/Terry Eagleton/

Disa vjet më parë po më shoqëronte presidenti krenar i një universiteti tejet të avancuar teknologjikisht në Azi. Siç i kish hije një personazhi të tillë, e ndiqnin pas dy azganë me kostume të zinj, që më dukej sikur mbanin kallashnikovë poshtë xhaketave. Pasi foli gjithë patos për shkollën e re të biznesit dhe institutin e ri fringo të studimeve menaxheriale, presidenti pushoi për të më lejuar edhe mua të thosha dy fjalë lëvduese. Në fakt i vura në dukje se në universitetin e tij sikur nuk kishte asnjë degë studimesh kritike. Më pa i hutuar, a thua se e pyeta sa doktorata për kërcim në tub mbroheshin në vit, dhe ma preu shkurt: “Komenti juaj do të mbahet shënim.” Pastaj, nxori nga xhepi një pajisje të vogël të teknologjisë së lartë, e hapi dhe tha diçka në koreançe, me gjasë: “Hiqmani qafe!” Mbërriti një limuzinë e gjatë sa një fushë kriketi dhe presidenti u fut në derën e hapur nga azganët. Ndërsa shihja makinën që zhdukej në horizont, vrisja mendjen se kur do ta zbatonin urdhrin e ekzekutimit tim.

Kjo ndodhi në Korenë e Jugut, po mund të kishte ndodhur kudo në botë. Nga Keip Tauni në Rejkavik, nga Sidnei në Sao Paulo po zhvillohet një ngjarje e përmasave të mëdha, si Revolucioni Kuban apo pushtimi i Irakut: vdekja e ngadaltë e universitetit si qendër e kritikës humane. Universitetet, të cilat në Britani kanë një histori tetëqindvjeçare, janë përqeshur ngaherë, dhe jo fare pa të drejtë, si kulla të fildishta. Mirëpo largësia midis tyre dhe shoqërisë ka vlejtur jo vetëm për keq, por edhe për mirë: u ka mundësuar të reflektojnë mbi vlerat, qëllimet dhe interesat e një rendi shoqëror të lidhur fort e në mënyrë të ethshme me sipërmarrjet e veta praktike afatshkurtra për të pasur mundësi të ishte vetëkritik. Anembanë globit, kjo largësi kritike po zhduket pothuajse fare, ndërsa institucionet që kanë prodhuar Erazmin dhe John Milton-in, Einstein-in dhe Monty Python-ët po kapitullojnë përpara prioriteteve të vrazhda të kapitalizmit global.

Histori të tilla nuk do ta habisnin lexuesin amerikan. Fundja, Stanford-i dhe MIT-i[1] kanë qenë modelet e universitetit sipërmarrës. Sidoqoftë, ajo që ka lindur në Britani mund të quhet amerikanizim pa pasuri – së paku, pa pasurinë e sektorit arsimor privat amerikan.

Diçka e tillë po vihet re edhe në institucione tradicionalisht aristokratike si Oxford-i dhe Cambridge-i, kolegjet e të cilave u kanë pasë rezistuar deri në njëfarë mase presioneve ekonomike nëpërmjet thithjes së donacioneve të pamasa për shekujt të tërë. Disa vjet më parë, kur mora vesh se prej meje pritej që të sillesha më pak si studiues dhe më shumë si drejtor ekzekutiv, dhashë dorëheqjen nga një katedër e Universitetit të Oxford-it (ngjarje thuajse po aq e rrallë sa rënia e tërmetit në Edinburg).

Kur u futa në Oxford për herë të parë përpara 30 vjetësh, çdo profesionalizëm i kësaj natyre do të përçmohej në mënyrë patrice. Kolegët që e kishin pasur me nge mbarimin e doktoratës nganjëherë preferonin titullin “zoti” sesa “doktor”, meqenëse “doktor” tregonte se kishe bërë një punë të pahijshme për zotërinjtë. Botimi i librave konsiderohej punë vulgare. Mjaftonte të shkruaje një artikull të shkurtër një herë në dhjetë vjet mbi sintaksën e portugalishtes apo zakonet dietike të kartagjenasve të lashtë. Ca kohë më parë tutorët e kolegjeve nuk para e çanin kokën që të vendosnin orare tutoriale për studentët e tyre. Studentët, kur ta kishin me nge, thjesht i binin derës së dhomës për të pirë një gotë dhe bërë muhabet për shtatë palë qejfe për Jane Austen-in apo funksionin e pankreasit.

Sot, Oxbridge[2]-i ruan mjaft tipare të etosit të vet kolegjial. E vendosin donët[3] se ku do të investohen paratë e kolegjit, çfarë lulesh do të mbillen, cilat portrete do të varen në dhomën e përbashkët të studentëve më të vjetër dhe se si t’u shpjegohet më së miri studentëve se pse kanë harxhuar më shumë për qilarin e verës sesa për bibliotekën e kolegjit. Të gjitha vendimet e rëndësishme merren nga mbledhja e kolegëve, si dhe të gjitha çështjet – nga ato financiare e akademike tek ato të administrimit rutinë – drejtohen nga komitete të zgjedhura pedagogësh llogaridhënës ndaj trupës së përgjithshme të kolegëve. Vitet e fundit, ky sistem i admirueshëm vetëqeverisjeje është përballur me sulme centralizuese nga administrata e universitetit, të cilat më shtynë të iki q’andej; mirëpo pak a shumë sistemit i kanë mbajtur këmbët. Pikërisht për shkak se në pjesën më të madhe të tyre kolegjet e Oxbridge-it janë institucione paramoderne, tipare e tyre të vogla mund të shërbejnë si model i demokracisë së decentralizuar, pavarësisht privilegjeve të urryeshme që vazhdojnë të gëzojnë.

Mirëpo kudo gjetkë në Britani situata është krejt ndryshe. Në vend të vetëqeverisjes së pedagogëve, aty ligjin e bën burokracia bizantine, profesorë të rinj që bëjnë punën e lakeut dhe zv/kancelarë[4] që sillen si të ishin duke drejtuar General Motors-in. Profesorët e vjetër tanimë janë bërë menaxherë të vjetër dhe ngado të zë veshi punë auditi dhe llogarish. Librave – këtyre fenomeneve të kohës së qepës – po ua varin gjithnjë e më pak. Të paktën një universitet britanik e ka kufizuar numrin e rafteve që mund të mbajnë profesorët në zyrë në emër të shkurajimit të “bibliotekave personale”. Koshat e plehrave janë bërë po aq të rrallë sa intelektualët e Partisë së Çajit (Tea Party) në SHBA, përderisa letrës i ka kaluar koha.

Administratorët filistinë i mbushin kampuset me lloj-lloj logosh dhe hartojnë dokumente me një prozë barbare e gjysmanalfabete. Një zv/kancelar irlandezo-verior vendosi që të vetmen dhomë publike që kish mbetur në kampus, të cilën e ndanin së bashku stafi dhe studentët, ta kthente në dhomë ngrënieje ku do të sajdiste pecot dhe sipërmarrësit lokalë. Kur studentët zaptuan dhomën në shenjë proteste, ai urdhëroi truprojat që të shembnin të vetmen banjë aty pranë. Zv/kancelarët britanikë vërtet kanë vite që po i shkatërrojnë universitetet e tyre, po bash jo në këtë kuptim kaq të drejtpërdrejtë të fjalës. Në të njëjtin kampus, rojet nuk i lënë rehat studentët po i panë të sillen vërdallë për qejf. Ka lezet universiteti pa këto krijesa shkatarraqe e të paparashikueshme.

Në mes të këtij shpartallimi, ato që po e pësojnë më keq janë disiplinat humane. Shteti britanik vazhdon t’i financojë universitetet për shkenca ekzakte, mjekësi, inxhinieri e kështu me radhë, por ka hequr dorë së shpenzuari seriozisht për artet. Nëse punët vazhdojnë kështu, nuk është habi që në vitet në vazhdim të mbyllen departamente të tëra disiplinash humane…

Departamenteve të disiplinave humane u mbetet të mbështeten kryesisht te tarifat e studentëve, çka do të thotë se institucionet më të vogla të cilat varen thuajse tërësisht nga ky burim të ardhurash zëre se janë privatizuar. Universiteti privat, të cilit Britania i ka rezistuar me të drejtë për shumë kohë, po troket gjithnjë e më fort…

Ka ca kohë që në universitetet britanike mësimdhënia ia ka lënë vendin e parë kërkimit shkencor. Paratë i sjell kërkimi, jo kurset mbi ekspresionizmin apo reformën protestante. Një herë në disa vjet, shteti britanik bën inspektim të detajuar në çdo universitet, duke e matur autputin e kërkimit shkencor të çdo departamenti në hollësi. Mbi këtë bazë jepen grantet qeveritare. Ka më pak shtysa që profesorët t’i kushtohen mësimdhënies dhe një mal me arsye që të prodhojnë për hir të prodhimit, të shkruajnë shumë e për lumë artikuj të kotë, të hapin revista online që s’i duhen as dreqit, të aplikojnë me zell për grante kërkimore pavarësisht nëse u nevojiten ose jo dhe të kalojnë kohën duke mbushur CV e tyre.

Sidoqoftë, rritja e pamasë e burokratizimit të universitarizmit britanik, e shkaktuar nga lulëzimi i ideologjisë menaxherialiste dhe kërkesave të pandalshme të vlerësimit nga shteti, nënkupton se pedagogët kanë gjithnjë e më pak kohë për të përgatitur leksionet… Inspektorët shtetërorë vlerësojnë me pikë artikujt e mbushur dëng me fusnota, kurse librat për studentët apo publikun e gjerë ngrenë shumë pak peshë. Pedagogët me gjasë e rrisin statusin e institucionit të tyre duke u larguar përkohësisht q’aty, sidomos nëse marrin leje për të zhvilluar kërkim shkencor.

Madje do ta ndihmonin goxha buxhetin e universitetit sikur ta braktisnin fare jetën akademike dhe t’u bashkoheshin trupave të cirkut, duke ua bërë mbarë burokratëve që punën e tyre t’ua shpërndanin profesorëve edhe kështu të mbingarkuar. Në Britani shumë pedagogë e dinë mirë se sa shumë do të donte t’u shihte shpinën institucioni ku punojnë, sigurisht përveç një dore emrash të njohur që mund të tërheqin luzma klientësh. Në fakt, ka sa të duash pedagogë që duan të dalin në pension të parakohshëm për shkak se universiteti britanik, aq motivues për të punuar siç duhet dikur, tani është kthyer në një vend tejet të pakëndshëm për shumicën e punonjësve të tij. Meqë ra fjala, këto kohë qeveria po bëhet gati t’u shkurtojë edhe pensionet.

Ndërsa profesorët shndërrohen në menaxherë, studentët kthehen në klientë. Universitetet u shkelin këmbët njëri-tjetrit për të siguruar mbulimin e kostove. Kur klientët futen brenda gardhit, profesorët vihen përpara presionit që të mos i ngelin, përndryshe rrezikojnë të humbin tarifat e tyre. Mbizotëron ideja se nëse studenti ngel, fajin e ka pedagogu, si në spitale ku çdo vdekje i lihet në prag stafit mjekësor. Një prej rezultateve të rendjes së ethshme pas xhepit studentor është rritja e numrit të lëndëve që kanë të bëjnë me çfarëdolloj gjëje që është në modë te 20-vjeçarët. Në disiplinën time, në letërsinë angleze, kjo do të thotë të merresh më shumë me vampirët sesa me shkrimtarët e epokës viktoriane, me seksualitetit sesa me Shelley-in, me fanzine-at sesa me Foucault-në, me botën bashkëkohore sesa me atë mesjetare. Forcat e mirërrënjosura politike dhe ekonomike u japin formë në këtë mënyrë programeve të lëndëve. Çdo departament letërsie angleze që do t’i përqendronte energjitë te letërsia anglo-saksone apo te shekulli i tetëmbëdhjetë do t’i vendoste vetes litarin rreth qafës.

Të etur për pagimin e tarifave, universitetet britanike po u lejojnë studentëve pa nota të mira në bachelor që të ndjekin nivelet e tjera të studimit, kurse studentët e huaj (të cilët i rrjepin si mos më keq) e gjejnë veten të nisin doktoratën në anglisht pa e njohur mirë gjuhën. Deri dje departamentet e letërsisë angleze e konsideronin shkrimin kreativ si punë vulgare amerikanësh, kurse sot mezi presin të punësojnë ndonjë romancier të parëndësishëm apo poet të dështuar për të tërhequr pas vetes hordhitë shkarrashkruese të Pynchon[5]-ëve potencialë, duke i rrjepur me tarifa – ndonëse dihet që gjasat që të botosh romanin apo vëllimin e parë me poezi në Londër janë më të vogla sesa të shndërrohesh në brumbull gjigand.

Është e vërtetë që arsimimi duhet t’u përgjigjet nevojave të shoqërisë. Po kjo nuk do të thotë se duhet ta shohësh veten si stacion shërbimesh për neokapitalizmin. Në fakt, do t’u përgjigjeshim shumë më mirë nevojave të shoqërisë nëse do ta sfidonim këtë model tërësisht të tëhuajësuar mësimi. Universitetet mesjetare i shërbenin fort mirë shoqërisë, por këtë e bënin duke prodhuar predikues, juristë, teologë dhe zyrtarë që ndihmonin në mbajtjen në këmbë të kishës dhe shtetit, jo duke flakur tutje çdo formë aktiviteti intelektual që nuk shërbente për të nxjerrë ndonjë lek.

Gjithsesi, kohët kanë ndryshuar. Sipas shtetit britanik, të gjitha fushat e kërkimit akademik të financuara nga buxheti i shtetit duhet ta konsiderojnë veten pjesë të së ashtuquajturës ekonomi të njohurive, me impakt të matshëm mbi shoqërinë. Ky impakt matet mjaft më kollaj te inxhinierët aeronautikë sesa te historianët e antikitetit. Farmacistët kanë më shumë gjasë se fenomenologët për t’ia dalin mbanë në këtë lojë. Fushat studimore që nuk fitojnë grante kërkimore të majme nga industria private, ose që nuk ka gjasë të tërheqin një numër të madh studentësh, zhyten në kriza kronike. Aftësia akademike barabitet me shumën e parave që mund të sjellësh për institucionin, kurse student i mirë konsiderohet ai që është i punësueshëm. Nuk është kohë e mirë për të qenë paleograf apo numismaticien[6], profesione të cilat shumë shpejt nuk do të dimë as si shqiptohen, lere më si ushtrohen.

Efektet e anashkalimit të disiplinave humane mund të ndihen në të gjitha nivelet e studimit parauniversitar, ku gjuhët moderne kanë marrë me revan të tatëpjetën, histori do të thotë thjesht histori moderne dhe mësimdhënia e kulturës klasike kufizohet thuajse vetëm në institucione private kolegji Eton…

Afërmendsh, filozofët e kanë ngaherë të shtruar rrugën e hapjes së klinikave të “kuptimit të jetës” në ndonjë cep rruge, ndërsa gjuhëtarët modernë mund të vendosen në pika strategjike sheshesh publike dhe të ofrojnë përkthime të atypëratyshme. Ideja mbisunduese sot është që universitetet duhet ta përligjin ekzistencën e tyre duke shërbyer si çirakë të sipërmarrjes. Siç shkruhej në një raport qeveritar ngjethës, universitetet duhet të operojnë si “organizata konsultimi”. Në fakt, vetë ato janë kthyer në industri fitimprurëse, duke administruar hotele, koncerte, evenimente sportive, kateringje etj.

Shuarja e disiplinave humane në Britani ka ardhur për shkak se forcat kapitaliste i kanë vënë përpara, ndërkohë që vuajnë për burime ekonomike. (Arsimi i lartë britanik nuk ka traditën filantropike të SHBA, kryesisht për shkak se Amerika ka mjaft më shumë milionerë se Britania.) Po flasim gjithashtu për një shoqëri në të cilën, ndryshe nga SHBA, arsimi i lartë nuk është trajtuar tradicionalisht si mall që blihet e shitet. Madje shumica e studentëve britanikë sot mendojnë se arsimi i lartë duhet të jetë falas, si në Skoci; dhe ndonëse ka njëfarë egoizmi në këtë mendim, ka edhe shumë drejtësi. Arsimimi i të rinjve, njëlloj si mbrojtja e tyre nga vrasësit në seri, duhet parë si përgjegjësi shoqërore, jo punë fitimi.

Unë vetë, si përfitues burse shtetërore, kam kaluar shtatë vjet si student në Universitetin e Cambridge-it pa paguar asnjë kokërr leku. Është e vërtetë se si pasojë e kësaj varësie prej skllavi nga shteti që në moshë fare të hershme u bëra qulls dhe i demoralizuar, i paaftë për të qëndruar në këmbë dhe mbrojtur familjen me automatik në dorë kur ta lypte nevoja. Si frikacak i varur nga shteti, kam arritur deri aty sa të thërras herë pas here zjarrfikëset në vend se ta shuaj zjarrin me duart e mia burrnore. E megjithatë, jam gati të këmbej çfarëdo niveli pavarësie burrnore me shtatë vite lirie në Cambridge.

Është e vërtetë se në kohën time vetëm 5% e popullsisë e frekuentonin universitetin dhe ka nga ata që thonë se sot, kur kjo shifër ka shkuar rreth 50%, nuk e kemi luksin të përballojmë këtë liberalizëm mendjeje. Mirëpo Gjermania, sa për të marrë një shembull, i ofron arsim falas popullatës së saj të gjerë studentore. Një qeveri britanike që do ta merrte seriozisht heqjen e barrës së borxhit nga shpina e brezit të ri, do ta arrinte këtë duke rritur taksat për të krimburit në para dhe mbledhur miliardat e evazionit të përvitshëm fiskal.

Ma kënda që universitetet të rimarrin funksionin e nderuar të dikurshëm, si ato pak zona në shoqërinë moderne (tjetra janë artet) në të cilat ideologjitë sunduese mund t’i nënshtrohen kritikës rigoroze. Po sikur vlera e disiplinave humane të mos qëndronte në mënyrën se si u epen nocioneve mbisunduese, por në të qenët të paepura?! Integrimi si i tillë nuk ka vlerë. Artistët kanë qenë më të integruar në shoqëri në epokën paramoderne sesa në atë moderne, por kjo ka dashur të thoshte se ata shpesh herë ishin ideologë dhe agjentë të pushtetit politik, zëdhënës të status quo-së. Në të kundërt, artisti modern nuk ka një vend të sigurt në rendin shoqëror, po pikërisht për këtë arsye ai ose ajo nuk e ul kokën përpara tij.

Ama, derisa të ndërtohet ndonjë sistem më i mirë, unë kam vendosur t’u bashkohem filistinëve fytyrëngrysur dhe rendësve pas dobishmërisë. Turp më qoftë, por kam filluar t’u kërkoj studentëve në fillim të semestrit nëse ua mban xhepi të ndjekin mendimet e mia të ndritshme mbi veprat letrare, përndryshe u mbetet të kënaqen me ca komente sa për të kaluar radhën.

T’i tarifosh studentët për numër mendimesh është punë e shpifur dhe me gjasë jo edhe aq efektive në krijimin e marrëdhënieve miqësore; po është rrjedhoja logjike e klimës akademike aktuale. Atyre që ankohen se kështu po bëj dallime të padrejta midis studentëve, u them se ata që nuk kanë para mjaftueshëm për analizat e mia mund të paguajnë në natyrë. Ëmbëlsira të sapodala nga furra, fuçi birre të bëra vetë, pulovra dhe këpucë të bëra me dorë – të gjitha pranohen. Fundja, ka gjëra që vlejnë më shumë se paratë.

E përktheu Arlind Qori

Shënime të përkthyesit:

[1] Bëhet fjalë për Universitetin e Stanford-it dhe Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit, dy prej universiteteve më të rëndësishme në SHBA.

[2] Ndërthurje e fjalëve Oxford dhe Cambridge, që përdoret në Britani për t’i dalluar këto dy institucione arsimore elitare nga të tjerat.

[3] Kështu quhen pedagogët në universitetet tradicionale britanike.

[4] Kështu quhen kryeadministratorët e universiteteve në Britani dhe vende të tjera të Komonuellthit.

[5] Shkrimtar bashkëkohor amerikan.

[6] Ai që merret me studimin e monedhave.

34