Varroset humanisti dhe teologu Sead Ajruli

Në varrezat e fshatit Kamjan të Tetovës është varrosur humanisti dhe teolugu Sead Ajruli, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme si pasojë e lëndimeve të marra nga një aksident rrugor që ndodhi muajin e kaluar në Greqi.

Humanisti 44-vjeçar në varreza u përcoll nga mijëra njerëz, duke përfshirë qindra studentë dhe miq të tij të ardhur nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës, por edhe më gjerë. Varrimi i tij po ashtu mblodhi shumë teologë dhe personalitete të tjera të shquara nga rajoni dhe vendet e Evropës.

Namazi i xhenazes iu fal në oborrin e shtëpisë së tij nga profesori universitar dhe drejtues i Shtëpisë Botuese “Logos A”, Prof. Dr. Adnan Ismaili, ndërsa fjalim para pjesëmarrësve në varrim pati Myftiu i Tetovës, Qani Nesimi dhe hoxhë Husamedin Abazi nga Kosova, të cilët kujtuan edhe kontributet e Sead Ajrulit.

Hoxhë Ajruli njihet për kontributin e tij në edukimin e të rinjve, si dhe për aktivitetet humanitare duke ndihmuar skamnorët dhe nevojtarët e rajonit të Pollogut dhe më gjerë.

Lindi më 17 dhjetor të vitit 1974 në fshatin Kamjan të Tetovës. Shkollimin e mesëm e ndoqi në Medresenë “Isa Beu” në Shkup në vitet 1989-1993, ndërsa studimet i vazhdoi në Riad të Arabisë Saudite. Pas përfundimeve të studimeve në vitin 2005, ai u kthye në vendlindje për të kontribuar për vendin dhe shoqërinë.

Ai u aktivizua në disa organizata kulturore humanitare dhe gjatë të njëjtës periudhë kreu studimet e magjistraturës në Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke marrë titullin “Magjistër i Gjuhës dhe Letërsisë Arabe”.

I ndjeri nga fshati Kamjan i Tetovës pësoi në një aksident rrugor më 15 gusht dhe që nga ajo ditë mbahej nën përkujdesje intensive mjekësore në spitalet greke, për t’u transferuar më pas në Stamboll. Ai ndërroi jetë gjatë orëve të paradites së djeshme.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne