UNRWA kritikon planet e Izraelit për mbylljen e zyrës në Kuds

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) ka kritikuar si “të papërgjegjshme” planet izraelite për të mbyllur zyrat e agjencisë në Kudsin Lindor të pushtuar.

“UNRWA po kryen operacione brenda kornizës së Kartës së OKB-së, marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe të cilat ene janë të vlefshme, si dhe rezolutave përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, tha zëdhënësi i UNRWA -së, Christopher Guinnes, për agjencinë jordaneze të lajmeve Petra.

Guinnes tha se agjencia e refugjatëve është autorizuar nga OKB-ja për të siguruar mbrojtje dhe ndihmë për refugjatët palestinesë në territoret e pushtuara, duke përfshirë Kudsin Lindor. “Mesazhe të tilla nga top figurat e zgjedhura në Izrael janë të papërgjegjshme dhe shumë serioze”, tha ai.

Javën e kaluar, komuna e Kudsit të Izraelit paralajmëroi planet për të larguar agjencinë e OKB-së nga qyteti i pushtuar.

Sipas medias izraelite Chanel Two, vendimi i fundit i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për t’i dhënë fund ndihmës financiare të UNRWA -së ka inkurajuar Izraelin që të marrë masa. Transmetuesi tha se lëvizja e Izraelit ishte planifikuar në koordinim me administratën e SHBA-ve dhe së shpejti do të paraqitet në qeverinë izraelite për miratim.

Në muajin shtator, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve njoftoi se Washingtoni “nuk do të kryejë më financime” për UNRWA -n.

SHBA ishte kontribuesi më i madh i UNRWA -së, duke siguruar 350 milionë dollarë në vit apo afërsisht një e katërta e buxhetit të përgjithshëm të agjencisë.

E themeluar në vitin 1949, UNRWA u ofron ndihmë refugjatëve palestinezë në zonën e bllokuar të Gazës, Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, si dhe në Jordani, Liban dhe Siri.

Kudsi mbetet në zemër të konfliktit të Lindjes së Mesme, me palestinezët duke shpresuar që Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, përfundimisht të shërbejë si kryeqytet i një shteti të pavarur palestinez.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne