Vazhdojnë kërcënimet dypalëshe në krizën koreane

Koreja e Veriut ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do t’i bëjë të ndiejnë dhimbjen më të madhe të imagjinueshme, pas sanksioneve të reja të vendosura nga OKB. I dërguari i Penianit në OKB akuzoi Uashingtonin se po kërkon të shkojë drejt konfrontimit politik, ekonomik dhe ushtarak.

“Në vend që të bënte zgjidhjen e duhur me një analizë racionale mbi situatën në tërësi, regjimi i Uashingtonit synoi konfrontimin politik, ekonomik dhe ushtarak, i fiksuar me ëndrrën e hershme të goditjes së zhvillimit të forcës bërthamore të Penianit, që aktualisht është në fazë përfundimtare”, tha Han Tae Song, ambasadori i Koresë së Veriut në OKB. Më herët, SHBA kishin këmbëngulur për të shtuar presionin, në rast se Koreja e Veriut vazhdonte në rrugën e saj të rrezikshme. Sanksionet e OKB-së janë një përpjekje për të gjunjëzuar vendin, duke goditur kryesisht karburantet dhe të ardhurat për programet e tij të armatimeve. Ato godasin importet e naftës dhe eksportet e tekstileve dhe janë miratuar pas testit të 6 bërthamor të Koresë së Veriut, më herët këtë muaj. Rezoluta e re është miratuar në mënyrë unanime, pasi Rusia dhe Kina, aleatë të Koresë së Veriut, ranë dakord për sanksione më të buta nga ato të propozuara nga SHBA. Në tekstin fillestar flitej për ndalim total të importeve të naftës, një masë kjo e konsideruar nga disa analistë si destabilizuese për regjimin./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne