Para se të veprojmë duhet të jemi të sigurtë që akuzat bazohen në themele të sigurta. Jemi një shtet i ri dhe i brishtë, i cili përballet me probleme të shumta”, shkaktuan reagime të shumta.

Përveç politikanëve, edhe organizata dhe personalitete të shumta si muzikantë, shkrimtarë, fitues të Çmimit Nobel dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut po bëjnë thirrje që Suu Kyi t’i japë fund heshtjes dhe të veprojë sa me shpejt. Në këtë proces u tërhoqën ose filluan fushatat për tërheqjen e disa çmimeve të dhëna në të kaluarën për Suu Kyi.

Reagim nga muzikantët irlandezë

Reagimi i fundit ndaj indiferencës së Suu Kyi erdhi nga këngëtari irlandez, Bob Geldolf, i cili njoftoi se do të kthejë medaljen “Urdhri i lirisë së Dublinit”, me arsye se nuk dëshiron që ta ndajë medaljen e njëjtë me Suu Kyi.

Geldof, në një deklaratë me shkrim lidhur me Suu Kyi ishte shprehur se “Lidhja e saj me qytetin tonë na turpëron të gjithëve. Ne nuk duhet të kemi asnjë lidhje me të. Ne e nderuam atë, ajo na turpëron neve.”

Edhe grupi muzikor irlandez U2 në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale ditën e shtunë njoftoi se kanë organizuar fushatë me vite të tëra që Suu Kyi të shpëtojë nga burgimi, por që “nuk do të mund të parashikonin kurrë” se ajo do të mbetej e heshtur për ikjen e më shumë se 600 mijë personave nga persekutimi në Mianmar.

Tërhiqen nderimet e dhëna për Suu Kyi

Këshilli i Komunës së Oxfordit mori vendim për tërheqjen e “Medaljes për Liri të Oxfordit” të dhënë për Suu Kyi. Në seancën e mbajtur në kuvendin komunal unanimisht u mor vendimi për tërheqjen e medaljes së dhënë në vitin 1997 për Suu Kyi, për shkak të heshtjes së saj ndaj krimit njerëzor ndaj muslimanëve në Arakan. Edhe një javë para vendimit në fjalë, portreti i Suu Kyi’it i cili ekspozohej në Universitetin Oxford, ku ajo kishte studiuar gjatë viteve 1964-1967, u largua dhe u vendos në depo.

Një kanadez i quajtur Fareed Khan, i cili jeton në qytetin Gatineau të provincës Quebec në Kanada, nëpërmjet një faqeje në internet filloi fushatë për mbledhjen e nënshkrimeve për tërheqjen e shtetësisë së nderit të Kanadasë, e cila iu ishte dhënë nga Kanadaja në vitin 2007.

Duke rikujtuar persekutimi ndaj muslimanëve të Arakanit në Mianmar, në tekstin e fushatës shkruhet se “Të gjithë këto u realizuan nën kryesimin e pasuksesshëm të fitueses së çmimit Nobel për Paqe Aung San Suu Kyi, e cila refuzon të dënojë barbarizmin e ushtruar gjatë viteve të fundit nga ushtria dhe qytetarët e saj.”

Në anën tjetër edhe pse po realizohen thirrje dhe fushata të ndryshme për tërheqjen e Çmimit Nobel të dhënë për udhëheqësen e Mianmarit, Komiteti i Nobelit deklaroi se “Sipas Rregullores së Fondacionit Nobel, nuk është i mundur anulimi i Çmimit Nobel për Paqe, që i është dhënë Suu Kyi. Komiteti vendos për personat për të cilët do të ndajë çmime duke i vlerësuar punët e bëra deri në atë kohë. Nuk mund të komentojë për aktivitetet e mëpasme të atyre që më parë kanë fituar çmim.”

Fituesit e Çmimit Nobel reagojnë për mosreagimin e Aung San Suu Kyi

Fituesit e Çmimit Nobel për Paqe Malala Yusufzay dhe Desmond Tutu në thirrjet e tyre ftuan Suu Kyi që të reagojë ndaj ngjarjeve që po përjetohen në Arakan. Tutu në një letër të shkruar drejtuar Suu Kyi, është shprehur se me vite të tëra ajo ishte një simbol i “ndershmërisë” për të. “Fotografitë të cilat tregojnë dhimbjet e përjetuara nga muslimanët e Arakanit na mbytën në pikëllim dhe në trishtim. Nëse heshtja është çmimi i paguar për arritjen në gradën më të lartë në politikën e Mianmarit, ky padyshim se është një çmim ekstrem”, ka shkruar ai.

Në një letër të hapur të publikuar nga organizata “Gratë me Çmimin Nobel”, e cila u nënshkrua nga gratë të cilat më parë kishin fituar Çmimin Nobel për Paqe si Mairead Corrigan, Jody Williams, Shirin Ebadi, Leymah Gbowee dhe Tevekkul Karman thuhet: “Sa muslimanë nevojitet të vdesin, sa gra muslimane do të përdhunohen, sa njerëz do të shkatërrohen deri sa ti të reagosh për mbrojtjen e muslimanëve të Arakanit, zëri i të cilëve nuk dëgjohet? Heshtja jote nuk përputhet me qasjen e ‘demokracisë’ për të cilën flet me vite të tëra dhe ne të kemi mbështetur. Ne si gratë të cilat jemi zotuar për paqe, si motrat e tua dhe miq fituese të Çmimit Nobel, të bëjmë thirrje që të marrësh një qëndrim serioz kundër kësaj krize e cila po përhapet çdo ditë e më shumë. T’i njohësh muslimanët e Arakanit si shtetas me të gjithë të drejtat dhe që zyrtarët e Mianmarit të marrin të gjitha masat e duhura për eliminimin e sa më të shpejtë të të gjitha mundësive për persekutim ndaj civilëve të pafajshëm.”

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon. Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve.

Ndërkohë dhjetra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh. Parashikohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 350 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne