Vazhdojnë reagimet ndaj ndalimit të nikabit në Danimarkë

Protestat u organizuan nga nisma me emrin “Gratë në dialog” (Kvinder I Dialog), e krijuar nga aktivistë të majtë dhe gra të mbuluara. Tubimet u mbështetën jo vetëm nga myslimanët që jetojnë në Danimarkë, por edhe nga vetë danezët.

Protestuesit u mblodhën në Sheshin e Zi të lagjes Nörrebro të Kopenhagës, një lagje e banuar kryesisht nga emigrantët, duke i mbuluar fytyrat me perçe dhe maska me qëllim mbështetjen e grave që mbulohen. Maskat e ndryshme dhe të veçanta që kishin vendosur manifestuesit krijuan një pamje të larmishme.

Pas fjalimeve që u mbajnë në shesh një numër i madh protestuesish marshuan në drejtim të Rajonit të Policisë në Bellahöj dhe kur mbërritën këtu ata krijuan një zinxhir me njerëz dhe i bënë thirrje policisë që të merret me punë më serioze dhe jo me lëshimin e gjobave për femrat që mbajnë perçe dhe burka. Pas këtij marshimi grupi u shpërnda pa ndonjë incident.

Sipas ligjit që ka hyrë në fuqi më 1 gusht gratë që mbajnë burka dhe perçe në hapësirat publike në Danimarkë do të gjobiten deri në 1.000 korona (156 dollarë). Ndërsa ato që do ta shkelin ligjin më shumë se katër herë për çdo shkelje të re do të gjobiten me 10.000 korona (1.224 dollarë).

Biznesmeni me origjinë algjeriane, Rachid Nekkaz, i cili deri më tani ka paguar më shumë se 1.500 gjoba të tilla në mbarë Evropën, ka bërë të ditur se do të paguajë edhe gjobat në Danimarkë.

Sipas një studimi të Universitetit të Kopenhagës bërë në vitin 2010 numri i femrave që mbajnë perçe në Danimarkë ndryshon nga 150 në 200, dhe nga këto vetëm 3 mbajnë burkë.

Myslimanët përbëjnë rreth 7% të popullsisë së vendit me 5,7 milionë banorë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne