Venezuelë – Konfiskohen shumë armë dhe municione amerikane

Siç bën të ditur Ministria e Sigurisë Publike të Venezuelës përmes një komunikate në median sociale, një sasi e madhe armësh dhe municionesh të dërguara nga qyteti Majami i SHBA-së është konfiskuar në një depo të Aeroportit Ndërkombëtar “Arturo Michelena”, në qytetin e Valencies.

Kurse zëvendësministri i Sigurisë Publike, Endes Palencia, shpërndau në “Twitter” fotot e armëve dhe municioneve të sekuestruara. Ai tha se në depo janë gjetur 19 pushkë, 118 karikatorë pushkësh, municione të kalibrit të madh, 90 aparate komunikimi dhe 6 telefona celularë.

Palencia theksoi se është konstatuar që armët dhe municionet e konfiskuara janë dërguar me një avion të nisur më datë 3 shkurt nga Majami.

“Si njësi të sigurisë, ne do të përmbushim plotësisht përgjegjësinë tonë kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e popullit të Venezuelës dhe ofrojnë mbështetje financiare për grupet terroriste”, shtoi zëvendësministri venezuelas i Sigurisë Publike.

Ai njoftoi gjithashtu se prokuroria ka nisur një hetim për këtë rast.

Juan Guaido, kryetar i Kuvendit Kombëtar me shumicë opozitare, u vetëshpall president i përkohshëm i Venezuelës më datë 23 janar. Ky veprim u mbështet së pari nga SHBA-ja dhe pastaj nga Australia, Kanadaja, Kolumbia, Peruja, Ekuadori, Paraguai, Brazili, Kili, Panamaja, Argjentina, Kosta-Rika dhe Guatemala. Këtyre shteteve iu bashkua së fundmi edhe Parlamenti Evropian.

Ndërsa Turqia, Meksika, Rusia, Irani, Kuba, Kina dhe Bolivia konfirmuan mbështetjen e tyre për Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro. Ky i fundit, pas zhvillimeve në fjalë, njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve politiko-diplomatike me SHBA-në duke përjashtuar ato tregtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e pati vlerësuar dërgimin e trupave në Venezuelë si “një prej opsioneve” të mundshme./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne