Vakëfet në Shqipëri nga periudha osmane deri në regjimin komunist

Nga Msc. Uran Kalej

Abstrakt 

Krijimi i vakëfeve dhe i institucioneve vakufnore në territoret shqiptare fillon pas ardhjes së osmanëve në Ballkan, duke nisur që nga gjysma e dytë e shek. XV. Këto institucione kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në jetën social-ekonomike dhe religjioze të popullsisë shqiptare. Madje nga studime të ndryshme rezulton se disa nga qendrat urbane mesjetare shqiptare janë krijuar nga vakëfet. Kjo vlen edhe për Tiranën, e cila sot është kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë.

Në periudhën osmane sasia e pronave bujqësore, xhamive, çezmave, apo objekteve që dhuroheshin si vakëf gjeti shtrirje të gjerë në të gjitha qendrat urbane dhe rurale të Shqipërisë. Kjo evidentohet edhe nga emërtimet që ato mbajnë, të cilat në shumicën e rasteve i përkasin personave, që i kanë dhuruar apo ndërtuar.

Pas shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, tradita e dhurimit të pronave vakëf vazhdoi me të njëjtin intensitet. Por vakëfet tani administroheshin nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, i cili ishte një institucion i pavarur nga Kalifati Osman. Në periudhën 1920-1944 vihet re një rritje e nivelit të administrimit të vakëfeve. Për manaxhimin e tyre tani u hartuan rregullore të posaçme, të cilat përcaktonin me rigorozitet mënyrën e funksionimit. Të ardhurat që vinin prej tyre shkonin për restaurimin dhe ndërtimin e xhamive, për hapjen e kurseve dhe shkollave fetare, për kualifikimin e personelit, apo për zgjidhjen e problemeve të bashkësisë islame.

Një situatë aspak e favorshme për vakëvet në Shqipëri u krijua pas vitit 1945, kur u instalua regjimi komunist. Masat represive që qeveria shqiptare ndoqi në këtë periudhë fillimisht konsistonin në kufizimin, e më pas në asgjësimin e institucioneve fetare. Në këtë periudhë u hartuan ligje, të cilat pjesën dërrmuese të pronave vakufnore ia kaluan shtetit. Ndërkohë që në vitin 1967 feja u ndalua me ligj dhe pjesa dërrmuese e xhamive u prishën. Ndërsa në ditët e sotme qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj rikthimit të pronave vakufnore është konfuz.

 

Fjalë kyçe: Shqipëria, Vakëf, Komuniteti Mysliman Shqiptar, Manaxhimi i Vakëfeve, Legjislacioni.

 

1. “Vakëfet”, si koncept religjioz dhe funksionet

Në fjalorë të ndryshëm fjala “vakëf”, e cila rrjedh nga gjuha arabe, ka kuptim të njëjtë. Ajo përkufizohet, si një pronë e dhuruar për qëllim humanitarë ndaj banorëve të një lagjeje, fshati apo qyteti.[1] Personi dhurues ka për qëllim që t’u vijë në ndihmë, kryesisht personave në nevojë, komunitetit ku ai banon ose myslimanëve në mbarë botën.

Në periudha të ndryshme të historisë islame vakëfet si koncept religjioz dhe funksioni i tyre ka mbetur i njëjtë. Megjithatë, ajo që ka ndryshuar tek vakëfet është fakti se që nga shpallja e Islamit në shek. VI deri në ditët e sotme numri i tyre ka njohur një rritje progresive nga shekulli në shekull. Madje, mund të thuhet se ndryshe nga fazat e para të shfaqjes së vakëfit si fenomen social, me kalimin e viteve ai u kthye në një institucion.[2]

Rritja e numrit të pronave të dhuruara si vakëf solli për rrjedhojë krijimin e njësive, apo institucioneve të veçanta që do të merreshin me menaxhimin e tyre, përkujdesjen dhe inventarizimin. Kjo vihet re pothuajse që në shek. VI-VII. Me kalimin e viteve mënyra e administrimit të tyre erdhi duke u perfeksionuar, çka solli si rezultat lindjen e një klase individësh të specializuar. Gjithashtu, në periudha, dinasti dhe shtete të ndryshme gjatë historisë islame u hartuan rregullore të posaçme, të cilat përcaktonin mënyrën e funksionimit dhe organizimit të pronave të lëna si vakëf.

Në përgjithësi vakëfet ndahen në dy kategori kryesore:

1. Në prona të cilat janë dhuruar nga persona të ndryshëm nga popullsia e një vendi të caktuar. Ky lloj vakëfi ka një funksion të përcaktuar qartë dhe të pandryeshueshëm. Ai është destinuar që të shërbejë si i tillë nga dhuruesi dhe askush nuk ka të drejtë që t`ia ndryshojë destinacionin. Meqenëse shumica e vakëfeve i përket kësaj kategorie, historikisht konstatohet se pjesa dërrmuese e vakëfeve kanë shërbyer sipas funksionit fillestar. Në historinë moderne zakonisht kjo është sanksionuar juridikisht me anë të dokumenteve, që aktdhuruesi ka nënshkruar me institucionet e bashkësisë islame ose me shtetet respektive.

2. Në prona shtetërore të cilat në periudha të ndryshme të historisë islame, dinasti apo shtete si emevitë, abasidët, osmanët, etj., i kanë caktuar për t`i shërbyer komunitetit për qëllime të tilla, si: për të ndërtuar institucione arsimore, spitale, jetimore, etj. E veçanta e kësaj kategorie është se destinacioni fillestar i këtij vakëfi mund të ndryshohet në bazë të nevojave që ka shteti. Në periudha të ndryshme, meqenëse kjo kategori është prone shtetërore, edhe mund ta ndërpresë veprimtarinë si vakëf.[3]

Në aspektin procedurial prona e dhuruar si vakëf duhet të përmbushte disa kushte. Sipas studiuesve për t`u miratuar nga gjykata statusi i një prone e dhuruar si vakëf:

  • Ajo duhet t’i përkiste drejtpërsëdrejti personit i cili e dhuronte.
  • Ajo nuk duhet të ishte mjet përfitimi për dhuruesin.
  • Ajo duhet të ishte e vlefshme dhe në gjendje për të përmbushur qëllimin e saj në shërbim të komunitetit për të cilin ishte dhuruar.
  • Ajo nuk duhet të përbënte rrezik për t`u shembur apo për jetën e komunitetit për të cilin ishte dhuruar.
  • Ajo duhet të kishte të përcaktuar qartë se në shërbim të kujt do të ishte dhe kush duhet të përfitonte nga të mirat materiale që buronin prej saj.[4]

Në funksion të të drejtave që dhuruesi gëzonte ndaj vakëfit, ai mund të përcaktonte në dokumentin përkatës (vakëfnamen), mënyrë se si duhet të harxhoheshin të ardhurat e nxjerra prej saj. Për të përmbushur këtë mision dhe për të administruar pronën e lënë vakëf caktohej një person. Zakonisht mbarëvajtja vakëfe kontrollohej nga shteti (në shtetet islame), ndërsa në ditët e sotme, ato kontrollohen nga institucionet dhe bashkësitë fetare.[5]

Në historinë e zhvillimit të shteteve dhe shoqërive islame ekzistenca e vakëfeve ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh si në aspektin social-ekonomik ashtu edhe në aspektin shpirtëror. Një numër i konsiderueshëm xhamish, shkollash, spitalesh, jetimoresh, çezmash, të cilat kanë shërbyer për mbarëvajtjen e jetës së besimtarëve myslimanë në mbarë botë e kanë origjinën nga institucioni i vakëfit. Prandaj, vlerësimi i aktdhurimit dhe studimi i mënyrës se si është zhvilluar ky institucion ndër shekuj në mesin e shoqërive myslimane përbën një detyrim sa moral aq edhe shkencor. Kjo merr një rëndësi akoma dhe më të madhe në shekullin XXI, kur individualizmi, materializmi dhe plagë të ndryshme sociale po shkaktojnë erozion në vlerat tona universale.   Ripërtëritja e traditave islame, siç është edhe tradita e bukur e dhurimit të pronave vakëf është një model sociologjik për mbarë globin se si një pjesëtarë i bashkësisë islame kontribuon për mirëqenien e vëllezërve të tij myslimanë, për bashkëqytetarët dhe vendin ku ai jeton.

2. Vakëfet në Shqipëri në periudhën osmane

Në Shqipëri ekzistenca e vakëfeve fillon pas ardhjes së osmanëve në Ballkan, duke nisur që nga gjysma e dytë e shek. XV. Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë ekziston një dokumentacion i pasur arkivor i trashëguar nga administrata osmane, sipas të cilit dokumentohet qartë tradita dhe ekzistenca e vakëfeve që në periudhën mesjetare.[6] Megjithatë për shkak të vështirësive të shumta që burojnë nga mungesa e specialistëve të periudhës osmane dhe politika antifetare e shtetit shqiptar, gjatë periudhës komuniste, ky dokumentacion ka mbetur i pastudiuar.[7] Kjo ka sjellë si pasojë faktin që në Shqipëri ende dhe sot e kësaj dite mungojnë botimet shkencore lidhur me vakëfet. Gjithsesi, nuk kanë munguar edhe botime, të cilat indirekt kanë hedhur sadopak dritë mbi aspekte të veçanta të vakëfeve gjatë periudhës osmane.[8]

Sipas të dhënave të deritanishme një nga vakëvet më të vjetra në Shqipëri është ai i Iljaz bej Mirahorit, i cili në vitin 1505 ktheu në vakëfe pronat  në fshatrat Peshkopje, Vithkuq, Leshnjë, Boboshticë. Këto prona atij i ishin dhuruar nga Sulltan Bajaziti II (1481-1512) për shërbimet e bëra ndaj Perandorisë Osmane. Madje, tani është konfirmuar fakti se qyteti i njohur i Korçës është themeluar nga pronat e lëna vakëf të Iljaz beut.[9] Ky personalitet historik, që kur ishte gjallë ngriti në fshatin Peshkopi të Korçës 5 institucione vakëfnore: një xhami, një teqe, një hamam, një imaret dhe një medrese. Ato do të mbaheshin me të ardhurat e siguruara nga fshatrat e kthyer si vakëf.[10] Institucionet vakëfnore të ngritura nga Iljaz beu shërbyen si një bërthamë urbane pranë të cilave u ndërtua më pas qyteti i Korçës. Popullsia e zonave përreth u vendos pranë tyre, duke krijuar kështu lagjet, rrugicat dhe mjedisin social.

Një dukuri e ngjashme vihet re në disa qytet të Shqipërisë. Institucionet vakëfnore të periudhës së hershme osmane ishin baza dhe faktori kryesor i themelimit apo rithemelimit të qyteteve shqiptare. Nga ky konkluzion dalim në përfundimin se vakëfet kanë luajtur një rol të rëndësishëm për urbanizimin e Shqipërisë dhe të popullsisë myslimane shqiptare. Vakëfet krahas dimensionit humanitar, social dhe religjioz kanë ndikuar edhe në rritjen e mirëqenies së popullsisë shqiptare në aspektin material. Në aspektin social ato kanë harmonizuar klasat shoqërore (të varfrit me të pasurit, fshatarët me qytetaret, etj.), duke i dhënë mundësi shkollimi dhe banimi të gjitha kategorive të popullsisë myslimane shqiptare.

Një shembull interesant në vazhdën e këtij argumenti është edhe historia e themelimit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Qyteti u themelua në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini, i cili në fillim ndërtoi një xhami, një furrë buke dhe një hamam. Këto ndërtesa shërbyen si bërthama fillestare rreth të cilave me kalimin e viteve u vendos popullsia e fshatrave përreth.[11]

Në Arkivin Qendror të Shtetit ekziston një sasi e madhe dokumentacioni, sipas të cilit konkludohet se në shek. XVII numri i pronave të dhuruara si vakëf është mjaft i përhapur pothuajse në të gjitha trevat e Shqipërisë. Në mesin e këtij dokumentacioni vihen re vakfije (aktdhurimi), rregullore mbi funksionimin dhe kushtet e vakfeve, ankime lidhur me menaxhimin e tyre, etj. Madje, nga shqyrtimi i këtyre dokumenteve vihet re se një pjesë e mirë e personelit që shërbente në institucionet vakufnore, apo në xhami si imamët, myezinët, dervishët, etj., mbështeteshin ekonomikisht me të ardhura, që rridhnin nga pronat e lëna vakëf. Për ta ilustruar këtë fakt do të marrim si shembull një rast konkret. Në vitin 1702, një banor i qytetit të Beratit i quajtur Osman Çelebi ka dhuruar 3000 akçe, si vakëf në favor të xhamisë së lagjes Karakasem.[12] Numri i dokumentacionit dhe i vakfijeve (aktdhurimeve) tregon se ato kanë pasur destinacion të ndryshëm. Kështu, në fshatra dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë ka raste kur vakëfet jepen për xhami, ndërtimin e hamameve, çezmave, medreseve, rrugëve, ujësjellësve, ndihma për jetimët dhe personat në nevojë, etj.[13] Kjo tregon se institucioni i vakëfit ka luajtur rolin e një rregullatori social, në përputhje me nevojat që një vend dhe popullsi e caktuar ka pasur në një kohë të caktuar.

Në periudhën osmane vakëfet në territorin e Shqipërisë kanë luajtur një rol multifunksional. Ato siç e shpjeguam edhe më sipër nuk ishin vetëm institucione bamirësie, që kishin si qëllim kryesor ardhjen në ndihmë të shtresave në nevojë, por ishin edhe bërthama urbane, qendra ku zhvillohej dhe kultivohej besimi, kultura dhe qytetërimi islam.

Studimi i kësaj tradite të shkëlqyer islame në Shqipëri, e cila fillon në shek. XV-XVI me ardhjen e osmanëve në Ballkan përbën një nevojë emergjente. Njohja e dinamikës së ndërtimit të institucioneve vakufnore në këtë periudhë do të ishte një bazë e forte për zhvillimin e mëtejshëm të saj.

3. Vakëfet në Shqipëri pas shkëputjes nga Perandoria Osmane 

Më 28 nëntor 1912, në qytetin e Vlorës u mbajt një kuvend kombëtar ku personalitete të njohur të vendit shqyrtuan rrethanat politike. Ata arritën në përfundimin se kishte ardhur koha që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane. Prandaj, në shenjë simbolike ngritën flamurin shqiptar dhe shpallën pavarësinë nga shteti osman.[14] Në rrethana tepër të vështira u krijua një qeveri e përkohshme me kryeministër Ismail Qemalin, e cila pati një aktivitet të kufizuar politik. Njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur nga Fuqitë e Mëdha u shoqërua me krijimin e institucioneve kombëtare. Megjithatë, zyrtarisht në aspektin fetar ajo ende vazhdoi të mbetej e varur nga Kalifati Osman. Ndërsa de fakto këto lidhje ishin shkëputur. Kjo i shtyu disa hoxhallarë, që të fillonin përpjekjet për organizimin e bashkësisë islame. Por rrethanat tepër të vështira, që u krijuan për shkak të Luftës së Pare Botërore e penguan këtë nismë.

Në vitin 1917, ushtria pushtuese austro-hungareze, e cila kontrollonte Shqipërinë Veriore dhe të Mesme hartoi një rregullore për funksionimin e bashkësisë islame[15], e cila përbëhej nga 43 nene dhe deri në vitin 1923 luajti rolin e një statuti. Sipas rregullores, në krye të bashkësisë myslimane dhe të organizimit të Sherisë në Shqipëri ishte Myftiu i Përgjithshëm. Nën kryesinë e tij, ishin të gjithë hoxhallarët dhe Gjyqtarët e Sherisë, ashtu dhe të gjithë zyrtarët e tjerë. Myftiu i Përgjithshëm kishte drejtimin dhe kontrollin mbi të gjitha çështjet e myslimanëve, mbi institutet e bamirësisë (vakëfet) dhe të arsimit. Bashkë me Myftiun e Përgjithshëm, pranë tij si ndihmës qëndronin dhe dy ulema. Këta të dy, bashkë me Kryemyftiun përbënin Këshillin e Naltë. Ky këshill ishte shkalla më e lartë për çështjet e besimit dhe të gjyqësisë. Ai kishte të drejtë të zgjidhte gjyqtarët e Sherisë, imamët, hatibët, hoxhallarët, mësuesit e besimit dhe nëpunësit e tjerë.[16] Në rregullore parashikohej ruajtja dhe funksionimi i gjykatave të sheriatit, të cilat do ta ushtronin veprimtarinë e tyre mbi bazën e jurisprudencës islame. Këto gjykata do të ishin nën varësi të Këshillit të Naltë. Një rëndësi e veçantë iu kushtua organizimit të vakufeve. Për këtë u krijua një drejtori e veçantë. Me propozim e kësaj drejtorie u bënë përpjekje për të përkthyer nga gjuha osmane në shqip disa rregullore, që kishin si qëllim t’u shërbenin komisioneve të vakufeve nëpër rrethe për kryerjen me korrektesë të detyrave të tyre.[17] Megjithatë përfundimi i Luftës së Parë Botërore krijoi rrethana të reja politike për Shqipërinë. Prandaj, puna e bashkësisë islame për organizimin e vakufeve në këtë periudhë nuk vazhdoi më tej.

Më 24 shkurt 1923, në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi Mysliman Shqiptar.[18] Në Kongres merrnin pjesë 36 delegatë.[19] Që në mbledhjen e parë të delegatëve, Haxhi Vehbi Dibra, u zgjodh Kryetar i Kongresit Mysliman dhe punimet u zhvilluan nën kryesinë e tij. Në fjalën e hapjes, ai, theksoi karakterin liberal e demokratik të fesë islame.[20] Kongresi vendosi shkëputjen zyrtarisht të bashkësisë islame nga Kalifati Osman dhe miratimin e një statuti mbi bazën e të cilit do të funksiononte Komuniteti Mysliman Shqiptar. Në statutin e ri një vend i posaçëm i kushtohej edhe organizimit dhe administrimit të vakëfeve. Sipas nenit 32, vakëfet do të menaxhoheshin nga një drejtor i përgjithshëm, që do të zgjidhej nga Kongresi i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve do të ishte e lidhur me Këshillin e Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman. Ajo do të kishte në organikë një drejtor, një sekretar, një arkëtar dhe një ndihmës. Në Prefektura dhe nënprefektura do të emëroheshin nëpunës të veçantë, të cilët do të bashkëpunonin me myftinjtë. Rrogat e nëpunësve të vakëfeve do të nxirreshin nga të ardhurat që rridhnin prej tyre.[21]

Nga dokumentacioni i shqyrtuar vihet re se organizimi i vakëfeve në Shqipëri pas shkëputjes nga Perandoria Osmane është realizuar me seriozitet dhe korrektësi. Të ardhurat që nxirreshin prej tyre shkonin në dobi të popullsisë, për ndërtimin dhe restaurimin e xhamive, shkollave dhe rrogave të personelit fetar.

Në raport me shtetin nga pikëpamja juridike dhe politike deri në vitin 1945, nuk ka pasur asnjë pengesë apo problem. Komuniteti Mysliman Shqiptar ka pasur të gjitha hapësirat e nevojshme për t`i administruar vakëfet në përputhje me nevojat e veta.

Në periudhën nga viti 1923-1945, legjislacioni për menaxhimin e vakëfeve erdhi duke u perfeksionuar. Komuniteti Mysliman Shqiptar hartoi regjistra të posaçëm ku evidentoheshin qartë vendi se ku ndodheshin vakëfet, gjendja fizike e tyre dhe të ardhurat vjetore që ato sillnin. Kjo dëshmon për një kulturë të lartë juridike, përgjegjësi dhe ndershmëri të personaliteteve të Komunitetit Mysliman Shqiptar në këtë periudhë historike.

4. Vakëfet në periudhën e regjimit komunist (1945-1967)

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ashtu si e gjithë ekonomia shqiptare në përgjithësi, edhe ekonomia vakëfnore u përball me një krizë të thellë. Ajo u shkaktua nga dy faktorë kryesorë:

Nga prapambetja e trashëguar

Nga dëmet që pësoi vendi gjatë pushtimit italian dhe gjerman. Por në këtë proces ndikimi të madh negativ patën reformat e para ekonomike të ndërmarra nga Partia Komuniste, të cilat prekën pronat vakëfnore.[22]

Në vitin 1945 në Shqipëri u instalua regjimi komunist. Kjo solli për pasojë fillimin e një fushate antifetare, e cila synonte kufizimin e veprimtarisë së bashkësisë islame, e më pas eliminimin përfundimtarë të saj. Megjithatë, bashkësia islame shqiptare bëri përpjekje maksimale për rigjallërimin dhe normalizimin e shërbimeve e të jetës fetare dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë vakëfnore, e cila mbështetej në pronat e paluajtshme dhe të luajtshme që zotëronin institucionet fetare. Komuniteti Mysliman Shqiptar, zotëronte prona të mjaftueshme që siguronin dhe garantonin vazhdimësinë normale e të plotë të veprimtarisë së institucioneve fetare. Prona vakëfnore ishte e llojeve te ndryshme. Por vendin kryesorë, si pronë e paluajtshme, pas xhamive, e zinin tokat, vreshtat, ullishtat, dyqanet, punishte artizanale, etj. Në këtë periudhë kishte dhe prona të luajtshme, si kope me bagëti të llojeve të ndryshme. Karakteristike kryesore e kësaj periudhe ishte fakti se te ardhurat nga prona vakëfnore zvogëloheshin vit pas viti.[23]

Regjimi komunist për të goditur Komunitetin Mysliman Shqiptar në aspektin ekonomik, nuk hezitoi të nxiste një grup personash në vitin 1945, që të krijonin një komision të posaçëm në qytetin e Vlorës për administrimin e vakëfeve. Ky komision do të vepronte i pavarur nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve në Tiranë.[24] Veprimin e tyre ky grupim e justifikonte me faktin se me të ardhurat e vakëfeve në radhë të parë duhej të plotësoheshin nevojat lokale. Gjithsesi dukej hapur se politika e qeverisë komuniste synonte nxitjen e diversionit midis radhëve të bashkësisë islame.

Një vështirësi tjetër e institucioneve vakëfnore në këtë periudhë ishte se një pjesë e tyre përdorej nga shteti për interesa publike. Ky veprim nuk bazohej në asnjë ligj dhe rregullore të kohës. Ai ishte një akt arbitrar, i cili një pjesë të vakëfeve i nxori jashtë funksionit të tyre normal. Nga këto prona nuk përfitonin më as besimtarët myslimanë dhe as zyra financiare e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kjo i shtyu disa drejtues fetarë, që t`i drejtonin qeverisë dhe administratës lokale ankesa. Por pavarësisht këtyre ankesave, situata erdhi duke u përkeqësuar. Kështu, në vitin 1947 xhamia e qytetit të Peqinit u përdor si kapanon për punëtorët që merreshin me ndërtimin e hekurudhës. Ndërsa institucionet vakëfnore, si zyra për administratën. Kjo e shtyu Komunitetin Mysliman Shqiptar të protestonte ashpër, duke e konsideruar këtë si fyerje, që i bëhej besimtarëve në një qytet ku nuk kishte asnjë xhami tjetër për të kryer ritin e faljeve. Megjithatë arbitrariteti i shtetit vazhdoi duke shkelur të gjitha të drejtat universale.

Një metodë tjetër abuzive, që ndoqi qeveria komuniste për konfiskimin e vakëfeve ishte shpallja e tyre si monument kulture. Kjo synonte paralizimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin fetar. Kështu u veprua për shembull me xhaminë e Plumbit në qytetin e Vlorës, e cila u konsiderua si objekt me vlera artistike. Shembuj të ngjashëm vihen re në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Një goditje jashtëzakonisht të rëndë vakëfet e morën nga Reforma Agrare e vitit 1945. Ky ligj legjitimonte ndërhyrjen e shtetit në pronat fetare dhe përdorimin e tyre në funksion të politikës ekonomike të regjimit komunist.[25] Ministria e Bujqësisë udhëzoi administratën lokale, që në ato zona ku bujqit nuk kishin tokë të mjaftueshme të përdoreshin vakëfet. Kjo padrejtësi nuk mbështetej në asnjë bazë juridike shqiptare dhe ndërkombëtare. Në përfundim të Reformës Agrare sasia e pronave vakëf kishte pësuar një rrudhje të ndjeshme. Më 7 nëntor 1946, Komuniteti Mysliman Shqiptar hartoi një raport ku pasqyroheshin të gjitha problematikat. Sipas këtij raporti 155 xhami në qytete të ndryshme të Shqipërisë Reforma Agrare i kishte shpronësuar tërësisht. Ndërkohë që më parë ato kishin në pronësi të tyre nga 4 deri në 220 dynym tokë.[26]

Një goditje tjetër që regjimi komunist i dha vakëfeve ishin edhe pasojat që vinin nga politika fiskale. Kështu, më 31 mars 1945 u miratua ligji “Mbi tatimin e fitimit”,[27] i cili tatonte të gjitha llojet e pasurisë duke përfshirë edhe rrogat e nëpunësve. Regjimi komunist përfshiu në listën e tij fiskale edhe vakëfet, pavarësisht se ato ishin institucione bamirësie.

Masat represive mbi institucionet fetare dhe vakëfet vazhduan të shtoheshin vit pas viti, duke e ngushtuar aq shumë sferën e veprimtarisë së tyre sa që mbyllja e tyre do të vinte vetvetiu. Kjo ndodhi në vitin 1967 kur në shembullin e Revolucionit Kulturor Kinez feja u ndalua me ligj, xhamitë u shkatërruan, ndërsa vakëfet u konfiskuan nga shteti. Në kushte të tilla ekzistenca e tyre mori fund. Kjo vazhdoi deri në vitin 1991, kur regjimi komunist ra në të gjitha vendet e Evropës Lindore.

5. Vakëfet pas vitit 1991 deri në ditët e sotme

Me vendosjen e pluralizmit politik institucionet fetare në Republikën e Shqipërisë rifilluan aktivitetin e tyre normal. Por vështirësitë e Komunitetit Mysliman Shqiptar ishin të jashtëzakonshme. Kjo për faktin se shumica e xhamive ishin shkatërruar, personeli i kualifikuar mungonte, vakëfet e konfiskuara nga regjimi komunist nuk u kthyen plotësisht. Madje, mund të thuhet se ende sot e kësaj dite vetëm një përqindje e vogël e tyre i është rikthyer Komunitetit Mysliman Shqiptar. Legjislacioni i miratuar pas viteve 1990 ia shpërndau tokën fshatarëve, duke neglizhuar të drejtën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë mbi pronat vakëf. Një dukuri e tillë ndodhi edhe në qytete, ku për shkak të tranzicionit politik, individë të ndryshëm kanë përfituar padrejtësisht prona nga vakëfet. Megjithatë Komuniteti Mysliman ka punuar dhe vazhdon të punojë për evidentimin e dokumentacionit të vakëfeve. Një numër i konsiderueshëm gjyqesh dhe ankimimesh pranë gjykatave shqiptare lidhur me rikthimin e vakëfeve ndiqen me përpikmëri.

Çështja e pronës mbetet një ndër problemet kryesore në Shqipëri. Shteti shqiptar ka një institucion që merret me kthimin dhe kompensimin e pronave (AKKP). Origjina e saj daton që nga viti 1993, ku nga institucion lokal i decentralizuar në rrethe u shndërrua në institucion të centralizuar.

Sistemi i pranimit të dosjeve ka ndryshuar disa herë me ndryshimin e qeverive, gjë e cila përbën problem për vlerësimin e dosjeve të pronave. Aktualisht gjenden afër 490 dosje ku shumë prej tyre kanë brenda disa prona për trajtim.

 

6. Xhamitë

Para komunizmit në Shqipëri numëroheshin mbi 1.700 xhami. Pas 1967 shumica e tyre u shkatërruan dhe pas vitit 1990, u ndërtuan disa qindra të reja. Sot KMSH ka në administrim rreth 780 xhami gjithsej.

15% e tyre janë me dokument pronësie të rregullt. Nga pjesa e mbetur rreth 95 % e tyre janë futur për legalizim. Në qoftë se nuk do ketë ndryshime në ligj për favorizimin e kalimit në pronësi të KMSH-së të truallit pa pagesë, përballimi i legalizimit të këtyre xhamive në favor të KMSH-së do jetë i papërballueshëm, si rezultat i shifrës së larte ekonomike e llogaritur afërsisht 800.000 euro.

 

Konkluzione

Vakfet sot paraqesin një mori problematikash, për sa i përket kthimit dhe kompensimit të tyre, zhvillimit dhe investimit me ato ekzistuese, për t’i bërë ato të shfrytzueshme në dobi të institucionit, ku mund të sigurohen të ardhura financiare për burimet njerëzore, shkollat dhe medresetë, kurset dhe aktivitetet bamirëse, si dhe investimi në shumë vepra të tjera, konform rregullave dhe parimeve islame.

Prandaj në këtë aspekt, duhet një angazhim i përgjithshëm jo vetëm institucional, por edhe zyrtar dhe shtetëror, si dhe përkrahje ndërkombëtare, deri sa institucionet tona të ringritura nga hiri pas komunizmit të mund të vazhdojnë aktivitetin e vet në mënyrën më të mirë të mundshme.

[1] Tahir Dizdari, Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë: AIITC, 2005, f. 1074; Selçuk Akşin Somel, Osmanlı Imparatorluğu Ansiklopedisi, Istanbul: ALFA, 2014, s. 568-569.

[2] Mehmet Ali Ünal, Osmanlı müesseseleri tarihi, Isparta, 1997, s. 122.

[3] “Vakıf”, DIA Ansiklopedisi, C. 42, Ankara: D. I. Yayınları, 2012, s. 480.

[4] Ziya Kazıcı, Islam medeniyeti ve müesseseleri tarihi, Istanbul: Marmara Üniversitesi Ilahiyat Fakültesi Yayınları, 2003, s. 278.

[5]Në Shqipëri që nga viti 1923 vakëfet ishin dhe janë nën varësi të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

[6] Kujtim Nuro, Dokumente osmane në arkivat shqiptare, Durrës: Amfioni & Zeti, 2000, f. 1-104.

[7]Pjesa dërrmuese e dokumentacionit arkivor osman pjesë e të cilit janë edhe dokumentet lidhur me pronat vakëf ndodhet në gjendje aspak të mirë fizike, duke rrezikuar seriozisht memorien historike të shqiptarëve gjatë periudhës osmane. Vakëfnamet dhe dokumentet e gjykatave sherie të Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, etj., përbëjnë një argument bazë referencial për të ndërtuar dinamikën e zhvillimit të vakëfeve në trojet shqiptare. Shkatërrimi i tyre përbën një kërcënim serioz, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për historinë e qytetërimit islam në Ballkan. Shih: Gazment Shpuza, “Rreth regjistrave të kadinjve në Shqipëri (sixhilet e Beratit, Elbasanit, Korçës dhe Tiranës me shtrirje kohore ndërmjet shekujve XVI-XX)”, Perla, nr. 4, 1997, f. 31-42.

[8] Petraq Pepo, “Katër dekrete (fermane) të sultan Bajazitit II për mirahor Iljaz Beun”, Studime Historike, nr. 3, 1967, f.217-242; Selami Pulaha, “Materiale dokumentare osmano-turke në Arkiva shqiptare mbi Shqipërinë (shek. XV-XIX)”, Studime Historike, nr.3, 1966, f.133-148; Stavri Naçi, “Pashallëku i Shkodrës i pare në kuadrin e zhvillimit të tij ekonomik e shoqëror në shekullin XVIII”, Studime Historike, nr. 2, 1967, f. 55-77; Ferit Duka, Berati në kohën osmane (shek.XVI-XVIII), Toena, Tiranë: 2001.

[9]Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë-berati i Bajazitit të II dhe Vakëfnameja e mirahor Iljaz Beut”, Buletini për Shkencat Shoqërore, 1956, f. 271-272.

[10]Materiale dokumentare për Shqipërinë Juglindore të shekullit XVIII-fillimi i shekullit XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit), përgatiti: Petraq Pepo, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1981, f. 5.

[11] Kristo Frashëri, Historia e Tiranës, vëll. I, Tiranë: Toena, 2004, f. 472.

[12]Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH), Fondi 128, Dosje 21, fl. 59.

[13]AQSH, F. 128, D. 21. fl. 68.

[14]Historia e Shqipërisë, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1981, f. 497.

[15]HHSt.A.PA.A., Vj, 27-63, Rregullore provizore e organizimit të çështjeve të sheriatit në Shqipëri, Shkodër, 25 qershor 1917. Kjo rregullore u botua edhe në formën e një broshure nën emërtesën Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri, Shkodër 1917.

[16]HHSt.A.PA.A., Vj, 28-70, Qarkore dërguar të gjithë qark-komandave mbi vendimin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit, Shkodër, 14.6.1918.

[17]HHSt.A.PA.A., Vj.28-67, Raport i komisarit civil Kral për MPJ Kontit Burian në Vjenë, Shkodër, 23.3.1918.

[18] AQSH, F. 882, V. 1923, D.4, fl. 11.

[19]Po aty, fl. 16-17.

[20] Gazment Shpuza, “Rëndësia dhe mesazhi i Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923”, Perla, Viti XI 2006, Nr. 2 (41), f. 107.

[21]AQSH, F.482, V.1923, D.3, fl. 195-197.

[22] Shyqyri Hysi, Myslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, Tiranë: Mësonjëtorja, 2006, f. 107.

[23]Po aty, f. 108.

[24]AQSH, F. 482, V. 1945, D. 62, fl. 7.

[25] Shyqyri Hysi, “Reforma Agrare dhe Komuniteti Mysliman”, Kërkime universitare, Gjirokastër, nr. 6, 2002, f. 127-134.

[26]AQSH, F. 482, V. 1946, D. 224, fl. 3.

[27]Ligji “Mbi tatimin e fitimit”, Gazeta Zyrtare, nr.7, 31.3.1945.

Referenca

Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë (AQSH)

Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë

Dizdari, Tahir, Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë: AIITC, 2005.

Somel, Selçuk Akşin, Osmanlı Imparatorluğu Ansiklopedisi, Istanbul: ALFA, 2014.

Ünal, Mehmet Ali, Osmanlı müesseseleri tarihi, Isparta, 1997.

“Vakıf”, DIA Ansiklopedisi, C.42, Ankara: D.I.Yayınları, 2012.

Kazıcı, Ziya, Islam medeniyeti ve müesseseleri tarihi, Istanbul: Marmara Üniversitesi Ilahiyat Fakültesi Yayınları, 2003.

Nuro, Kujtim, Dokumente osmane në arkivat shqiptare, Durrës: Amfioni&Zeti, 2000.

Shpuza, Gazment, “Rreth regjistrave të kadinjve në Shqipëri (sixhilet e Beratit, Elbasanit, Korçës dhe Tiranës me shtrirje kohore ndërmjet shekujve XVI-XX)”, Perla, nr.4, 1997.

Pepo, Petraq, “Katër dekrete (fermane) të sultan Bajazitit II për mirahor Iljaz Beun”, Studime Historike, nr.3, 1967.

Pepo, Petraq, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë-berati i Bajazitit të II dhe Vakëfnameja e mirahor Iljaz Beut”, Buletini për Shkencat Shoqërore, 1956.

Pulaha, Selami, “Materiale dokumentare osmano-turke në Arkiva shqiptare mbi Shqipërinë (shek.XV-XIX)”, Studime Historike, nr.3, 1966.

Naçi, Stavri, “Pashallëku i Shkodrës i pare në kuadrin e zhvillimit të tij ekonomik e shoqëror në shekullin XVIII”, Studime Historike, nr.2, 1967.

Duka, Ferit, Berati në kohën osmane (shek.XVI-XVIII), Tiranë: Toena, 2001.

Materiale dokumentare për Shqipërinë Juglindore të shekullit XVIII-fillimi i shekullit XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit), përgatiti: Petraq Pepo, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1981.

Frashëri, Kristo, Historia e Tiranës, vëll.I, Tiranë: Toena, 2004.

Historia e Shqipërisë, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1981.

Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri, Shkodër 1917

Shpuza, Gazment, “Rëndësia dhe mesazhi i Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923”, Perla, Viti XI  2006 Nr. 2 (41).

Hysi, Shyqyri, Myslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, Tiranë: Mësonjtorja, 2006.

Hysi, Shyqyri, “Reforma Agrare dhe Komuniteti Mysliman”, Kërkime universitare, Gjirokastër, nr.6, 2002.

Ligji “Mbi tatimin e fitimit”, Gazeta Zyrtare, nr.7, 31.3.1945.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne