UNICEF, 1.4 milion fëmijë somalezë përballen me vdekjen nga uria

Rreth 1.4 milion fëmijë somalezë vuajnë nga kequshqyerja e rëndë, me 275,000 prej tyre që janë nën kërcënimin akut të urisë, tha të martën UNICEF. OKB po bën thirrje për fonde të mëtejshme në mënyrë që të paraprijë krizën.

Më shumë se 275,000 fëmijët që ballafaqohen potencialisht me një formë të rëndë akute të kequshqyerjes, kanë nëntë herë më shumë gjasa të vdesin nga sëmundjet, përfshirë kolerën ose fruthin, tha zëdhënësja e UNICEF, Marixie Mercado.

Shifrat që ofrohen nga një parashikim për vitin aktual i tejkalojnë vlerësimet paraprake nga janari 2017 me 50 për qind. Situata është përkeqësuar nga fakti se fëmijët e kequshqyer janë nën një rrezik më të lartë – 9 herë më shumë – të marrjes së sëmundjeve ngjitëse si kolera ose fruthi, shpjegoi zëdhënësja.

“Një fëmijë i kequshqyer dhe i dehidruar mund të vdesë për disa orë nëse nuk merr trajtim për diarre ose kolerë. Fruthi, i cili mund të transmetohen nëpërmjet ajrit, mund të përhapet si zjarr në kampet e zhvendosura”, tha ajo për Reuters.

UNICEF thuhet se ka trajtuar 56,000 fëmijë somalezë me kequshqyerje të rëndë që nga fillimi i vitit, dhe OKB tani kërkon fonde për të ndihmuar më shumë të rinj somalezë të prekur nga thatësirat dhe zhvendosjet për shkak të trazirave ushtarake.

Agjensia që mbështet qendrat e të ushqyerit dhe të kolerës nuk kishte asnjë shifër mbi numrin e përgjithshëm të fëmijëve që kanë vdekur deri tani nga uria dhe sëmundjet në Somali. Por Mercado vuri në dukje se në urinë e vitit 2011 rreth 258,000 njerëz vdiqën gjatë një periudhe 18-mujore, duke përfshirë 133,000 fëmijë të vegjël.

“Çdo nënë me të cilën fola tha se fëmijët e saj ishin të sëmurë, ose me diarre, ose me të vjella apo ethe. Shumica nuk ishin vaksinuar më parë për shkak të pasigurisë në të gjithë vendin”, tha Mercado. “Ritmi dhe shkalla e zhvendosjes janë rritur në mënyrë eksponenciale”.

Edhe pse OKB ka marrë pothuajse 60 përqind të apelit të saj humanitar prej 720 milionë dollarësh për Somalinë për vitin 2017, zëdhënësi Jens Laerke paralajmëron bashkësinë ndërkombëtare me fjalët: “Ne jemi ende në një garë kundër kohës”.

Laerke shtoi se rreth 615,000 somalezë kanë ikur nga shtëpitë e tyre për shkak të thatësirës dhe prodhimeve të dështuara që nga nëntori i kaluar, duke u bashkuar me 1 milion të zhvendosur brenda vendit.

Somalia ka vuajtur pasojat e luftës civile që nga vitet 1990, dhe gjendja humanitare në vend, të cilit aktualisht i mungon një qeveri qendrore e padiskutueshme, mori një kthesë për keq, kur vendi u godit nga fenomeni El Niño në vitin 2011, duke shkaktuar një përhapje të gjerë dhe thatësira të rënda. Fëmijët nuk preken vetëm nga mungesa e ushqimit, por gjithashtu vuajnë nga mungesa e arsimimit, duke u rritur në kampe refugjatësh me pamundësi për të ndjekur shkollën.

Rreth 2.9 milionë njerëz në Somali po përballen me urinë, së bashku me 17 milionë në verilindje të Nigerisë, Sudanit të Jugut dhe Jemenit, thotë OKB. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne