Ushqimet bio, eksperti: Në Shqipëri s’ka prodhime të certifikuara

Në Shqipëri nuk ka prodhime bio të certifikuara. Eksperti ushqimor, Zef Gjeta, sqaron për Ora News se në vendin tonë abuzohet me cilësimin e fjalëve bio dhe natyral.
Gjeta: Shumë prodhime vendase shqiptare janë prodhime të mira, mundet që nëqoftëse testohet të plotësojnë disa parametra organike por për tu quajtur vërtet bio apo organike, duhet që të kalojnë nëpër teste.

Sipas Gjetës për tu standardizuar si bio një prodhim duhet të kalojë në disa faza testimesh.

Gjeta: Mbjelljen, prashitjen dhe mbrojtjen e bimëve të integruara apo jo duhet të kalojnë sipas procedurave të protokollit të produkteve organike. Nëse i kalon të gjitha këto bëhet dhe një analizë e produktit përfundimtar. Kjo procedurë kërkon minimalisht tre vite pune dhe ndjekje nga ana e trupave të çertifikimit. Pas kësaj nëse gjithçka shkon mirë, japin çertifikatën për produkt bio.

Eksperti bën thirrje që konsumatorët të mos bien pre e mashtrimit të tregtarëve që thonë se ofrojnë produkte bio, pasi ato kushtojnë minimalisht 15% më shumë.

Gjeta: Produktet bio kanë një çmim që varion nga 15% deri në disa fish më të lartë se produkti konvencional, ndaj duhet të kemi kujdes që konsumatorët të jenë të rezervuar pak ndaj ftesës që bën një shitës i caktuar.

Gjeta thotë se për të marrë një çertifikatë bio për prodhimin, kostoja e shpenzimeve varion deri në 20 mijë euro.

Gjeta: E gjithë proçedura e çertifikimit, me inspektorin, pagesat që duhen për analizat, emëtimin e çertifikatës dhe ndjekjen në terësi shkon nga 4-20 mijë euro.

Aktualisht numrin më të lartë të prodhimeve të çertifikuara bio e zë Gjermania, ndërsa në Shqipëri kemi vetëm prodhime të një cilësie të mirë por ende të pa çertifikuara.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne