Uji në mullirin e dreqit

Ku qëndron zgjidhja? Nëse pasojat janë ekonomike, shkaqet ishin politike. Atëherë edhe zgjidhja është te sjellja jonë politike. Qytetarët shqiptarë, si asnjëherë më parë, artikuluan verdiktin me vetëdijesim. Nëse subjektet politike, para së gjithash shqiptare, do jenë të sinqerta dhe të vendosura, unanimisht të miratojnë përcaktim strategjik (rezolutë) se kurrë më nuk do koalicionojnë me cilindo subjekt i cili nxit urrejtje, krijon albanofobi, motivon ndarje etnike dhe për interesa ditore politike luan me çështje ndëretnike!

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Më se dy vite prej se jemi në krizë të thellë politike, fokusi dhe vëmendja vepruese e bartësve të politikave qëndron te politika ditore, edhe pse gjithnjë e më shumë retorika graviton te ekonomia. Kjo e fundit, vetëm për arsye të nevojave të mëdha dhe brengës reale të qytetarëve. Kjo krizë tanimë është strukturale dhe krejtësisht endogjene. E tillë është për arsye të shkaktarëve të saj – janë struktura të brendshme politike, edhe atë bartëse, të pushtetit mbi një dekadë.

Nëse i shtjellojmë pasojat ekonomike përmes treguesit më sintetik dhe më agregat të ekonomisë nacionale (në kuptimin e shtetit), atë të PBB-së, situata rezulton shumë e zbehtë. Statistikat ekonomike për 2016-tën, edhe sipas Entit Shtetëror të Statistikës, që është me shumë pak kredibilitet, raportuan rritjen ekonomike në shkallë 2,4%, ndërkohë që ishte e projektuar 3,5%! Optimistët irracionalë do thoshin po s’qenka edhe gjithaq keq! Për ata që nuk e kanë idenë e shifrave makroekonomike, në rastin e Maqedonisë, kjo është rreth 110 milionë euro më pak! Për të qenë edhe më të qartë, kësaj duhet t’i shtohet edhe së paku tri herë aq (mbi 360 milionë euro) të shpenzuara (si borxh i ri publik), më shumë seç kemi krijuar, rezulton një “hendek” prej rreth gjysmë miliardi euro vetëm për një vit! Krejt kjo, statistikisht, realisht dhe faktikisht, vetëm mund të supozohet si gjithnjë më e lartë se kaq.

Që të mbetemi maksimalisht të ekuilibruar në vlerësime, më së miri do t’i referohemi Raportit final të Komisionit Evropian (nr. 362, shtator 2016), i cili në përgjithësi e nënvizoi vlerësimin se viti 2016, në aspektin ekonomik, nuk shënoi kurrfarë progresi, kjo krahasuar me vitin paraprak. Në shumë fusha bile kishte edhe regres të konsiderueshëm dhe kjo paraqet brengë të veçantë edhe për vet Komisionin e BE-së. Vërejtjet parimore të Komisionit ishin mosfunksionimi i ekonomisë së tregut (me të gjitha atributet e tij), përmes konkurrencës tejet të ulët të sektorit privat, norma e lartë e ekonomisë informale, qasja e vështirë te financat, diversifikimi shumë i vogël i ekonomisë, mosgjenerimi të vlerës së shtuar të industrisë (përfshi edhe procesin e deindustrializimit), niveli shumë i ulët i inovacioneve, menaxhimi i keq me financat publike, rritja e borxhit publik, infrastruktura publike dhe ekonomike që po e humb hapin me regjionin, por edhe programet joadekuate arsimore që nuk gjenerojnë profile të nevojshme për tregun e punës. Krejt këto vetëm në të ashtuquajturin “kapitull i ekonomisë”, pa ia shtuar kapitullin politik dhe juridik të Raportit. Kur krejt kësaj t’i shtohen edhe atributet dhe sferat e Raportit të Pribesë, kualifikimi i krizës strukturale dhe endogjene në Maqedoni betonohet.

Për ta rritur edhe pak kredibilitetin e vlerësimeve, kësaj ia shtojmë edhe referimin te Raporti i rregullt i Bankës Botërore (nr. 9/2016), ku Maqedonia, së bashku me Malin e Zi, qëndronte në projeksionet dhe pritjet e rritjeve më të larta në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që e realizoi normën më të ulët së bashku me Serbinë! Këtë vit me realizime printe Kosova, fatkeqësisht jo si rezultat i mirëfunksionimit të ekonomisë sa si rezultat i bazës së ulët ekonomike, me të cilën matet secila ekonomi nacionale. Banka Botërore nënvizonte se investimet private ishin rritur më shumë në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa reformat më të mira në konsolidimin e shpenzimeve publike (ana e shpenzimeve të Buxhetit) ishin bërë nga Serbia dhe Shqipëria.

Pra, dukshëm, qëndron konstatimi jonë standard për “falsifikimin e ekonomisë” nga politika ditore, duke i gënjyer qytetarët për rezultate pozitive në nivel agregat. Një ekonomi, me bazë si këto te regjionit tonë, me theks të veçantë në rastin e Maqedonisë, që rritet mesatarisht me 2,2% (për 10 vitet e fundit), nënkupton gjendje të “vetërritjes spontane”. Pra, ekonomia në vetvete posedon të a.q. “multiplikatorë dhe stabilizator automatik” që të gjenerojë një rritje të ulët si kjo, posaçërisht kur baza është shumë e ulët.

Ekonomistë me emër dhe të përmasave të mëdha, si ai i Branko Horvatit, janë ndër të rrallët që janë munduar “ta përllogaritin” çmimin ekonomik të konflikteve, krizave dhe ngecjeve. Menjëherë pas Marrëveshjes së Dayton-it ai bëri një hulumtim me titull “Çmimi ekonomik i luftës” (Ekonomska cijena rata, publikuar në vitin 2001), duke aluduar në luftën serbo-kroato-boshnjake! Në një konferencë të përbashkët shkencore në Sarajevë, në vjeshtën e vonshme të vitit 2000, kur e pyetëm me çfarë metodologjie mund të matet “çmimi i një lufte” përgjigja e tij ishte, si gjithmonë, filozofike: “kostot direkte askush nuk i di, por ato oportune jam munduar t’i përllogaris në kuptimin e evidencës për ta mësuar leksionin e luftërave irracionale”. Asokohe po zhvillohej lufta (e UÇPMB-së) në Luginë dhe pak muaj më vonë filloi ajo e jona (UÇK-së) në Maqedoni. Për joekonomistët, “kosto oportune” është kostoja e alternativës së humbur, në këtë rast e një marrëveshje paqësore!

Në tezën bazë të pasojave ekonomike nga kriza politike, me theks të veçantë në rastin e Maqedonisë, do të fokusohem në pikat më nevralgjike të këtij ndikimi. Jo për konstatim, por për veprim, nëse dikush akoma brengoset për këtë!

Së pari, që nga mbarimi i zgjedhjeve të dhjetorit e këndej, jemi futur në rrugë pa dalje institucionale, por me dalje nga institucionet në rrugë! Të gjitha përplasjet me interes ditor politik për të shpëtuar nga aferat e krijuara, po barten në plan ndëretnik, bile edhe me karakter regjional! Çdo njeri racional dhe i ekuilibruar, përveç atyre të paguar ose me interes të caktuar ditor, e di se kjo s’ka fare të bëjë me “ndërhyrje të një shteti tjetër” në punët e brendshme të Maqedonisë. Kjo situatë sa vjen dhe eskalon, ndërsa biznesi po dështon. Konsumatorët dhe investitorët e konsumit individualë po abstenojnë gjithnjë e më shumë. Aktiviteti i biznesit ka rënë dukshëm në të gjitha degët dhe sektorët, diku edhe më shumë se kaq. Krejt kjo, përveç pasojave mikroekonomike, ka edhe pasoja makroekonomike (më pak tatime, më pak qarkullim me shtetin dhe më pak efekte zinxhirore nga këto xhiro rrethore).

Së dyti, investitorët e huaj, por edhe ata vendorë, po i rishikojnë destinacionet e tyre ose dinamikat e investimeve. Në shkallë neto, duke përllogaritur amortizimin agregat dinamik, jemi në pozitë dezinvestive (më pak se riprodhim të thjeshtë), që moti s’kemi qenë, ndoshta që nga 2001-shi. Përderisa s’kemi paralajmërime serioze për investime të reja, kemi paralajmërime për dalje (exit) nga tregu, bile i disa IHD-ve, që e kanë shfrytëzuar periudhën e “parajsës subvencionale” të Gruevskit!

Së treti, kjo që po paralajmëroj, jo se është teori e provuar ekonomike, por më shumë është intuitë dhe eksperiencë personale. “Elitat” e reja politike preferojnë servilët e vetë ekonomik. Një fenomen shtesë, që e kam paralajmëruar muaj më parë, nëse ndodhë ndryshimi i pushtetit, do të ndodhë me “tërheqjen” dhe abstenimin e “bizneseve konjunkturale” që kanë punuar intensivisht me partitë në pushtet. Bile disa do shpërngulen me gjithë kapitalet përderisa nuk u konfiskohen. Sigurisht, të shpërngulurit e këtillë mund të shkojnë në Lindje, sepse në Perëndim dihet çka i pret. Si gjithmonë, edhe këtu pritet të ketë “kameleon biznes”, ku ngjyrat ndryshojnë brenda nate, por ama jo pa kosto! Shikojeni listën e dhjetëra bizneseve më të fuqishme me të cilët punoi Gruevski & Co dhe do ta njihni se ku ishte dikur Sh.A. “Granit”, “Beton” ose “Sileks” me Sitelin? Bizneset “foshnjore” akoma të pasforcuara dhe të paadaptuara në “oportunitetet e reja” duhet të krijojnë potencial derisa të mëkëmben për të ndikuar në rritjen e ekonomike të vendit. Pra, rezulton një ekuacion me shumë të panjohura dhe, për fillim, ndoshta në të dy krahët e tij, negativ. Kjo është kosto e transferit të pushtetit të etabluar gjatë (gati 11 vite), kuptohet nëse ndodhë?! Në këtë, fakt dilema e vetme mbetet madhësia dhe intensiteti i këtij fenomeni. Kjo mbetet për t’u matur.

Së katërti, pengesat institucionale për t’i realizuar edhe ato pak furnizime publike kapitale, do të shpenzojnë resurset për shpenzime vijuese dhe në shkallë shumë të ulët të investimeve publike. Kur kësaj t’i shtohet edhe pamundësia për t’i kompensuar subvencionet e bujqve në pranverën vijuese, si do të mund të rifillojnë ciklin e investimeve bujqësore? Vetëm realistët ekonomistë mund ta kuptojnë çfarë do të thotë për një ekonomi bujqësore këputja e hallkës zinxhirore mu në ciklin fillestar (stinor) të biznesit bujqësor. Zakonisht hallka këputet aty ku është më e hollë dhe kjo do këpusë shumë prodhues që e gjejnë mbijetesën te bujqësia. Dega më e vështirë, më sfiduese, më e pasigurt dhe më pak profitabile është bujqësia. Përveç një dimri dhe acari të madh, ata edhe pranverën do ta kenë të ftohtë! Jo ata që dalin me teknikën bujqësore para ndërtesës (barok), sepse të jeni të sigurt kanë qenë mirë të paguar për atë paradë, por shumë më shumë se të paradonin nëpër djerrinat që i kanë lënë të zbrazëta.

Së pesti, ndoshta më e rëndësishme, janë pasojat indirekte, jomateriale dhe, mbi të gjitha, kostot jo vetëm oportune (sipas modelit të prof. Horvatit). Ekonomia është shkencë shoqërore, ku çdo gjë fillon nga pritshmëria, optimizmi, ndërmarrësia, iniciativa, sjellja konsumatore…. etj. Në këto rrethana vazhdon “ikja e trurit” dhe e gjithë të rinjve dhe të rejave që dinë dhe mund të punojnë diku tjetër – kudo qoftë në Perëndim. Këta nuk janë prej atyre (hajdutëve) që shkojnë në Lindje! Kjo është kostoja e madhe sociale, që të gjithë ne po e përjetojmë. Pra, jo vetëm kosto sociale, meqë përmenden diku kompensime për pasaporta bullgare me vlera milionëshe, te ndërmjetësuesit. Kjo, jo vetëm ata që “ikin” për mungesë të bazës materiale. Ka gjithnjë e më shumë prej atyre që shkojnë për jetë më dinjitoze, arsimim më të mirë, shëndetësi më cilësore, kënaqësi jete, dhe shumëçka tjetër, përveç bazës materiale. Po të kishim hapësirë trajtimi edhe më të gjerë, lista e pasojave ekonomike nga kriza politike do ishte shumë më e gjatë.

Po ku qëndron zgjidhja? Nëse pasojat janë ekonomike, shkaqet ishin politike. Atëherë edhe zgjidhja është te sjellja jonë politike. Qytetarët shqiptarë, si asnjëherë më parë, artikuluan verdiktin me vetëdijesim. Nëse subjektet politike, para së gjithash shqiptare, do jenë të sinqerta dhe të vendosura, unanimisht të miratojnë përcaktim strategjik (rezolutë) se kurrë më nuk do koalicionojnë me cilindo subjekt i cili nxit urrejtje, krijon albanofobi, motivon ndarje etnike dhe për interesa ditore politike luan me çështje ndëretnike!

Subjekteve politike do u kushtojë shtrenjtë që bëjnë veprime të pamatura politike. Votuesit shqiptarë sot kryesisht janë të arsimuar dhe të vetëdijesuar. Një sondazh para disa ditësh rezultoi që asnjë votues i vetëm shqiptar nuk preferonte DPMNE-në, pavarësisht se ata për LSDM-në bëjnë po të njëjtat gabime me këto përcaktime. Shqiptarët nuk duhet dhe as që kanë nevojë të krijojnë alibi për të tjerët, duke u futur (me vetëdije edhe më keq) në agjendat e tyre politike. Ne duhet t’i dëshmojmë bashkësisë ndërkombëtare se mbetemi besnik ndaj stabilitetit regjional. Posaçërisht në këtë kohë kur Brukselit dhe Uashingtonit i kërcënohen gjeostrategji tjera, ne duhet t’ua kthejmë “investimet” që i kanë bërë ata në dekadën e fundit për ne. A ka mbetur akoma ndonjë shqiptar që nuk e kupton se pse dhe si mbeti vetëm Moska ta përkrahë Gruevskin dhe bandën e tij? Nëse nuk u ndihmojmë miqve tanë ndërkombëtarë, së paku të mos u pengojmë. Në lidhje me këtë duhet kujdes si sillet Shkupi (shqiptar), por Tirana dhe Prishtina gjithashtu. Të mos e çojmë ujin në mullirin e “dreqit”, se mund të na kushtojë shumë./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne