Vakëfi, vlerë e paçmuar social-humane, fatkeqësisht e pambrojtur tek ne

nga Ismail Bardhi.

Vakëfi është një e mirë e përgjithshme dhe bie nën kategorinë e vlerës së përhershme. Prona e lënë vakëf bëhet pronësi e Allahut dhe iu jepet në menaxhim njerëzve. Ndër veprat e bamirësisë më e mira është ajo pasojat e së cilës janë më afatgjata, e ajo kohëzgjatje te vakëfi është e pakufizuar. Lënia vakëf është edhe një formë e veçantë e arritjes së njërit nga parimet më qenësore shoqërore-morale të Islamit, e kjo është sakrifikimi për të mirën e përgjithshme. Por, nuk duhet harruar se lënia vakëf ka qenë traditë edhe para Islamit, që është praktikuar nga profetët e Zotit, dhe nga ithtarët e tyre. Shekulli XX nuk mund të flasë për institucionin e vakëfit, përpos për atë se si është shkatërruar, vjedhur dhe harxhuar ai; këtë për fat të keq e kanë ndihmuar edhe vetë institucionet që janë ndërtuar dhe ndihmuar në mënyrë materiale që të ekzistojnë pikërisht nga vakëfi. Sistemi komunist për këtë ka qenë kapak i çdo gjëje, kohë kur janë sjellë vendime, janë miratuar ligje për uzurpimin, shpronësimin dhe shtetëzimin e vakëfit. Në kohën tonë kjo traditë ka filluar ta harrohet dhe, ç’është edhe më e keqe dhe e rrezikshme, në vend që pronat të lihen vakëf, edhe ato pak vakëfe që kanë mbijetuar dhe që kanë mundur të rikthehen po tjetërsohen dhe shiten; thënë me gjuhën e sotme: uzurpohen tokat “pa pronar” nga ministritë dhe ministrat.

Shpronësimi i shpronësuesve

Tani t’i kthehemi kohës kur nën parullën se: “toka u takon atyre që e punojnë”, pushteti i ri komunist me Ligjin për Reformën Agrare dhe Kolonizimin të 23 gushtit 1945, të cilin e miratoi Kuvendi i Përkohshëm Popullor i Jugosllavisë Demokratike Federative (JDF), mori hapësira të stërmëdha toke. Marrja e tokës bashkësive fetare u shpjegua, mes tjerash, me ndërtimin e unitetit të ardhshëm të popujve jugosllavë.

Në Jugosllavinë e paraluftës prona e Bashkësisë Islame me cilësinë e vakëfit paraqiste potencial ekonomik të madh. Në hapësirën e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi në vitin 1933 janë regjistruar 872 vakëfe. Në ato vise fuqia ekonomike e vakëfeve ishte reduktuar në masë gjatë dy dekadave të Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene (Jugosllavisë), për shkak të konfiskimit të paligjshëm të pronës së vakëfit apo keqpërdorimit të drejtuesve dhe shfrytëzuesve të papërgjegjshëm. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, sipas të dhënave nga viti 1938, kishte 1.647 vakëfe për të cilat miratoheshin 968 buxhete të veçanta. Në atë hapësirë vakëfi konsiderohej si pronar privat më i madh.

 

Rrëmbimi me dhunë i pronës së vakëfit u krye përmes reformës agrare, shtetëzimit dhe shpronësimit të pronës private. Përmes reformës agrare nga pronarët e deriatëhershëm u morën disa pasuri bujqësore dhe u kaluan në pronësi shoqërore, respektivisht iu dhanë sidomos personave të caktuar. Bashkësia Islame mbeti pa pronë dhe ajo mbijetoi vetëm falë kontributeve vullnetare të anëtarëve të saj.

Aktiviteti i organeve të Bashkësisë islame

Aktiviteti i Bashkësisë Islame në aspekt të kthimit të pronës së vakëfit të marrë me dhunë filloi krahas me paralajmërimin e procesit të reformës ekonomike, politike dhe juridike në Jugosllavi. Funksionarët më të lartë të Bashkësisë ua parashtruan kërkesat përkatëse organeve politike. Operacionalizimi i atyre kërkesave pasoi me vendimin e Kuvendit Suprem të Bashkësisë Islame të RSFJ-së të datës 06.11.1990, me të cilën u angazhuan meshihatet që deri në fund të Ramazanit (prill) 1991 të përpilojnë listën e të gjitha patundshmërive të vakëfit në territoret e tyre, si ato të marra pas vitit 1945, ashtu edhe atyre që ishin ende në pronësi të Bashkësisë Islame. Kuvendi Suprem do t’iu dërgonte organeve federale kërkesë për kthimin e pronës së marrë, ndërsa kuvendet në republikat e veçanta do t’i dërgonin kërkesë autoriteteve kompetente republikane.

Meshihati në Shkup i parashtroi kërkesë qeverisë së Maqedonisë për kthimin e pronës së tërësishme vakëfore të marrë. Si shembull i korrespondencës midis Bashkësisë Islame të Maqedonisë me organet shtetërore për kthimin e disa objekteve sakrale të shtetëzuara, po e cekim një shkresë nga BI, të datës 22.05.1991, drejtuar Kuvendit të RS të Maqedonisë, ku kërkohet kthimi i (1) objekteve fetare të shtetëzuara: Jeni Xhamisë në Manastir (që shfrytëzohej si galeri artistike); Hajdar Kadi xhamisë, po ashtu në Manastir (që shfrytëzohej si magazinë për verëra); Zibija – kërëk xhamisë ne Prilep (e shfrytëzuar si magazinë); Mesxhidi në Manastir (i shfrytëzuar si hapësirë afariste); (2) objekte fetare të uzurpuara: Harabati Baba teqeja në Tetovë (e shfrytëzuar pjesërisht si restorant, e pjesërisht si muze); dhe (3) objekte fetare të rrënuara, monumente kulture…

Kësaj kërkese Qeveria e RS të Maqedonisë, në bazë të shkresës nga Ministria e Financave nr. 12-2283/1, të datës 29.05.1991, i përgjigjet me shkresën e datës 08.07.1991, ku ndër të tjerat thotë:… Qeveria e Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e mbajtur më 06.07.1991, e shqyrtoi Kërkesën e Kryesisë së Bashkësisë islame në RM për kthimin e objekteve fetare të BI-së dhe në bazë të mendimit të Ministrisë së Financave  konstatoi se: Kërkesa e Kryesisë së BI për kthimin e xhamive të cekura është e pasaktë dhe jokomplete, për çka nuk mund t’i përgjigjet nga aspekti pronësor-juridik dhe të propozohet zgjidhje e duhur për këtë çështje…

Thuhet se atë që bën keqpërdorimin e vakëfit, Allahu e mallkon. Thënia më e rëndësishme dhe e prerë e fesë islame është se vakëfi nuk guxon të shitet, të tjetërsohet, dhe të keqpërdoret; si duket, fatkeqësisht,  ky mallkim është evident për muslimanët e Maqedonisë. Çdo sistem qartazi e ka legalizuar vjedhjen, uzurpimin e vakëfit.

***

Si formohej vakëfi?…

Për fat të keq, vakëfet, edhe vakëfnamet janë asgjësuar dhe zhdukur, por megjithatë, nëpër arkivat kemi mundësi t’i gjejmë dokumente. Ja një prej vakufnameve, që, fatkeqësisht, sot nga ato nuk ka asnjë gjurmë në formë vakëfi:

Vakëfet e Kaçanikli Mehmed Pashës

“Meqë është ashtu, banori i mëhallës “Qatip Shahin”, në Shkupin e ruajtur nga Zoti – Zoti e ruajttë nga fatkeqësia dhe vuajtja, këtë ndërtues objektesh bamirësie dhe bamirës, komandant të komandantëve fisnikë, Kaçanikli Mehmed-pashën – Zoti ia bëftë të lehtë atë që ai e dëshiron në të dy botët, iu drejtua kësaj gjykate të ndershme të Sheriatit – Zoti e shpëtoftë ligjvënësin e Tij (Muhammedin) dhe e bëri të drejtë deklaratën sheriatike dhe pohimin e zakonshëm të qartë, duke thënë:

Nga prona ime më e mirë dhe fitimi më i bukur dhjetë mijë e gjashtëqind (dukate) që, duke i llogaritur nga njëqind e njëzetë (bëjnë) dymbëdhjetë herë nga njëqind mijë para të tanishme, tani akçe (aspre), në emër të Zotit, dhe duke kërkuar shpëtimin hyjnor të Tij, i lashë vakëf dhe premtova.

Po ashtu në mëhallën e sipërpërmendur lashë vakëf edhe një kuzhinë, qilar, kullë dhe hambarë që i kam ndërtuar brenda oborrit, si dhe dhomat e sipërme dhe të poshtme që janë jashtë oborrit, bodrum, veçmas atyre që gjenden nga të dyja anët dhe 35 copë shpata argjendi, një palë yzengjish bakri të mia, dy palë yzengjish Rumelie prej argjendi të mia, dhe një të tretën e pronës.

Po ashtu e lashë vakëf dhe e premtova çifligun tim që gjendet në fshatin e quajtur Zllokuqani në vakëfin e Isa beut; vende dhe ara që janë në tokën e qytetit, ndërsa i përkasin çifligut të sipërpërmendur; edhe kulla që është brenda oborrit, pemët, furra me tre hambarë dhe me qilar me dy bodrume jashtë oborrit dhe shtëpi çifçiu, edhe buallica, krerë të imët, një tufë kuajsh me të gjitha aletet e imëta dhe të mëdha që i përkasin çifligut; edhe bahçe që gjendet pranë çifligut nga pjesa e poshtme, afër kashtores (ahurit); edhe bahçja në pjesën e sipërme të rrugës, e blerë nga i ndj. Vrazhnik ku rishtas është ndërtuar hendeku i ujit i nxjerrë nga lumi Lepenc, i cili (ujë) rrjedh përmes bahçes që kufizohet nga njëra anë me rrugën e përgjithshme, ndërsa nga ana tjetër me shtëpinë e të ndjerit Turhan dhe bahçen e tij; dhe gjithsej nëntë mullinj të mi në lumin Lepenc, që gjenden në fshatin e sipërpërmendur pranë çifligut.

Dhe çiflig me kufij të ditur nga popullata, karshi Vardarit, me gjithë atë që i përket, me arat dhe çairet, që më parë, pas vdekjes së të ndjerit Uvejs Çelebi, u bë prikë e gruas Fatime, dhe i kaloi Ibrahim Çaushit, e më pas u ble nga djemtë e tij;

po ashtu edhe mullinjtë e çifligut të sipërpërmendur, të blerë nga djemtë e Ibrahim Çaushit që u përmend me gjithë atë çka ka brenda dhe jashtë oborrit të çifligut të sipërpërmendur, me bahçen dhe të tjerat që i përket çifligut, me krerët e imët, fermën e kuajve dhe aletet.

Edhe hendeku i ujit i sapondërtuar nga lumi Vardar, që rrjedh pranë mëhallës rome; edhe gjashtë mullinj të sapondërtuar në arën e blerë nga Kaukçi Omeri, uji i të cilit rrjedh drejt mullirit në fshatin e quajtur Akbash. Nëse do të jem gjallë, në rrjedhën e përmendur të ndërtohen katër mullinj për trinim. Nëse me urdhër të Zotit më vjen vdekja, nga shuma e parave të lëna vakëf dhe të premtuara, të ndërtohen ato. Nëse nuk do të ketë mjaftueshëm nga teprica, të ndërtohet mulli për trinim nga borxhi i njerëzve nga kapitali i parave.

Po ashtu kam lënë vakëf dhe kam premtuar në njërën pjesë të qytetit të sipërpërmendur (Shkupit), në fshatin e quajtur Gllumovë, një mulli tjetër me gjashtë gurë që e ndërtova rishtas;

ndërsa në grykën e quajtur Kaçanik një mulli tjetër me tre gurë mbi lumin e sipërpërmendur Lepenc që rrjedh përmes vendbanimit të quajtur Kaçanik, e që rishtas e ndërtoi bamirësi im dhe arsyeja për lulëzimin tim, i ndjeri merhum Sinan-pasha – Zoti ia ndriçoftë varrin.

Edhe dhomat e beqarëve që rishtas i ndërtova pranë teqesë Gyreshçiler, numri i të cilave është njëzetë. Për secilën dhomë të saj le të jetë çdo ditë nga një akçe, bashkë me bodrumet e dhomave dyert e të cilave do të kufizohen nga ana e djathtë me dyqanin e nallbanit, e nga ana e majtë me dyqanin e samarxhiut.

edhe raftin e furrës që gjendet përballë xhamisë së ndershme të Jahja-pashës në vakëfin e të ndjerit të sipërpërmendur që kufizohet nga njëra anë me dyqanin e nallbanit, ndërsa nga ana tjetër me dyqanin e rrobaqepësisë dhe rrugën e përgjithshme;

edhe furrën për bukë pranë urës mbi lumin Vardar, të blerë nga djemtë e hoxhës, që kufizohet nga njëra anë … (zbrazët), nga tjetra … (zbrazët), ndërsa nga ana përballë me hanin e Daut pashës.

edhe furrën nën kalanë që kufizohet nga njëra anë… (zbrazët) dhe nga ana tjetër… (zbrazët)

dhe më tutje, në fshatin e quajtur Vodno, 30 shate, vreshta me kufij të njohur për popullatën;

po ashtu edhe një copë çair, të blerë nga përfaqësuesi i fiskusit shtetëror, pas vdekjes së të ndjerit Kivaz Emin,..gjemë vakëfname.

***

Vakëfi, si institucion, si qasje dhe politikë e hershme sociale

Vakëfet nuk fillojnë me Islamin*). Mesopotamia e Lashtë, Greqia, Roma dhe arabët, para Islamit, kanë patur njohuri për këtë institucion. Pronat e lëna vakëf para Islamit, kanë patur një influencë shumë të madhe te komunitetet e atyre kohërave. Lënia e një prone vakëf, ka për qëllim afrimin e individit me krijuesin.

Gjithashtu, ka qëllim të qënit i dobishëm për të gjithë njerëzit, për të gjitha krijesat, për të fituar dashurinë e Krijuesit dhe të krijesave.

Pas qytetërimit Islam, institucioni i vakëfit, është udhëhequr dhe udhëhiqet nga parimet Kur’anore dhe Profetike.

Më shumë se 200 ajete në Kur’anin Famëlartë, bëjnë fjalë për vakëfet. Pejgamberi kur iu dhurua një bahçe me hurma, urdhëroi që mbi të, të ndërtohej një mesxhid. Libri ynë i Shenjtë, nëpërmjet Pejgamberit na mëson se si mund të vihen në jetë thëniet Kur’anore, të cilat së pari janë praktikuar nga vetë Profeti i Zotit.  Qëllimi është i vetëm: Fitimi i kënaqësisë së Zotit!

Jam i sigurtë se në këtë simpozim, kolegët do ta trajtojnë me detaje çështjen e vakëfit, por shkurtimisht desha t’i them disa fjalë në lidhje me vakëfet në territorin shqiptar.

Krijimi i vakëfeve në territoret tona, filloi pas ardhjes së Osmanëve në Ballkan, duke nisur nga gjysma e dytë e shekullit ’15. Këto institucione kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën sociale, ekonomike dhe fetare të popullsisë shqiptare. Madje, nga studimet e ndryshme rezulton se disa nga qendrat urbane mesjetare shqiptare, janë krijuar nga vakëfet.

Kjo vlen edhe për Tiranën!

Vakëfet janë pjesë e jetës dhe e  kulturës disa shekullore ekonomiko-sociale të Perandorisë Osmane, me shtrirje në të gjithë territorin e saj, rrjedhimisht edhe në Ballkan dhe në Shqipëri. Vakëfi ishte mishërim institucional i solidaritetit islam social të bamirësisë, pasuri e individëve të veçantë dhe institucioneve fetare myslimane, që përfshinte toka, shtëpi, dyqane, të holla, etj. nga dhurimet e sulltanit dhe të besimtarëve të tjerë myslimanë, sipas rregullave të caktuara të vakufimit. Çdo mysliman kishte të drejtë të kthente në vakëf çdo lloj prone private duke caktuar si do të përdoreshin të ardhurat prej saj. Kusht themelor ishte që një pjesë e këtyre të ardhurave të shkonte në dobi të një institucioni fetar, një pjesë tjetër mund të shkonte për ndërtime publike, rrugë, çezma, ndërtesa.

Vakëfi ishte i paprekshëm nga shteti. Ai që e kishte si pronë vakëfin mund ta përdorte për vete dhe trashëgimtarët, duke hequr edhe pjesën për bamirësi. Administratori  vakëfit quhej myteveli.

Osmanët themeluan vakëfet për të lehtësuar problemet me të cilat përballej popullsia, duke përfshirë pothuajse gjithçka deri në imtësitë e jetës së individëve, madje edhe kafshëve.

Vakëfi më i madh dhe me shumë fshatra në Shqipëri ishte ai i Korçës, i lënë nga feudali i madh Ilias Bej Mirahori në fund të shekullit të 15-të. Vakëfet në Shqipëri, por edhe në të gjithë Ballkanin, mbetën në fuqi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Historia e Institucionit te Vakëfit në Shqipëri mund të periodizohet në dy periudha :

  1. Vakëfet gjatë Periudhës Osmane, numri i të cilave nuk ka qënë i pakët. Si vakëfi më i hershëm njihet vakëfi i dhuruar nga Sulltan Bajaziti II, Iljas Bej Mirahorit në vitin 1505. Për këtë temë, do të flasi më detaje, Drejtori i Shoqatës së Vakëfeve, z. Petrit Zeneli.

 

  1. Vakëfet pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 1912.

Kjo periudhë ndahet ne 4 etapa kryesore  :

  1. Vakëfet e viteve 1912-1944. Ndërkohë, gjatë viteve 1920-1944 ra në sy një shtim i numrit të vakëfeve shqiptare.
  2. Vakëfet gjatë periudhës së viteve 1945-1967. Koha pas përfudimit të Luftës së II Botërore dhe fillimi i instalimit të komunizmit në Shqipëri.
  3. Vakëfet gjatë periudhës së viteve 1967-1991. Periudha komuniste, në të cilët u mbajt i njëjti kriter si për vakëfet muslimane, ashtu edhe për ato të krishtera: shtëtëzimi i tyre!
  4. Me ardhjen e demokracisë, filluan të riaktivizohen organizatat dhe institucionet fetare në vend dhe me themelimin e Komunitetit Musliman të Shqipërisë, një pjesë e vakëfeve që ishin të lira, pjesën kryesore të të cilave e përbëjnë xhamitë, iu rikthyen komunitetit. Por edhe pse Islami është një e drejtë e muslimanëve të këtij vendi, mbeti një e drejtë e pa organizuar mirë. Institucioni qëndror i tyre, KMSH, sado që të thuhet se ekziston, fatkeqësisht, në lidhje me çështjen e vakëfeve, mendojmë se nuk i ka zbatuar kriteret fetare në mirëmbajtjen apo tjetërsimin e tyre.

Mjafton te permend ketu rastin e vakefit të Sulejman Pashës themeluesit të qytetit të Tiranës, i cili në fillim ndërtoi një xhami, një furrë buke dhe një hamam.qe sherbyen si berthame per themelimin e qytetit. Kjo xhami u shemb në vitin 1944, pasi në vitin 1943 u dogj.

Vakëfi i kësaj xhamie, nga Komuniteti Musliman ne vitin 2007 u shit në një formë tepër skandaloze! Dhe ky nuk eshte nje rast i vetem.

 

Mendoj se me të vërtetë, gjendja aktuale e vakëfeve në Ballkan, ka mbetur në mëshirë të fatit.

Me organizimin e këtij simpoziumi mendojmë të vëmë në lëvizje sadopak, si drejtuesit e pushtetit vendor që të bëjnë të pamundurën që t’ua rikthejnë këto vakëfe institucioneve përkatëse, ashtu edhe institucionet përkatëse , që të bëjnë detyrën e tyre për mirëmbajtjen e vakëfeve.

Sot në Shqipëri, në formën e një politike sociale të mirëorganizuar, Vakëfi realizohet nëpërmjet fondacioneve dhe shoqatave humane dhe bamirëse.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne