UNICEF: Mbi 250 mijë fëmijë të Mianmarit në rrezik

Thuajse një çerek milioni fëmijë jetojnë tani në kampe të mjeruara refugjatësh në Bangladesh pasi janë dëbuar me dhunë nga Mianmari.

Sipas UNICEF, më shumë se 90 mijë prej tyre besohet se janë nën moshën 5 vjeç dhe jetojnë në kushte që i ekspozojnë ata ndaj sëmundjeve. Kombet e Bashkuara kanë thënë se veprimet e Mianmarit kundër myslimanëve Rohingia mund të krahasohen me një spastrim etnik. Agjencitë e ndihmave, nuk po ia dalin të përballojnë situatën. “Ata po jetojnë në kushte që favorizojnë përhapjen e sëmundjeve. Jetojnë në mënyrë të mjerueshme atje ku mund të gjejnë hapësirë…nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka kushte higjienike dhe një pafundësi mushkonjash”, tha Maria Dutsenko, një zëdhënëse e UNICEF. Shumë ndihma po mbërrijnë në kampe por me rreth 60 për qind të të gjithë refugjatëve në moshë të mitur, shëndeti është një shqetësim kryesor. Të shtunën qeveria e Bangaldeshit nisi një fushatë vaksinimi në kampe, me ndihmën e OKB-së me synim që të arrijnë shifrën e 100 mijë fëmijëve. Të premten, protestuesit në Bangladesh, mbajtën në krahë një arkivol të improvizuar për lideren e Mianmarit Aung san suu Kyi, ndërsa bota zemërohet gjithnjë e më shumë për dështimin e saj për të reaguar. Në një intervistë për mediat, shefi i OKB-së Antonio Guterres tha se Aung San Suu Kyi ka shansin e fundit për të frenuar ofensivën, gjatë adresimit përballë kombit të saj që do të zhvillojë të martën. “Nëse ajo nuk e përmbys këtë situatë, tani, atëherë mendoj se tragjedia do të jetë absolutisht e tmerrshme, e fatkeqësisht nuk shoh ndonjë mënyrë sesi mund të ndryshojë në të ardhmen”, tha Guterres./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne