Unë i mbështes veprimet e viktimave tek Astiri

Nga Alice Elizabeth Taylor

Këtë artikull po e shkruaj jo vetëm sepse dua të shpreh mbështetjen time peër protestuesit e Astirit, por sepse dua që komuniteti ndërkombëtar të zgjohet e të shohë realitetin e krimeve të kryera nga Edi Rama, Erion Veliaj dhe nga banda e tyre e hajdutëve të hareshëm. Dua që komuniteti ndërkombëtar ta shpërfillë propagandën e stisur me aq merak në gjuhën angleze, me të cilën ambasadat dhe agjencitë ushqehen rregullisht. Dua që ata ta kuptojnë plotësisht tmerrin e asaj që po i ndodh këtij komuniteti në Tiranë.

Siç mund të keni dëgjuar, qeveria ka vendosur të prishë shtëpitë e mëse 300 familjeve për t’i hapur rrugë zgjerimit të njërës prej arterieve kryesore të trafikut në qytet. Zona që preket nga prishjet njihet si “Astir”, banorëve të së cilës iu është thënë të largohen – disave, madje, edhe se nuk kanë për të marrë kurrfarë kompensimi. Qeveria pretendon se këto prona janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ndaj edhe duhet të shemben, por e vërteta është se pavarësisht se kanë ndërtuar përgjatë një kaosi civil dhe politik, pa leje etj., banorët i kanë bërë përpjekjet për t’i legalizuar ndërtimet – përpjekje këto që janë penguar nga një grusht pushtetarësh që i ndryshojnë ligjet sipas interesave.

Qeveria këtyre njerëzve iu ka thënë të dalin nga shtëpitë, në shkelje të ligjit, duke dhunuar kushtetutën, duke nxjerrë jashtë loje legjislacionin ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut, duke i futur rruspën gjithë procedurave të parashikuara në legjislacionin kombëtar, njësoj siç do të bëjë edhe me njerëzit që banojnë në këtë zonë. Një komunitet i formuar prej mëse 25 vjetësh dhe që përfshin shtëpi taksapaguesish, biznese që paguajnë të gjitha taksat, miliona euro investime infrastrukturore personale, si dhe mbi 1000 taksapagues, do të shkatërrohet pa iu lënë banorëve rrugë për ankimim, kompensim apo mbështetje për të prekurit.

Sigurisht që banorët nuk kishin se si ta merrnin me nge këtë punë. Ata ia filluan paqësisht, por duke u acaruar gjithnjë e më tepër teksa kërkesat e tyre u injoruan në vazhdimësi. Të lodhur nga etiketimet “shpellarë” dhe “barbarë”, acarimi i tyre vloi në presion deri këtë javë, kur protestat u bënë të dhunshme. Pas përplasjesh të vazhdueshme me policinë, disa protestues dhe policë u lënduan dhe përfunduan në spital, një rezultat normal ky dhe krejtësisht i kuptueshëm në rrethanat kur njerëzit bllokohen dhe shtyhen me forcë drejt një rruge qorre.

Ama kam ca gjëra në lidhje me lajmet që qarkullojnë në media, që nuk i gëlltis dot. A mund të më shpjegojë gjë qeveria se pse, duke e ditur që protesta mund të ishte e dhunshme, vendosi police gra në rreshtat e parë përballë protestuesve? A mund të më shpjegojë gjë qeveria se pse një police, me ç’duket, nuk pati tjetër dëmtim në pjesët e tjera të dorës nga shashka, përveç këputjes së pjesëve të gishtave? A mund të më shpjegojë gjë qeveria se përse policët mendojnë se protestuesit e cilësdo gjini mund të rrihen dhe mbi ta mund të përdoret forcë e tepruar, por pastaj hapin sytë të habitur kur protestuesit reagojnë?

Kjo qeveri po përdor qëllimisht si kurbanë policet gra të pambrojtura, të papajisura, të papërvoja dhe të paorganizuara, me shpresën se do të lëndohen, dhe kështu qeveria do të mund t’i përdorë këto lëndime për propagandë. Madje, ajo po nxit qëllimisht dhunën përmes fjalëve, veprimeve, si dhe përmes medias. Sigurisht që këto janë veç qershia mbi tortën me ligje të thyera. Qeveritarët po mbajnë shpresat se duke i shfaqur këto viktima si barbarë të dhunshëm që nuk duan t’ia dinë për ligjet, qytetarët mbarë do ta harrojnë se barbarët e dhunshëm që nuk duan t’ia dinë për ligjet janë, në fakt, pikërisht qeveritarët. Dhe është pikërisht ky nivel kaq i tmerrshëm hipokrizie i këtyre politikanëve në kulla të fildishta – që i fryjnë akuzave për sjellje joligjore dhe dhunë, ndërkohë që vetë e shkelin ligjin dhe dhunojnë ditën për diell – që ma luan tepelekun e kokës.

Më kujtohet një kohë protestash civile para disa vitesh në Britaninë e Madhe. Në qytetin tim, Bristol, banorët dolën në rrugë për të protestuar paqësisht kundër xhentrifikimit – kundër thellimit të hendekut midis të pasurve dhe të varfërve, kundër trajtimit të paligjshëm dhe të padrejtë ndaj “zaptuesve”, si dhe kundër hapjes së një zinxhiri supermerkatash në një ndër rrugën e fundit tradicionale në vend. Me mijëra qytetarë dolën në rrugë dhe pas orësh të tëra proteste paqësore, policia normale u zëvendësua me forcat speciale dhe me policët me kuaj, të cilët nisën të sulmonin dhe dhunonin protestuesit. Njerëzit u ngucën në një zonë të vogël të qytetit. Unë pashë se si policët rrahën gratë me shkopa gome, pa u provokuar, por me synimin për ta diskredituar kauzën e protestuesve, se gjoja “ata e nisën dhunën”. Rezultati i këtyre veprimeve ishte një javë e gjatë trazirash, të përkeqësuara nga revolta, plaçkitje dhe dhunë, që erdhën nga provokimet dhe nga alarmet false të aktorëve që kishin si qëllim acarimin e situatës.

Historia ka plot ngjarje të ngjashme – situata ku qeveritë e kanë pranuar ose kanë dalë zbuluar se qëllimisht kanë nxitur dhunën ose kanë krijuar situata të paqëndrueshme, me qëllimin për të çuar përpara kauzat e tyre, ose për të diskredituar kundërshtarët. Kjo është një taktikë që përdoret rëndom në lojërat e pista politike, apo në situatat kur të drejtat e njeriut shkelen gjer në pikën ku dëshpërimi ia zë sytë njerëzve – pak a shumë siç po iu ndodh edhe viktimave tek Astiri.

Unë e quaj veten pacifiste dhe nuk e justifikoj dhunën, por në më ardhtë kush në derën e shtëpisë, në m’u drejtoftë me turlilloj nofkash, në refuzoftë të më dëgjojë, dhe në më thëntë se do ma shkatërrojë shtëpinë, ta siguroj se nuk do më mbante më pacifizmi. Në më sulmoftë njeri fizikisht apo gojarisht, po ashtu do kisha për t’ia kthyer. Pikën e ndjesës nuk do të ndieja. Ndaj jo vetëm më qan zemra për njerëzit e prekur tek Astiri, por mbështes plotësisht dhe pa mëdyshje çdo veprim që kanë bërë, po bëjnë dhe do të bëjnë për të mbrojtur veten, familjet dhe mënyrën e tyre të jetesës./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne