Stina e festave ka mbërritur në Tiranë. Në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugët e Tiranës janë ndezur sot dritat vezulluese që simbolizojnë ardhjen e festave të fundvitit. Kori i Liceut Artistik dhe Banda Frymore e qytetit të Tiranës ishin kujdesur për të krijuar një atmosferë festive, ndërsa dhjetra fëmijë të veshur me ngjyrat e festave të fundvitit dhe qytetarë të shumtë kishin rrethuar pemën gjigande të Vitit të Ri. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa mori pjesë në ndezjen simbolike të dritave të pemës, u shpreh se edhe Tirana i bashkohet këtë vit kryeqyteteve të botës, të cilat festat kanë vendosur t’i nisin pak më shpejt.

“Disa prej jush, sidomos fëmijët që janë këtu, më kanë çuar peticione, kanë mbledhur firma në klasë, në lagje, në shkollë dhe na kanë thënë: Lali Eri, a mund të zgjasësh pak më shumë festat, se mbyllen shumë shpejt? Nuk i zgjasim dot pas 1 janarit, por ajo që mund të bënim është t’i fillojmë pak më herët dhe në fakt, në gjithë qytetet e botës ka filluar pak më herët festa, ndaj kjo është arsyeja pse do  t’i hapim që sot dritat e festës, jo vetëm këtu, por në disa vatra, edhe në sheshin Skënderbej, edhe tek Liqeni, këtë fundjavë tek Pazari i Ri dhe në të 24 njësitë e Tiranës, për t’u siguruar që e gjithë Tirana, nga cepi në cep, ka një stinë festash të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Më tej , ai shtoi se kjo stinë festash duhet të shërbejë për këdo, jo vetëm për të festuar dhe kaluar më shumë kohë me njeri-tjetrin, por edhe për treguar më shumë solidaritet me më të dobtit. “Unë jam i bindur që ashtu siç e bëmë vjet, që e gjithë stina e festave ishte një stinë solidariteti për të ndihmuar të moshuarit, për të ndihmuar ata që janë në qendrat sociale, për të ndihmuar personat që janë të vetmuar, personat që janë në institucione, siç është Shtëpia e të Moshuarve apo Shtëpia e Fëmijëve, unë jam i bindur që Tirana këtë vit do jetë akoma më solidare”, shtoi kryebashkiaku.

Kryetari i bashkisë u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit që së pari të festojnë festën e çlirimit të Tiranës dhe më pas edhe festat kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit. “Ne po na afrojnë festat tona kombëtare; festa për qytetin është 17 nëntori dhe dua që t’i japim një duartrokitje të gjithë atyre që janë veteranë dhe kanë dhënë një kontribut që ky qytet të jetë një qytet i lirë. Kemi festat e 28-29 nëntorit, ndaj dua që secili prej jush, ata që po na ndjekin dhe ju që keni ardhur këtu në shesh të vëmë secili nga nesër, që është 17 nëntori, një flamur në ballkon, në zyrë tek kompjuteri, në dritare, tek makina, për të kujtuar që mbi të gjitha jemi shumë krenarë që jemi pjesë e këtij kombi, e kësaj historie dhe e këtij qytetërimi që krijojmë në Tiranë”, theksoi kryetari i bashkisë.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj kishte një mesazh edhe për protestën e banorëve të Unazës së Re. Kryebashkiaku theksoi se qyteti fiton gjithmonë mbi dhunën, puna fiton gjithmonë mbi flakën, qytetaria dhe kultura fiton gjithmonë mbi vulgaritetin, ndërsa shtoi se projekti nuk do të ndahet.

“Unë dua ta përdor këtë mundësi edhe në emër të familjes sime, dua të kujtoj që jemi si një familje e madhe në Tiranë. Ne në Tiranë rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë; i kalojmë sfidat bashkë, por edhe sukseset i korrim bashkë. Unë dua t’u falënderoj me gjithë zemër për tre vite të mrekullueshme që e kemi çuar Tiranën në drejtimin e duhur me punë, me dashuri dhe me energji pozitive. Unë e di që sa herë që bëhet punë në Tiranë ndodh ndonjë sherr vogël, digjet ndonjë gomë, hidhet flakë, dua të falënderoj të gjithë policët e Policisë Bashkiake që edhe kur ka dhunë sillen me qytetari. Dua t’i garantoj qytetarët e Tiranës, qyteti fiton gjithmonë mbi dhunën, puna fiton gjithmonë mbi flakën, qytetaria dhe kultura fiton gjithmonë mbi vulgaritetin. Premtimi im për ju është që edhe në këtë sfidë dhe në çdo sfidë tjetër që do të na vijë ne do të shikojmë interesin e shumicës, interesin e të drejtës”, perfundoi Veliaj.

Sot ishte dita e 15 e protestës së banorëve. Dje ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës duke hedhur molotov dhe tymuese, ndërsa tentuan të futen me forcë. Nga protesta mbetën të lënduar 7 policë bashkiakë. Për projektin e “Unazës së Madhe” parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen dhe 123 janë me vërtetime pronësie. Mes banesave që janë prekur nga plani dhe pritet që të prishen është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.

14