Venezuelë – Asambleja Kushtetuese miraton kërkesën për “heqjen e imunitetit” Juan Guaidos

Kryetarit të Kuvendit Kombëtar të Venezuelës, Huan (Juan) Guaidos, i vetëshpallur president i vendit, i hiqet imuniteti diplomatik.

Procesi ligjor i filluar kundër Guaidos, i cili organizon protesta në përpjekje për ndryshimin e qeverisë duke marrë mbështetjen e vendeve perëndimore me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Amerikës Latine, po vazhdon ende.

Asambleja Kushtetuese (ANC), që është organi i vetëm ligjvënës në vend, mbajti një seancë të jashtëzakonshme të kryesuar nga Diosdado Kabello (Cabello) për të shqyrtuar kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë (TSJ), Maikel Moreno, për “heqjen e imunitetit diplomatik të Guaidos”.

Procesi ligjor për heqjen e imunitetit të Guaidos, i cili filloi “për shkak të kalimit në Kolumbi pavarësisht ndalimit të daljes jashtë vendit”, u miratua me mbështetjen e plotë të parlamentarëve.

Pritet që Gjykata e Lartë e Drejtësisë pas vendimit të Asamblesë Kushtetuese të fillojë procesin gjyqësor.

Më 23 janar Huan Guaido gjatë një mitingu të organizuar në kryeqytetin Karakas u vetshpall president i vendit dhe bëri betimin, ndërsa më 23 shkurt një ditë para tentativës për t’i futur në Venezuelë “ndihmat humanitare” të dërguara nga ShBA-ja ai shkoi në Kolumbi.

Guaido, për të cilin thuhet se në Kolumbi ka kaluar nëpër shtigjet e kontrolluara nga grupet e armatosura ilegale kolumbiane në kufi, pretendonte se në këtë vend ka kaluar me mbështetjen e ushtrisë venezuelase.

Pas Kolumbisë Guaido ka vizituar edhe Brazilin, Paraguain, Argjentinën dhe Ekuadorin, ndërsa në Venezuelë u kthye më 4 mars dhe hyri pa problem./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne