Dr. Kenan Haspolat

Kequshqyerja nuk është rezultat vetëm i ushqimit të pamjaftueshëm. Ajo mund të rezultojë edhe nga marrja e ushqimeve të gabuara ose nga marrja e shumë ushqimeve të të njëjtit lloj. Obeziteti i shkaktuar nga mbingrënia është i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Obeziteti është i dëmshëm si për foshnjat ashtu edhe për të rriturit. Obeziteti gjatë fëmijërisë mund të shkaktojë në jetën e mëvonshme sëmundje të tilla si arterioskleroza dhe sëmundje të tjera që shpesh e shoqërojnë atë. Arterioskleroza në të rriturit është një faktor për tensionin e lartë të gjakut ose hipertensionin dhe për disa sëmundje të syve, të zemrës dhe të veshkave. Obeziteti gjithashtu mund të çojë në diabet.

Ekzistojnë shumë të dhëna në burimet klasike islame mbi temën e mbingrënies dhe të obezitetit. Ajetet kur’anore, “Hani dhe pini, por mos e teproni” (7:32), dhe “mos e hidhni veten tuaj në shkatërrim” (2:195), mund të përmenden (përveç kuptimeve të tjera të tyre) si paralajmërime Hyjnore kundër shkeljes së kufijve në të ngrënë dhe të pirë dhe duke dëmtuar vetveten për shkak të pakujdesisë. Ibn el-Husejn ibn el-Uafidi ka shpjeguar se Allahu xh.sh. e vuri të gjithë mjekësinë në gjysmën e një ajeti kur tha: “Hani dhe pini, por mos e teproni.” Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, gjithashtu ka tërhequr vëmendjen tek obeziteti dhe ushqimi i tepërt. Për shembull, siç është shënuar nga El-Hejthem-i, duke parë një njeri mbipeshë, tha: “Nëse nuk do të kishte bark, do të ishte më mirë për të”. Ai gjithashtu tha: “Ngrënia e tepërt nuk shkon me shëndetin e mirë”. Kriteri i vendosur nga Islami dhe përsëritur nga Profeti a.s. është: “Rruga e mesme (shmangia e ekstremeve) është më e mira në çdo çështje”.

Ndër të tjera thënie të Profetit a.s. që paralajmërojnë kundër rreziqeve të mbingrënies dhe mbipeshës janë:

“Shmangni mbushjen e stomakut me ushqim dhe pije. Mbingrënia e lodh trupin dhe shkakton sëmundje. Ndiqni një rrugë të mesme në të ngrënë dhe të pirë, pasi kjo përmirëson shëndetin. Allahu nuk i do ata që e teprojnë.”

“Biri i Ademit [d.m.th. njeriu] nuk ka mbushur asnjë enë më të keqe sesa stomaku i tij. Le të hajë vetëm pak kafshata për të forcuar gjymtyrët e tij.”

“Një e treta e stomakut është për ushqim, një e treta për pije dhe një e treta për ajër.” [1]

Thënia e mëposhtme në lidhje me dëmin shpirtëror të shkaktuar nga mbingrënia, mund të lexohet edhe në lidhje me sëmundjet e zemrës që lindin nga mbingopja:

“Mos i vrisni zemrat tuaja duke ngrënë dhe duke pirë shumë sepse zemra është si një fushë e mbjellë, mbiujitja e bën farën të kalbet. [2]

Aliu, kalifi i katërt, ka thënë:

“Mbingrënia është një sëmundje, ajo shkakton spazma të zemrës.” [3]

Umeri, kalifi i dytë, ka thënë: “Shmangni mbushjen e barkut sepse ai e dëmton trupin, shkakton sëmundje dhe e bën të lodhshëm adhurimin. Shmangni të gjitha gjërat e tepërta, sepse Allahu e urren një njeri të mësuar, i cili është mbipeshë.” [4]

Harith ibn Khalada, mjeku i famshëm i arabëve, ishte pyetur një herë: Çfarë është shëndeti i mirë? Ai u përgjigj: “Të ngrënit e asaj që është e domosdoshme, kjo është uria”. Kur u pyet se çfarë ishte sëmundja, ai tha: “Futja e ushqimit mbi ushqimin”.

Ibn Sina, mjeku dhe filozofi mysliman i njohur, ka thënë: “Asnjëherë mos hani ushqim derisa ai i mëparshmi të jetë tretur.” Ai gjithashtu ka këshilluar kundër marrjes së kripës dhe mishit me yndyrë të tepërt. Lista e tij ushqimore përfshinte kryesisht perimet, recetë e cila është shumë e njohur edhe sot.

Përkundër disa supersticioneve popullore, foshnjat mbipeshë nuk janë foshnje të shëndetshme. Përkundrazi, mbingrënia është gjithashtu e dëmshme edhe për fëmijët. Fëmijët e ushqyer me ushqime me niseshte, pa sasinë e nevojshme të vitaminës D, janë të prekshëm nga Rakiti (rachitism). Ibn Sina ka këshilluar të njëjtën gjë nëntë shekuj më parë: “Mos i jepni foshnjave shumë ushqim. Mbiushqyerja e foshnjave bën që urina e tyre të jetë me ngjyrë më të zbehtë”. Fakti që foshnja kërkon gjirin e nënës nuk do të thotë gjithmonë se fëmija është i uritur, nganjëherë gjiri është vetëm një kërkesë refleksive. Urina me ngjyrë të errët në foshnjat tregon kequshqyerje, ndërsa një ngjyrë e lehtë është simptomatike e mbiushqyerjes.

Ibn Sina ishte i mendimit se mbiushqyerja provokon konvulsione te foshnjat. Një mjek mysliman, Ebu Bekr al-Razi, gjithashtu vuri në dukje këtë lidhje. Ai tha se disa konvulsione infantile mund të ulen pas ushqyerjes së rregullt. Ibn Sina dhe al-Razi mund të kenë qenë duke iu referuar llojit të eklampsisë të shkaktuar nga Rakiti që shfaqet si rezultat i obezitetit, në sindromet e emërtuara sipas Frohlich dhe Martin-Albright, ku obeziteti shoqërohet nga eklampsia.

Ibn Khalduni, një sociolog dhe historian mysliman i famshëm, gjithashtu ka përmendur se mbingrënia shkakton shumë sëmundje. Ai tha: “E di se uria është më e mirë për shëndetin sesa ngopja. Edhe nëse nuk mund të mbetemi të uritur, të hahet më pak është më mirë. Ushqimi më i pakët është më i mirë për zhvillimin e trupit dhe mendjes.” [5] Mjekët e tjerë myslimanë si Haxhi Pasha dhe Hafiz Hasan Efendi gjithashtu shkruajnë se dhënia e shumtë e qumështit te foshnjat ishte e dëmshme për shëndetin e tyre. Tani është një fakt i vërtetuar se ushqimi i tepërt i qumështit te foshnjat shkakton mbipeshë.

Këshilla për të ngrënët dhe të pirët

Ka shumë thënie të Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të, për mjekësinë. Ato përfshijnë një larmi të madhe tematikash duke përfshirë ushqimin, pijen dhe përmendjen e llojeve të caktuara të ushqimit veçanërisht ato të dobishme për shëndetin. Në shekujt e mëvonshëm, dijetarët myslimanë i kanë mbledhur këto thënie, zakonisht nën titullin Tibb al-Nabawi. Koleksionet e Ibn Qayyim al-Jawziyya, Jalal al-Din al-Suyuti dhe Abu Nu’aym janë ndër më të famshmit.

Jalal al-Din al-Suyuti (d. 1505), një nga studiuesit më të mëdhenj të Mesjetës myslimane, ka rekomanduar të konsumohen ushqime të ftohta në verë dhe të nxehta në dimër. Ushqimi i nxehtë duhet të preferohet në mot të ftohtë, i ëmbël me të thartë, i yndyrshëm me kripë dhe acid me yndyrë. Shumëllojshmëria e ushqimeve nxit humorin e mirë dhe është mirë të hahet me shije dhe kënaqësi. Duke ngrënë të njëjtin ushqim çdo ditë njëra pas tjetrës dhe të ngrënit me nxitim shkakton humbje të oreksit dhe shtim të përtacisë. Marrja e ushqimit të një vakti të dytë pa tretjen e plotë të së parit, është i dëmshëm. El-Suyuti gjithashtu ka shkruar se duhet të shmangim ushqimin dhe pijen që ka mbetur gjatë në ambient të jashtëm i pambuluar. Pejgamberi, paqja dhe bekimi i qoftë mbi të, e ka urdhëruar këtë: “Mbuloni enët tuaja dhe mbyllini shishet e ujit”.

Profeti a.s. nuk ka pranuar të hajë ushqim ndërsa ishte shumë i nxehtë. Ai kurrë nuk i ka fryrë ushqimit ose pijes së tij dhe nuk ka marrë frymë në enë. Ai gjithashtu ka ndaluar të hahet shtrirë.

Bërja e një shëtitje pas ngrënies së një vakti ose falja e namazit është e dobishme, posaçërisht për procesin e tretjes. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Hani ushqimin tuaj me emrin e Allahut dhe duke bërë një lutje. Dhe mos shkoni për të fjetur menjëherë pas ngrënies pasi kjo do t’ju bëjë me konstipacion”.

Duart duhet të lahen si përpara ashtu edhe pas ngrënies. Një njeri, barku i të cilit është i mbushur me ushqim, nuk mund të mendojë qartë ose me mençuri. Sa më pak të hajë njeriu, aq më pak pi dhe sa më pak pi, aq më pak ai fle dhe sa më pak ai fle, aq më mirë ai do të jetë në pleqëri. Trupi i një njeriu të mbushur me ushqim do të jetë i kequshqyer, shpirti i tij do të jetë në gjendje të keqe dhe zemra e tij do të ngurtësohet. Prandaj, duhet të shmangim marrjen e shumtë të ushqimit, pasi ai helmon zemrën dhe ngadalëson gjymtyrët e trupit në përmbushjen e përgjegjësive ndaj Allahut. Duhet gjithashtu të shmangni pirjen e ujit shumë të ftohtë, sepse kjo është e dëmshme për sistemin e frymëmarrjes, posaçërisht pas një vakti të nxehtë, pas ushqimit të ëmbël ose pas një banje të nxehtë.

Pejgamberi, paqja dhe bekimi qoftë mbi të, ka ndaluar pirjen e ujit me një frymë. Enes ibn Maliku ka transmetuar traditën profetike të pirjes me tri pushime dhe në çdo pauzë e hiqte gojën nga ena.

Ushtrim i shëndetshëm

Ushtrimi i moderuar është një mjet shumë efektiv për ruajtjen e shëndetit të mirë. Ai ngroh organet, ndihmon tretjen e produkteve ushqimore dhe e bën trupin të lehtë dhe aktiv. Kohëzgjatja më e mirë për stërvitje është aq sa të mos mbingarkohet trupi ose të lodhet shumë. Kur djersitja fillon të shtohet, stërvitja duhet të ndalet. Lloji i stërvitjes që rrit shumë djersitjen nuk është ‘i moderuar’ por ‘i rëndë’.

Organet e trupit forcohen dhe bëhen më të efektshme me kryerjen e ushtrimeve të rregullta. E njëjta gjë vlen edhe për aftësitë intelektuale. Ai që dëshiron, për shembull, të përmirësojë kujtesën e tij, do ta përmirësojë atë duke memorizuar gjëra. Ekziston një ushtrim specifik i duhur për çdo organ.

Pejgamberi, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, ka këshilluar një formë të ushtrimit e cila është e mirë për trupin dhe zemrën tonë kur ka thënë: “Udhëtoni, sepse do të jeni të shëndetshëm. Ai gjithashtu tha: “Agjërimi sjell shëndet”.

Gjumi

Sipas El-Suyutit, koha më e mirë për të rënë në gjumë është pasi ushqimi është tretur. Fjetja e tepërt është e dëmshme për shëndetin dhe fjetja me fytyrë poshtë është e ndaluar. Fjetja gjatë kohës pas lindjes së diellit dhe para perëndimit të diellit është e dëmshme dhe mund të çojë në sëmundje dhe paaftësi mendore. Megjithatë, një gjumë i shkurtër në mes të ditës është i dobishëm për shëndetin dhe ndihmon që personi të ngrihet për namaz gjatë natës.

Pejgamberi, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, flinte në anën e djathtë, me fytyrë nga kibla (Qabeja në Mekë) dhe është më mirë të shkohet në gjumë duke qenë me abdes.

Përktheu: Erion Sukaj

/Drita islame

——————————————————–

Referencat:

1. Transmetimet mund të gjenden në Tanbih al-Ghafilin nga Abu’I Leys al-Samarkandi, (Përkthim turk), f. 799, dhe, lhya Ulum al-Din nga Imam Ghazali (Trans. turqisht) Vol. 3, f. 186.

2. al-Ghazali, ibid., 3.186.

3. Celal Yildirim, Asrin Kuran Tefsiri, Izmir: 1987, 1.478.

4. Imam Dhahabi, Sifa Demetleri, Stamboll, 21.

5. I. Haldun, Muqaddima (trans. Turke), Ank. 1977, 1.232.

31