Vendet anëtare të OBI-t mblidhen në Stamboll me rendin e ditës sulmet në Christchurch

Vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) do të mblidhen në Stamboll me rendin e ditës sulmet terroriste ndaj xhamive në Zelandën e Re.

Pas sulmeve terroriste në Zelandën e Re, Turqia ftoi në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të OBI-të, e cila ishte planifikuar të mbahet më 22 mars, të gjitha vendet anëtare.

Për mbledhjen me pjesëmarrje të hapur deri më tani u konfirmua pjesëmarrja e rreth 20 vendeve në nivel ministrash.

Vendet anëtare të OBI-t si Irani, Libia, Indonezia, Pakistani, Afganistani, Sudani, Katari dhe Somalia do të marrin pjesë në nivel ministrash. Gjithashtu shumica e vendeve do të përfaqësohen nga ana e ministrave përkatës ose nga përfaqësuesit e posaçëm dhe nga ambasadorët.

Parashikohet që Presidenti Recep Tayyip Erdogan në cilësinë e kryesuesit të radhës t’iu drejtohet me një fjalim pjesëmarrësve në mbledhjen në Stamboll.

Ndihmëspresidenti, Fuat Oktay dhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu pas vizitës në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, ku nga sulmet ndaj xhamive humbën jetën 50 myslimanë, janë ftuar të marrin pjesë në këtë mbledhje.

Ndërkaq bëhet e ditur se Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters dhe ministrja për Komunitete Etnike, Jenny Salesa konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në mbledhjen e OBI-t në Stamboll.

“Ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm që do të mundësojë që Zelanda e Re të bashkohet me partnerët në shprehjen e vlerave si toleranca fetare dhe qëndrimit kundër terrorit me zë të lartë”, deklaroi Zëvendëskryeministri Peters./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne