Udhëpërshkrimi nga Haxhi IV

Nga Faik Miftari

(Pjesa e katërt)

28 gusht-ditë e hëne

Sa po afrohej dita e Arefatit aq më shumë  rritej fluksi i haxhinjëve që po vinin nga të katër anët e botës për të kryer ibadetin( ritualin) e Haxhit. Edhe pse rruga kryesore e Mekës që shkonte në drejtim të Qabesë ishte mjaft e gjerë me dy korsi, tani e tutje po bëhet shumë e ngarkuar nga veturat e shumta  që shkonin  drejt Haremit. Rrugën që nga hoteli ynë taksi veturat e kalonin për 5 minuta, tani ju nevojitej  15-30 minuta, varësisht prej kohës dhe fluksit të veturave. Për dallim nga dita e djeshme, edhe sot u nisa drejt Qabesë në këmbë nga hoteli drejt Haremit, por tani nga rruga kryesore që shpinte drejt Qabesë, e cila ishte pak më e gjatë se tjetra për nja 500 metra. Temperatura ishte 41 shkallë Celsijus, dhe për dallim nga ditët e mëparshme sot tavafin e kreva në katin e parë, në fllad, pas së cilës vijoi edhe falja e namazit të drekës. Pas kësaj u ktheva në hotel  duke ecur këmbë, ashtu që edhe sot i kalova 10 km  rrugë në këmbë.

Meka është me të vërtet një qytet pothuajse e tëra në gurë dhe shkëmbinj. Krijuesi Fuqiplotë e ka bërë këtë qytet të veçantë, të shenjtë, për të vizituar Qabenë, faltoren e parë në sipërfaqe të tokës, për të madhëruar Allahun. Me të vërtet gjatë kohës sa kam shëtitur Mekën, në ato pjesë të qytetit që kam pas rast të vizitojë, Meka duket e tëra një kantier ndërtimi, dhe atë duke u ndërtuar kryesisht hotele, pasi që për çdo vit po shtohet nevoja për akomodimin e haxhinjëve gjatë kryerjes së ibadetit(ritualit) të Haxhit,  dhe se për dallim nga viti i kaluar, sivjet ishin prezent  400.000 haxhinjë më shumë që kanë ardhur nga të katër anët e botës. Për një javë në Meke sivjet janë akomoduar 2.5 milion haxhinjë. Meka po ka nevojë për  më shumë hotele, ashtu që shihej kudo se si ndërtesat e vjetra po rrënoheshin dhe në vend të tyre ndërtoheshin hotelet e reja, si dhe  vendet me gurë dhe shkëmbinj gryheshin dhe  edhe aty ngriteshin objekte të reja hoteliere. Natyrisht gjatë kohës së Haxhit këto punime ishin ndërprerë, dhe se  pas kryerjes së haxhit me siguri do të vazhdojnë . Edhe punimet në zgjerimin e haremit (kompleksit) të Qabesë  ishin të ndërprera për momentin. Në Mekë përveç sektorit të ndërtimtarisë, kryesisht ishte i zhvilluar edhe sektori i hotelerisë, transportit si dhe sektori i tregtisë. Këto ishin kryesisht katër sektor të ekonomisë që e mbajnë të gjallë Mekën dhe banorët e saj, duke mos marr parasysh naftën që eksploatohet dhe eksportohet në nivelin shtetëror, e cila sivjet për nga prodhimtaria dhe eksporti  ishte në vendin e dytë në botë, pas Rusisë. Sa i përket haremit(kompleksit) të Qabesë, ishte bërë një urbanicid i paparë që nuk i përket fare me ruajtjen e kompleksit si një trashëgimi e pasur kulturore fetare e karakterit primar për botën myslimane. I tërë haremi pothuajse ishte rrethuar me  hotele të reja, të larta, të cilët tani jo vetëm që kanë kaluar lartësinë e minareve, por e kanë shndërruar Qabenë në miniaturë në krahasim me kate të larta të ndërtuara të hoteleve për rreth. E kulminacioni i këtij urbanicidi ishte ndërtimi i sahat kullës, “Big Benit” të Mekës me objektet tjera tregtare dhe hoteliere përreth, që në asnjë mënyrë nuk përputhej me karakterin e trashëgimisë kulturore fetare të Qabesë si objekt parësor për myslimanët e mbarë botës. Ky kompleks me sahat kullën e ka ngulfat në tërësi kompleksin e Qabesë, ashtu që tani Qabeja është në gjendje të shihej vetëm në një distancë të vogël, ndërsa sahat kulla, apo”Big Beni” i Mekës shihej nga të gjitha anët e Mekës. Tani në vend se Qabeja të ishte orientir i Mekës, orientir i saj u bë sahat kulla,”Big Beni” i Mekës. Në vend se në një distancë prej 500-1000 metra përreth Mekës, të mos ketë asnjë objekt, por të jetë hapësirë e lirë, deri ku do të vinin nga të gjitha anët e Mekës haxhinjë me vetura, autobus, metro, tren apo llojet tjera transporti, dhe në këtë distancë prej 500-1000 metra do të zbritnin, dhe pastaj do të ecin në këmbë dhe të hynin në kompleksin e Qabesë, për fat të keq është ngulfatur me hotele dhe objekte përreth saj.

29 gusht-ditë e marte

Si pasojë e dy ditëve të kaluara nga aktiviteti i shtuar fizik, gjatë të cilëve eca në këmbë mbi 20 km, në tabanet e këmbëve m’u paraqitën fluskat(fjollat) e enjtura, të cilët më sjellnin dhimbje dhe vështirësi në të ecurit. Nuk pata qare pa shkuar te mjeku në ambulancën e hotelit, në të cilin për fat të mirë kujdestar qëlloi dr. Hyseni, një shok  që prej vitesh njihemi, që është me prejardhje nga Suhareka, por tani u punon dhe jeton në Prishtinë, dhe për momentin  është duke e kryer edhe specializimin për anesteziologji, i cili sivjet ishte në grupin e mjekëve të angazhuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, që përveç haxhit që do të kryejnë, do të kujdesen edhe për shëndetin e haxhinjëve gjatë qëndrimit të tyre në Meke dhe Medine. Dr. Hyseni më kontrolloi dhe më pastroi fluskat me sprej dhe pastaj i ka lyer me një mast(krem), të cilin terapi edhe të nesërmen e vazhdova, e cila më ndihmoi shumë, pasi që dhimbjet m’u zvogëluan, por isha i detyruar që të pushoj  dy ditë ashtu që të jem i përgatitur  për ditët në vijim të Haxhit.

Para se të shkoj në haxh të gjitha preferimet dhe sugjerimet e atyre që vinin për të më bërë për hajër shkuarjen në haxh dhe të cilët e kishin kryer haxhin më parë, i mora parasysh dhe u përgatita si është më së miri për ditët që do të qëndrojë në Meke dhe Medine. Por askush nuk më sugjeroi që të marr me vete  patikat sportive, e që në rastin  konkret do të ishin shumë të mirëseardhura, pasi që gjatë atyre ditëve që nuk kishim transport dhe gjatë ditëve së kryerjes së haxhit, kemi  kaluar në këmbë një distancë mjaft të gjatë. Po të kisha pas me vete patikat, as që do të më paraqiteshin fluskat në tabanet e këmbëve, ashtu që kjo të jetë këshillë apo sugjerim për të gjithë ata besimtar mysliman që herë do kurdo ja mësyjnë për të kryer haxhin, të marrin me vete edhe një palë patika sportive të cilët do t’ju lehtësojnë shumë  gjatë aktivitetit(lëvizjes) së shtuar fizike.

                                                             30 gusht-ditë e mërkure

Gjatë ditës së sotshme pushova dhe i bëra përgatitjet e duhura për mbrëmje, pasi që të enjten është dita e Arafatit, dita e fillimit të kryerjes së ibadetit(ritualit) të haxhit, dhe  e cila përfundon me ditën e fundit të Kurban Bajramit. Me të vërtetë na presin 5 ditë të kryerjes së haxhit, të cilit  nuk do të jenë të lehta, pasi që duhet të kryhen disa rituale të haxhit dhe përballja me një fluks prej 2,5 milion haxhinjë të cilët të gjithë së bashku do të qëndrojnë në Meke gjatë këtyre 5 ditëve të haxhit. Gjatë kësaj kohe është edhe lëvizja jonë në një largësi prej 10 km, gjatë të cilëve do të nisemi nga Arefati, për të vazhduar në Myzdelife, pastaj në Mine dhe për të përfunduar në Harem(kompleks) të Qabesë. Pasi që veç po hyjmë në ditët e kryerjes së ritualeve të Haxhit, i pari prej tyre është qëndrimi në rrafshnaltën e Arefatit, për të cilin do të bëjë një përshkrim më të gjerë më poshtë.

Qëndrimi në rrafshnaltën e Arefatit është njëri prej dy shtyllave kryesore të Haxhit(krahas Tavafit Ifade), është obligim kryesor i haxhit  pa të cilin haxhi nuk konsiderohet i vlefshëm. E tërë  rrafshnalta e Arefatit konsiderohet si vend qëndrimi andaj çdo haxhi i cili qëndron në këtë hapësirë, në kohën e caktuar, ka përmbushur njërin nga dy obligimet bazike të haxhit. Qëndrimi brenda kufijve të Arefatit, apo hapësirës së Arefatit, tani është lehtësuar, pasi janë të shënuar apo të vijëzuar hapësira për qëndrim një ditor në rrafshnaltën e Arefatit. Koha e qëndrimit në Arefat është në ditën e nëntë të muajit mysliman Dhulhixhe(1 shtator)  dhe atë pasi që dielli kalon zenitin dhe gjer në mbrëmje pas akshamit, pasi që të perëndojë dielli. Çdo haxhi që qëndron gjatë kësaj periudhe në Arefat haxhi i tij bëhet i vlefshëm. Haxhiu që gjendet në rrafshnaltën e Arefatit e ka vaxhib (obligim) të qëndrojë aty nga dreka e deri në aksham, do të thotë gjer në perëndimin e diellit, pasi që edhe vet pejgamberi ynë i dashur Muhamedi a.s ka qëndruar në rrafshnaltën e Arefatit gjer në perëndim të diellit. Haxhiu që eventualisht largohet para akshamit(perëndimit të diellit), edhe pse haxhi i tij është i vlefshëm  është i obliguar të there një kurban për mosplotësimin e plotë të një kushti të përcaktuar. Për të gjithë haxhinjët të sëmurë apo që nuk mund të përballojnë tërë ditën e caktuar në Arefat, mjaftojnë të qëndrojnë vetëm një periudhë të caktuar kohore, me ç’rast konsiderohet se haxhi i tyre është i vlefshëm pasi është zbatuar  farzi (urdhri i prerë) i qëndrimit në Arefat. Haxhiu i cili eventualisht fare nuk ka qëndruar në Arefat, qoftë edhe një moment të shkurtër,haxhi i tij është i pavlefshëm dhe llogaritet se nuk e ka kryer haxhin. Gjatë qëndrimit në Arefat preferohet që myftiu apo imami(prijësi) i haxinjëve të mbajë hytben(ligjeratën fetare) për rëndësinë e haxhit, poashtu aty duhet të bëhet bashkimi dhe shkurtimi i namazeve të drekës dhe iqindisë të cilët falen bashkë, me një ezan dhe  dy ikamete të namazit. Në ditën e qëndrimit në Arefat haxhiu assesi nuk bën të jetë i agjërueshëm, gjatë tërë kohës së qëndrimit në Arefat haxhiu duhet  të jetë me abdest, të cilin duhet ripërtërirë brenda ditës së qëndrimit për shkak të nevojave fiziologjike. Gjatë tërë kohës së qëndrimit të haxhiut në Arefat, duhet të bëjë dua(lutje), të bëjë dhikër (Tahmid, Tesbih dhe Tekbir), madhërim të Allahut fuqiplotë, të  kërkojë mëshirë dhe falje nga Krijuesi fuqiplotë, të lexojë sa më shumë Kur’an, të këndojë telbije, tekbire dhe të bjerë salavate për pejgamberin ton të dashur Muhamedin a.s.,të bëjë lutjet e ndryshme, dhe të lutet çfarë të dëshiron, si në gjuhën arabe ashtu edhe në gjuhën që e fletë, ndërsa lutja më e preferuar e haxhiut në ditën e Arefatit është: ”La ilahe ilallah, vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu ve huva ala kuli shejin kadir” që në gjuhën tone të bukur shqipe do të thotë:”Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut. Ai është Një dhe i pashoq. Vetëm Atij i takon sundimi dhe vetëm Atij i takon falënderimi, dhe mbi çdo gjë Ai është i plotfuqishëm”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne