Veliaj abuzime skandaloze me tenderat/ Nënshkroi 284 kontrata para regjistrimit të urdhër-prokurimeve

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar në Kuvend raportin mbi zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2017. Sipas këtij raporti, nga auditimi i sistemit të thesarit janë konstatuar thyerje të sistemeve të kontrollit përgjatë gjithë hallkave, të vendosura me qëllim disiplinimin fiskal gjatë ekzekutimit të buxhetit. Kështu, sipas KLSH, urdhër prokurimet regjistrohen në thyerje të afatit ligjor. Në raport thuhet se janë konstatuar 579 raste të regjistrimeve në SIFQ, në shumën 15.4 miliardë lekë, ku KLSH veçon Bashkinë Tiranë me 284 raste dhe AKSHI me 123 raste.

KLSH konstaton se regjistrimet e urdhër–prokurimeve janë formale pasi në mbi 80% të rasteve ato janë regjistruar pas firmosjes së kontratës, pra urdhër-prokurimi është regjistruar në SIFQ formalisht, vetëm për efekt të plotësimit të fushave që lejojnë më pas krijimin e dokumentit kontratë dhe pagesë respektive.

Nga auditimi i të dhënave të urdhër–prokurimeve të regjistruara gjatë 7 mujorit të parë të vitit 2018, KLSH konstaton se problemi i mosregjistrimit të të gjithë urdhër-prokurimeve nga të gjitha institucionet dhe mosregjistrimi në afatet e përcaktuara me qëllim konfirmimin dhe bllokimin e fondeve buxhetore disponibël, vazhdon të mbetet. Sipas drejtimit të DPTH, kjo procedurë është nën kontrollin e APP në momentin e kontrollit të dokumentacionit për fillimin e procedurave të prokurimit pasi “është përgjegjësi e APP për të mos pranuar urdhër-prokurime pa vulën e thesarit”.

Problemet me urdhër prokurimet/kontratat

KLSH ka konstatuar gjithashtu urdhër prokurime/kontrata të regjistruara vetëm për vlerë të barabartë me fondet në dispozicion ndryshe nga vlera e prokuruar. Nga krahasimi i të dhënave me burim APP për të gjitha prokurimet e kryera gjatë vitit 2017 me të dhënat e marra nga SIFQ u konstatuan mospërputhje në datat e kontratës, në datat e urdhër-prokurimeve dhe ajo që është më e rëndësishme në vlerat e kontratave.-raporton gazeta Sot.

Nga krahasimi i të dhënave të SIFQ me të dhënat e APP, nga 41 raste të zgjedhura për testim, në 17 prej tyre rezulton se urdhër-prokurimet janë të regjistruara në vitin 2017 në APP ndërsa në SIFQ janë regjistruar në vitin 2018. Dhe në 9 raste vlera e kontratës e regjistruar në APP është e ndryshme nga ajo e regjistruar në SIFQ me një diferencë prej totale prej 1.7 miliardë lekë (më pak në SIFQ). Ky testim evidentoi shkeljen e procedurës së përcaktuar në Udhëzimin nr. 2 dhe VKM për parandalimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura që kërkojnë konfirmimin në Thesar të fondeve disponibël përpara shpalljes së procedurës së prokurimit.

Gjithashtu evidentoi dhe fenomenin e regjistrimeve të pasakta në SIFQ, të urdhër-prokurimeve dhe kontratave me vlera të fragmentarizuara, shpesh të barabarta me vlerën e faturës për tu paguar, dhe jo me vlerën e plotë të prokuruar, duke tejkaluar kontrollin për disponibilitetin e fondeve. Duke vlerësuar si tepër shqetësues dhe me risk të lartë për raportimet e zbatimit të buxhetit rastet e regjistrimeve të kontratave jo me vlerën e plotë të prokuruar, u kërkua informacion në lidhje me çeljet buxhetore të secilit prokurim/ kontratë e regjistruar në SIFQ në momentin e fillimit të procedurës së prokurimit dhe nga ku u konstatua se në momentin e prokurimit të kontratës çelja buxhetore disponibël ishte shumë më e vogël se vlera e prokurimit dhe kontratës së nënshkruar. Kështu,u konstatuan 6 raste me diferencë në vlerën e prokuruar kundrejt çeljes buxhetore të miratuar prej 1.38 miliardë lekë, prej të cilave 5 raste janë të projekteve të Bashkisë Tiranë me diferencë në vlera të çeljeve buxhetore prej 667 milionë lekë.

 

Nga auditimi i të dhënave të angazhimeve, kontratave dhe pagesave respektive KLSH ka investiguar dhe konstatuar dhe fenomenin e regjistrimit të kontratave në të njëjtën ditë ose 1-2 ditë diferencë në kohë me regjistrimin e faturës së parë. Pra institucionet me akses apo jo në SIFQ edhe pse në dijeni të afateve ligjore për regjistrimin e çdo dokumenti për investim: nga urdhër-prokurime deri te fatura, në mënyrë të vetëdijshme jo vetë nuk i zbatojnë këto afate por autorizojnë regjistrime me vlera pjesore të barabarta me faturën dhe jo me vlerën reale të kontraktuar, si psh rasti i Bashkisë Tiranë (dy kontrata në vlerë totale 1.46 miliardë lekë) dhe FZHSH (një kontratë në vlerë 926 milionë lekë). Një tjetër fenomen i konstatuar është rasti i pagesave pjesore të faturave me qëllim përputhjen e fondeve buxhetore disponibël dhe mbartjen e detyrimit të mbetur në vitin pasardhës.

Mosregjistimi i faturave brenda afateve ligjore

Mosregjistimi i faturave brenda afateve ligjore konstatuar rreth 24 mijë raste me vlerë 29.1 miliardë lekë si dhe 393 raste të moszbatimit të afatit nga Degët e Thesarit për kryerjen e pagesës është një tjetër problem i konstatuar nga KLSH. Nga auditimi i të dhënave të transaksioneve të procesuara në sistemin SIFQ u konstatuan tejkalime të këtyre afatit 30 ditor si nga ana e njësive shpenzuese ashtu edhe nga Degët e Thesarit. Nga auditimi u konstatuan 23,701 mijë raste me vlerë 29.1 miliardë lekë faturash të dorëzuara në Thesar jashtë afatit 30 ditor nga njësitë publike. Nga analiza me vizualizim i shkeljes për mos respektim të afateve vërehet se ky fenomen është më i përhapur në Institucionet vendore me një numër prej 11550 transaksionesh në vlerën 9,830 milionë lekë (veçanërisht Bashkia Tiranë) të ndjekura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë). Gjithashtu, nga një total prej 181 mijë pagesa të regjistruara gjatë vitit 2017 për shpenzime dhe mallra rezultojnë 393 raste me vlerë 514 milionë lekë me tejkalim të afatit 30 ditor të kryerjes së pagesës nga momenti i regjistrimit në sistemin e thesarit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne