Veliaj u tall me qytetarët e Tiranës, u premtoi parqe por mbi to ngriti kulla

Paraditen e së premtes, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh një nga më të besuarit e Veliajt, Arbjan Mazniku dha një intervistë, ku u përpoq të shpjegonte përse po ndërtohen kaq shumë kulla në kryeqytet.

“Në mënyrë të qëndrueshme, Tirana rritet me 22 deri në 30 mijë vetë në vit dhe ne nuk mund ta pengojmë këtë trend demografik. Tirana ka nevojë mesatarisht për 550 mijë metra katrorë sipërfaqe të re ndërtimi në vit.” – shprehet Mazniku.

Por ky ishte një tjetër manipulim, nga ato që di të bëjë Veliaj dhe bashkëpunëtorë e tij. Është e vërtetë që Tirana ka nevojë për 550 mijë m2 ndërtim në vit, por publiku duhet të dijë që vetëm një kullë që po ndërtohet në qendër të qytetit, do të ofrojë 170-200 mijë m2 ndërtim. Pra, Veliaj e ka realizuar objektivin e tij, me ndërtimin e vetëm tre kullave.

Ndërkohë në Tiranë po ndërtohen plot 11 kulla, ndërsa janë dhënë për 2 vite mbi 170 leje ndërtimi për pallate nga 7 deri në 10 kate. E sikur të mos mjaftonte kjo, Veliaj bashkë me kryeministrin Edi Rama, kanë dhënë leje për ndërtime kryesisht mbi hapësira publike, parqe apo edhe zona sportive.

Shumëkujt i vjen për të qeshur, kur rikujton premtimin për zero ndërtime në Tiranë, i bërë nga Erion Veliaj gjatë fushatës zgjedhore të 2015. “Do të vendos një moratorium për lejet e ndërtimit në Tiranë. Pra, nuk do të ketë ndërtime gjatë mandatit tim. Dua të mbahem mend si një njeri që ndërtoi parqe dhe jo pallate” – u shpreh Veliaj në Opinion, pak para se të fitonte zgjedhjet lokale në 2015.

Kjo tallje e rëndë me qytetarët që i votëbesuan mandatin e Kryetarit të Bashkisë, tashmë ka tejkaluar çdo limit. Veliaj jo vetëm që nuk vendosi moratorium, por ai do të mbahet mend si një nga betonizuesit më të mëdhenj të Tiranës, njësoj si parardhësi i tij, Edi Rama. Pasqyra më e mirë e betonit që krijoi Rama, është zona e Komunës e Parisit dhe Liqenit Artificial.

Por le të kthehemi tek Veliaj. Me të marrë detyrën, më 1 gusht 2015, Veliaj u shfaq me Ministren e Zhvillimit Urban, duke bërë një tjetër show. Ai mashtroi publikun duke thënë jo vetëm se nuk të ketë ndërtime të reja, por që ka ndërmarrë nismën e pezullimit të lejeve të ndërtimit që kishte dhënë kryebashkiaku Lulzim Basha.

“Pezullohen lejet e ndërtimit deri sa ne të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të qytetit, në bazë të këtij bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Urban”, tha Veliaj. Kjo ishte një manovër e Kryebashkiakut të Tiranës, për të ndëreprerë punën me ndërtuesit e Bashës, dhe për t’i hapur rrugën oligarkëve që sapo ishin afruar pranë tij.

Dhe nuk kaluan shumë javë, kur nisën të jepen lejet e para të ndërtimit. Në harkun e dy viteve, kryebashkiaku Veliaj ka dhënë plot 170 leje ndërtimi në kryeqytet, duke shkelur edhe masterplanin e famshëm të italianit Stephano Boerit, i cili fliste për një pyll orbital.

Shumica e lejeve të ndërtimit janë dhënë mbi parqe dhe lulishte, disa prej tyre kanë zaptuar trotuarët, duke i “shkatërruar” kështu ëndrrën Boerit për të bërë pyllin orbital. Rasti më flagrant është ai i lulishtes në krah të Policisë Bashkiake, ku pak ditë pasi u mori votat qytetarëve, nisën ndërtimet për një kompleks banimi. Për ironi, e gjithë ajo zonë votoi për Partinë Socialiste.

Edhe kullat e tjera, ajo tek ish Dhoma e Tregtisë në qendër të Tiranës ishte një lulishte për banorët e zonës, por aty do të ngrihet një kullë prej 26 katesh. Të njëjtin fat do të ketë edhe një hapësirë pas presidencës, ku sot është një zonë parkimi.

Veliaj bashkë me Ramën nuk kanë kursyer as ish Muzeun e Shkencave të Natyrës, duke ia dhënë një prej oligarkëve për të ndërtuar një kompleks që do të ngulfasë edhe më tej Tiranën.

Ky pra, është Erion Veliaj, kryebashkiaku që ka gënjyer gjithë këto kohë për ndërtimet në Tiranë, për pyllin orbital, për parqet. Ai del përditë në televizor, përdor aktorë dhe artistë, për të mbjellë pemë tek Liqeni Artificial. Por teksa i gjithë kryeqyteti po errësohet nga ngrehinat, lopata dhe pemët e Veliajt janë vetëm një truk për të sfumuar realitetin e zymtë.

Ajo që na mbetet të bëjmë, është të presim  vitin 2019 dhe të shohim se çfarë do të premtoj Veliaj përpara zgjedhjeve lokale….të presim nëse publiku do t’i besoj sërish këtij lloj politikani.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne