Islamofobi

Urrejtja ndaj muslimanëve po rritet frikshëm

Në një intervistë për gazetën “Kathimerini” në kuadër të vizitës në Athinë, si pjesë e një turneu në 20 vende evropiane në prag të zgjedhjeve evropiane, Bernard-Henri Levi flet për “plagën e populizmit’, elitat liberale, të ardhmen e NATO-s, Emanuel Makronin, dhe është kritik ndaj lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë”.

Ju thoni që zgjedhjet e ardhshme evropiane, mund të jenë “më mjeranet që kemi parë ndonjëherë”, duke pasur parasysh dallgën e baticës së nacionalizmit, partive të ekstremit të djathtë, dhe “demokracitë joliberale” të stilit të Orban. Kush duhet të fajësohet për këtë? Emigracioni, shkatërrimi i shtetit social evropian, dhe rritja e pabarazisë, janë ndër të “dyshuarit” e zakonshëm. Cila është diagnoza juaj?

Sigurisht që emigrantët nuk duhet të fajësohen për këtë. Ne duhet ta ndalim lidhjen e emigracionit, me rritjen e populizmit, apo fashizmit. Shihni përvojën e Zelandës së Re. Një masakër u krye nga një supremacist i bardhë në xhaminë e Kristçërç. Popullata myslimane në  Zelandën e Re është e vogël. E megjithatë, ne duhet të mësohemi me idenë se shkaku i fashizmit është fashizmi. Ai ushqen vetveten. Me faktorë të ndryshëm lehtësues ekonomikë dhe ideologjikë, në çdo kohë të caktuar.

Ju ishit kohët e fundit bashkëautor i një manifesti evropian, të nënshkruar nga 30 autorë, intelektualë dhe fitues të çmimit Nobel, që përmbante një lutje pasionante, për t’ju kundërvënë asaj që ju e quani “murtaja” e populizmit. Po elitat liberale evropiane? A nuk mbajnë ato një pjesë të përgjegjësisë, për zhgënjimin dhe distabcimin e njerëzve nga projekti evropian?

A janë fajtorë? Do të isha kureshtar të dija se çfarë përgjegjësie ka Milan Kundera, Mario Vargas Llosa, Salman Rushdi apo Vasilis Aleksakis, për frustrimet që kanë prodhuar shpërthimin e populizmit! Jo. Ne duhet të heqim dorë nga retorika aktuale. Dhe duhet gjithashtu t’i japim fund, kësaj kritike këmbëngulëse dhe të urryer ndaj elitave. Unë jam pro elitave.

Veçanërisht ndaj atyre ku përfshihen edhe emrat e 30 patriotëve europianë, që më bashkuan edhe mua në nënshkrimin e manifestit. Lexojeni dhe rilexojeni atë. Në fakt, ky manifest është gjëja më pak e keqe që është shkruar këtë vit, për gjendjen politike dhe ideologjike të kontinentit tonë.

Si i shihni propozimet e presidentit Emanuel Makron, për një reformim të thellë të projektit të BE, dhe reagimin hezitues që ai ka marrë nga Gjermania?

Është diçka shumë pozitive për Makronin, dhe negative për kancelaren gjermane Angela Merkel. Merkel është një udhëheqëse e madhe, dhe bëri diçka të jashtëzakonshme kur vendosi 3 vjet më parë, të mos u mbyllë derën emigrantëve. Ishte një moment i vërtetë i madhështisë, i moralit të pastër kantian.

Ndaj jam i pikëlluar, qe e shoh të tërhiqet mbi çështjen evropiane. Por mos harroni, që ajo dhe Makron nuk janë udhëheqësit e vetëm në Evropë. Ka edhe figura të tjera të mëdha. Ju keni njërin prej tyre në Greqi, Ciprasin. Unë jam shumë i impresionuar nga metamorfoza e tij e fundit.

Në librin tuaj të fundit, ”Perandoria dhe Pesë Mbretërit”, ju shprehni zhgënjimin mbi atë që ju e quani “abdikim amerikan” të udhëheqjes botërore nën presidentin Trump. Pse Evropa, ka ende nevojë për tutelën e Amerikës, edhe 74 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dhe 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit?

Pse? Pasi ajo nuk parashikoi atë që po vinte. Nuk parashikoi momentin – një moment që ishte gjithsesi i parashikueshëm – që një ditë do të vinte një personazh si Trumpi, që do të thoshte se SHBA-ja nuk kishte më punë me sigurinë e Botës së Vjetër. Pra, ne e shohin veten të flakur tej; dhe shumë të rrezikuar nga Putini, Erdogani dhe të tjerët.

Ne po përballemi me domosdoshmërinë absolute, të ndërtimit të një mbrojtjeje evropiane. Dhe duhet ta bëjmë këtë së bashku. Natyrisht, me në krye Francën dhe Gjermaninë. Por edhe me grekët, spanjollët, italianët dhe të tjerët. Rindërtimi politik i Evropës, ndërtimi i një politike të përbashkët të jashtme dhe një mbrojtjeje të përbashkët, është një nga temat ku unë fokusohem.

Ju e keni quajtur Trumpin “bosin”e udhëheqësve autoritarë dhe nacionalistë në mbarë botën. Mendoni se fenomeni “Trump”, është vetëm një shmangie e përkohshme, apo diçka më e thellë dhe ndoshta më e rrezikshme?

Është qartazi një fenomen i thellë. Së pari, sepse për njëfarë kohe Shtetet e Bashkuara janë tërhequr, dhe kanë dobësuar lidhjet e tyre me Evropën. Kjo filloi në fakt me Barak Obamën. Dhe ndoshta edhe më parë. Dhe së dyti, është e lehtë të shohësh që dukuria e populizmit, ringjallja e nacionalist dhe shovinizmit, po shfaqet në të gjithë Europën. Shtetet e Bashkuara, janë vetëm pjesë e një panorame më të gjerë. Ndaj, druhem se se nuk kemi parë ende surprizat e pakëndshme që na presin.

Si e shpjegoni rritjen paralele të antisemitizmit dhe islamofobisë në demokracitë perëndimore, siç e kanë dëshmuar masakra e Pitsburgut dhe ajo e Kristçërçit?

Kini kujdes me shprehjen “islamofobi”. Unë preferoj të flas për racizëm. Ose urrejtje ndaj myslimanëve. Dhe urrejtja ndaj myslimanëve, po rritet frikshëm. Masakra e Kristçërç më mbushi me frikë, ashtu si vrasjet në Tuluzë, Nisë dhe Strasburg. Dhe çdo përpjekje për të krahasuar tmerrin e tyre, për të përcaktuar një hierarki, për të zgjedhur midis të vdekurve, është tërësisht e neveritshme.

Pra, çfarë qëndron pas rritjes së dyfishtë të antisemitizmit dhe racizmit? Unë besoj se ka një potencial bazë, që është gjithnjë i pranishëm në të gjitha shoqëritë moderne. Në momente të qeta në historinë tonë, kjo bazë është e kufizuar. Dhe pastaj, papritmas ngre krye.

Gjatë të ashtuquajturës Pranverë Arabe, dhe protestat në Parkut Gezi kundër Erdoganit, mediat sociale u cilësuan si mjete të fuqishme të lëvizjeve të qytetarëve, kundër regjimeve autoritare. Tani ato fajësohen për përhapjen e lajmeve të rreme, mesazheve të urrejtjes dhe ndërhyrje të huaja në proceset zgjedhore. Cili është vlerësimi juaj?

Që të dyja janë të vërteta. Në rastin e parë, kishim të drejtë të mendonim ashtu, pasi ishte një fakt që revolucioni në internet, i ka dhënë një nxitje të pashembullt të gjitha lëvizjeve demokratike, përpjekjeve për të shpëtuar jetë njerëzore, kryengritjeve të mëdha popullore, dhe deri tek fushatat e solidaritetit.

Dhe tani është “pushtimi” i lajmeve të rremë, i skualifikimit të së vërtetës, i zvogëlimit të saj në rangun e një opinioni. Ne jemi zhvendosur nga ideja që secili ka të drejtën e vetë-shprehjes, tek ideja shumë e ndryshme, që shprehja e të gjithësecilit është po aq me vlerë.

Me fjalë të tjera, ne u zhvendosëm nga demokracia e fjalës, në një lloj sofizmit të mendimit. Kjo është një histori e njohur për grekët. Debati midis Sokratit dhe Sofistëve, është shkruar në ADN- dhe kulturën tuaj. Dhe tani e gjithë bota perëndimore, është në këtë pikë. Sot, ne jemi të gjithë si grekërit e shekullit V Para Erës Sonë.

 

 

 

Bernard-Henri Levi ka qenë një nga figurat më të shquara të inteligjencës franceze në 4 dekadat e fundit. Ai ishte në krye të lëvizjes Nouveaux Philosophes (Filozofët e rinj) që u shkëputën nga rrënjët komuniste, dhe u përpoqën të dekonstruktonin marksizmin.

Një këshilltar i të gjithë presidentëve francezë, që nga fundi i viteve 1970 dhe autor i 40 librave.

Intervistoi: Petros Papaconstantinou për Kathimerini

OPINIONE