Ushtria e Jemenit çliron nga Huthit zonën e qytetit Dali

Ushtria e Jemenit ka marrë kontrollin e disa rajoneve në Dali në jug të vendit.

Burimet lokale thonë se në Demt të qytetit Dali një kohë të gjatë janë zhvilluar luftime të ashpra mes ushtrisë së Jemenit, të cilën e mbështesin Forca e Koalicionit Ndërkombëtar të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe rebelëve Huthi nga ana tjetër.

Ushtria e Jemenit, ndër të tjera, ka marrë kontrollin e rrugës kryesore që lidh qytetet Sana dhe Dali. Në konfliktet e zhvilluara ka të vrarë dhe të plagosur nga të dyja palët.

Organizata “Mjekët pa Kufi” të mërkurën, për arsye sigurie pezulluan të gjitha aktivitetet në qytetin Dali.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Jemeni po përballet me krizën më të rëndë humanitare në botë. Gjatë luftës civile, më shumë se 15.000 civilë u vranë dhe u plagosën. Për shkak të luftës, sistemi shëndetësor është shkatërruar, prandaj është shfaqur kolera, difteria dhe sëmundje të tjera.

Jemeni është përfshirë nga një konflikt shkatërrues që nga viti 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana dhe Hudejden.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një fushatë masive ajrore në Jemen, që synonte rikthimin e territoreve të marra nën kontroll nga lëvizja Huthi.

Dhuna ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, përfshirë sistemet e tij shëndetësore dhe sanitare, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si “një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne”.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne