Vandalizohet xhamia në Gjermani me slogane anti-turke

Sulmues të panjohur vandalizuan një xhami në qytetin lindor të Gjermanisë të Leipzigut të enjten në mëngjes, duke shkruar me spraj në mure slogane anti-turke.

Ismail Ozgan, kreu i Shoqatës së Xhamisë së Sulltan Eyupit tha për agjencinë Anadolu se një shenjë e madhe në hyrjen e ndërtesës ishte mbuluar me bojë të zezë nga sulmuesit, të cilët po ashtu kishin shkruar slogane fyese ndaj Partisë qeverisëse Turke për Drejtësi dhe Zhvillim (AK).

Ky ishte sulmi i tretë në Gjermani brenda një jave që sulmonte xhamitë dhe organizatat turke, në mes të një debati të nxehtë në vend për emigrantët turq dhe për referendumin e 16 prillit të Turqisë mbi kalimin në një sistem presidencial.

Bekir Altas, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Milli Gorus, një nga organizatat më të mëdha të komunitetit musliman turk në Gjermani, u bëri thirrje politikanëve dhe mediave të veprojnë me përgjegjësi.

“Diskutimet e vazhdueshme mbi sjelljen zgjedhore të emigrantëve turq në referendum po krijojnë një klimë armiqësore,” tha Altas në një njoftim për shtyp të enjten.

“Që nga shpallja e rezultatit të referendumit, ka pasur një rritje dramatike të sulmeve ndaj organizatave turke dhe muslimane”, shtoi ai.

Rreth 63% e turqve në Gjermani votuan në favor të një sistemi presidencial në Turqi, ndërsa rreth 39% votuan kundër. Ndër 3 milionë turq që jetojnë në ekonominë më të madhe të BE-së, 700,000 shkuan në votime.

Politikanët gjermanë, të cilët mbështetën fushatën Jo, argumentuan se mbështetja e madhe për Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe propozimin e tij për një sistem presidencial midis të riatdhesuarve ishte një shenjë se ata nuk ishin integruar mirë.

Disa politikanë të ekstremit të djathtë u bënë gjithashtu thirrje turqve që mbështetën fushatën Po për ta lënë Europën dhe për t’u kthyer në Turqi.

“Kjo retorikë po nxit një klimë armiqësore dhe po ngre një pykë mes njerëzve,” paralajmëroi Altas.

Të martën në mbrëmje, një xhami në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë të Freiburgut u sulmua nga vandalët, të cilët zhgarravitën simbole naziste në muret e xhamisë.

Edhe qendra sufiste osmane në Berlin u sulmua gjithashtu nga sulmues të panjohur të dielën, të cilët thyen dritaret e vendit të adhurimit.

Gjermania, një vend prej 81.8 milionë banorësh, ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Midis katër milionë muslimanëve në Gjermani, tre milionë janë me origjinë turke.

Vendi ka dëshmuar rritje të islamofobisë dhe të urrejtjes ndaj emigrantëve në vitet e fundit, të shkaktuara këto nga propaganda e partive ekstremiste dhe populiste, të cilat kanë shfrytëzuar frikën lidhur me krizën e refugjatëve.

Në vitin 2016, 91 xhami u sulmuan në të gjithë Gjermaninë, sulme që treguan një rritje të konsiderueshme të dhunës anti-muslimane. Në vitin 2015, janë raportuar 75 sulme të tilla, dhe në vitin 2014 ka pasur rreth 60 sulme që synonin xhamitë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne