Vajza e Mandela: U dëbuam kur u zbuluan minierat

Makaziwe Mandela, e bija e liderit legjendar të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, thotë se etërit e tyre kishin jetuar pa probleme para se në Afrikën e Jugut të vinin anglezët dhe holandezët dhe se më pas ishin dëbuar me zbulimin e minierave në rajon.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), Mandela ka folur lidhur me historinë e Afrikës së Jugut dhe periudhën kolonialiste në kontnentin afrikan.

Duke theksuar se njerëzit me ngjyrë në Afrikën e Jugut dhe kontinentin afrikan në përgjithësi kanë jetuar jetë të vështirë, Mandela thotë se njerëzve me ngjyrë në Afrikën e Jugut deri në vitin 1994 kur vendi fitoi pavarësinë u ishte imponuar perceptimi se të bardhët janë superiorë ndaj njerëzve me ngjyrë.

Ndërkaq, duke folur për diskriminimin në këtë vend para vitit 1994, Mandela thotë se atëbotë ekzistonin ligje të hartuara mbi baza të diskriminimit dhe racizmit për t’i mbuluar padrejtësitë.

“Ne, njerëzit me ngjyrë, nuk mund të shkonim në shkollat dhe spitalet ku shkonin të bardhët dhe nuk mund t’i plotësonim nevojat tona për arsim dhe shëndetësi. Njerëzit me ngjyrë asnjëherë nuk jetuan në kushte të barabarta. Ata asnjëherë nuk besuan se ne, personat me ngjyrë, mund të kishim biznese tona, të administronim kompani, të posedojmë mendim tonin dhe të jemi individë kreativë dhe të zgjuar që mund të kontribonim në shoqëri”, shton Mandela.

Sipas saj, në aspektin shoqëror ka pasur dallim të dukshëm mes të bardhëve dhe njerëzve me ngjyrë, sepse, siç thotë ajo, ata kanë qenë të larguar nga sistemi arsimor ndërkombëtar për shkak se janë arsimuar me sistemin BANTU, i cili ka për bazë vetëm gjuhët afrikane.

“Nuk ka liri politike pa liri ekonomike”

Mandela shprehet se nuk mund të ketë liri politike pa pasur liri ekonomike, duke shtuar se kolonizimi dhe diskriminimi anglez dhe holandez u kishte marrë njerëzve me ngjyrë forcën ekonomike.

“Etërit tanë kanë jetuar pa probleme para ardhjes së anglezëve dhe holandezëve në Afrikën e Jugut. Kur në kontinent u zbuluan minierat, etërit tanë që jetonin në Afrikën e Jugut u dëbuan dhe kështu lumturia mori fund”, thotë Mandela.

Mandela rrëfen se është zhvilluar një luftë e rëndësishme për liri në periudhën e Aparteidit në Afrikën e Jugut, politikë kjo që mbeti në fuqi deri në vitin 1994 dhe e cila parashihte ndarje ligjore mes të bardhëve dhe racave jo të bardha.

“Si vajza e Nelson Mandelas, duka të them se babai im nuk ishte i vetmi njeri që luftoi për liri në kontinentin afrikan, por ai arriti sukses në këtë luftë së bashku me shumë miq sakrifikues. Në kontinentin e Afrikës kanë ndryshuar shumë gjëra në 20 vitet e fundit, por unë nuk e shoh këtë të mjaftueshme. Në kontinent kemi nevojë për shumë liderë afrikanë të guximshëm dhe punëtorë. Në kontinetnin afrikan në përgjithësi ka rezerva të arit, diamantit, gazit natyror, ndërsa në vendin tonë, në veçanti, po ashtu ka rezerva të platinit, arit dhe diamantit si dhe të gazit natyror në brigje”, thekson Mandela, duke e theksuar nevojën për më shumë përpjekje në mënyrë që të gjithë shtetasit e Afrikës së Jugut të përfitojnë nga ekonomia e saj.

Mandela po ashtu ka folur edhe për bashkëpunimin ekonomik mes Turqisë dhe Afrikës së Jugut, për të cilin ajo mendon se nuk është i mjaftueshëm.

“Në Afrikën e Jugut jam takuar me disa afaristë turq. Turqia ka përvojë shumë të avancuar në sferën e ndërtimtarisë dhe tekstilit. Ne mund edhe të bashkëpunojmë, edhe t’i ndajmë përvojat. Duam industri të gjallë të tekstilit në Afrikën e Jugut. Afrika e Jugut i pret afaristët turq të hedhin hapa në sferë”, theksoi Mandela për AA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne