Ushtarët izraelitë martirizojnë një palestinez

Gjatë ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë në protestat paqësore të Marshimit të Kthimit të Madh në kufirin e Gazës nën rrethim, një palestinez është martirizuar ndërsa 20 persona janë plagosur.

Dhjetëra palestinezë të cilët janë mbledhur në lindje të Gazës në kuadër të Marshimit të Kthimit të Madh, kanë djegur goma të automjeteve dhe kanë hedhur fishekzjarre në rajonet e afërta me kufirin e Izraelit.

Në një deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se gjatë ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë në protestat e mbajtura në veri të qytetit të Gazës, palestinezi Imad Davud Ishteyvi (21) ka rënë dëshmor si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri.

Më tej thuhet se në ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë ndaj protestave të organizuara në rajone të ndryshme në kufirin lindor të Rripit të Gazës janë plagosur 20 palestinezë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Palestinezët që nga 30 marsi organizojnë protesta paqësore nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin në kuadër të 42 vjetorit të Ditës së Tokës.

Ndërkohë, ushtarët izraelitë hapin zjarr me plumba të vërtetë ndaj palestinezëve të cilët kërkojnë “kthimin në tokat nga të cilat janë dëbuar dhe heqjen e bllokadës së paligjshme ndaj Gazës që nga viti 2006”.

Në ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë në protestat paqësore të cilat vazhdojnë nga 30 marsi e deri më tani, janë martirizuar më shumë se 180 palestinezë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne