Vepra shkencore e historianit Salim Kadri Kerimi, shembull për historianët e rinj

nga Fejzulla Abdullai.

Në kohën e fundit falë teknologjisë së lartë dhe paraqitjes së internetit, në faqet e vep. portaleve janë paraqitur dhe vazhdimisht po paraqiten shumë autorë me shkrime nga lëme të ndryshme, posaçërisht studiues në fusha të ndryshme shkencore. Kjo mund të vërehet edhe nga autorë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Maqedonisë. Në këtë drejtim dallojnë edhe studiues nga etnitetet të përkatësisë myslimane të këtij shteti multietnik.
Duke lexuar shkrime nga shkenca të ndryshme në faqet e internetit, pata rastin që aty të gjej edhe shkrimet studioze të një bashkevendasi tim. Stili tërheqës i të shkruajturit, sinqeriteti dhe përmbajtja e tyre me cilësi të lartë nga shkenca e historisë, e tërhoqën vemendjen time që qesh i detyruar   me vemendje dhe me një kënaqësi t’i lexoj sa here që e hap internetin. Por, kush është ky person që me një entuziazëm dhe me një aftësi, pastaj edhe me një intelekt dhe sinqeritet të veçantë, ka mundësuar që   tani edhepse  është relativisht në moshë, me një dashuri të madhe, krejt mundin e tij t’ia kushtojë shkencës së historis, dhe për një afat relativisht të shkurtë të japë aq tepër në fushën e historis saqë asnjë studiues, pa dallim i cilës do fushe shkencore, nuk ka patur mundësi të japë? Jo vetëm nga kjo fushë shkencore, aty mund të shihen shkrime nga publicistika dhe diplomacia (me këtë të fundit është marrë mbi 35 vjet, nëse nuk jam gabim), ky është historiani i shquar, Salim Kadri Kerimi.
Një miku im para do kohe në postën time elektronike më dërgoj një shkrim të Salimit të publikuar në katër vazhdime në një gazetë në gjuhën shqipe. Pasi i lexova me kujdes të katër vazhdimet, e pash të arsyeshme që të shkruaj një tekst me qëllim që të jap  vlerësimin tim, kuptohet të bëj edhe disa vërejtje. Me paraqitjen e shkrimit tim në internet, reagimi i Salimit ishte i menjëhershëm. Pasi u falenderua mbi anët positive dhe disa sugjerimeve që i kisha bërë për disa mospajtime të mia, ai u mundua që me argumente të ndryshme dhe me fakte bindëse të më tregojë se unë në disa raste jam gabim. Më vonë pasi unë i gjeta shkrimet e tjera të tij në veb. portalin e tij, dhe përsa më lejoj koha t’i lexoj me vemendje, konstatova se ai gati në të gjitha shkrimet e veta ka bërë një punë të veçantë nga shkenca. Tani u binda se reagimin   e pati me vend dhe të sinqertë, kurse unë isha gabim. Ndaj shfrytëzoj rastin që t’i kërkoj ndjesë të nderuarit.
Salimi ka  lindur në fshatin Bollocërkë e Sipërme (Gorna Bella Crkva) të Prespës në mesin e shekullit të kaluar. Gjer në mbarimin e shkollës së mesme, është shkollosur në gjuhën shqipe (edhe pse i takon etnitetit turk, por për arsye të ndryshme, nuk ka patur mundësi që as shkollimin fillestar ta kryejë në gjuhën amtare), kurse  shkencën e historis e studioj dhe me sukses e kreu në univerzitetin e Shkupit në shekullin e kaluar.
Pas kryerjes së studimeve punoj nja dy vjet në arsim, pastaj u punësua në administratën shtetërore të ish Jugosllavisë. Me mëvetësimin e Republikës së Maqedonisë si shtet më vete, vazhdon të punojë në të njëjtën administratë që tani u shndërrua në MPJ (Ministri e Punëve të Jashtëme). Aty punoj plot 35 vjet, gjer sa u pensionua. Por çfar pune bënte aty? Aty u morr me diplomaci. Tre here ka qenë në nivel të këshilltarit dhe ministër- këshilltar që përfaqësonte Maqedoninë në Tiranë (katër vjet), Ankara (katër vjet) dhe në Kopenhagen të Danimarkës (katër vjet). Siç shihet është i vetmi prespar i etnitetit turk që një kohë të gjatë ka punuar në diplomacinë e jashtëme të Republikës së Maqedonisë.
Jo vetëm kaq, Salimi pas pensionimit filloi intenzivisht të merret me shkencë, jo aqë tepër nga interesi i vet që ka patur që të merret me këtë aktivitiet, sa e  ka patur për detyrë, ose siç shprehet edhe vetë, t’i shpërblehet kombit të vet të shumëvuajtur nën regjime të ndryshëm në ish Jugosllavi, si asaj borgjeze edhe asaj komuniste të shpërbërë në fillim të dekadës së fundit të shekullit të kaluar.
Në veb. portalin e tij mund të shihet se ai, jo vetëm që ka bërë një punë të shkëlqyerë me punimet e tia, që unë i çmoj me vlerë të lartë shkencore,  dhe jo që të jem i njëanshëm, por ky është një realitet i patjetërsueshëm në fushën shkencore. Abjektiviteti dhe sinqeriteti i Salimit shihet edhe në polemikat e tija që i ka bërë me studiuesë të nacionaliteteve të ndryshme (maqedonë, shqiptarë, turqë, serbë e të tjerë) nga kjo fushë shkencore dhe nga shkenca të tjera të afërta me këtë. Atij i   intereson vetëm objektiviteti dhe transparenca në fushën shkencore,  nga se vetëm në këtë mënyrë do të nxirret në dritë e vërteta, e cila është objektivi i çdo studimi shkencor. Duke qenë realist dhe objektiv i sinqertë në të shkruajturit, madje, edhe njohës i mire i disa gjuhëve, punimet e tija i publikon në gjuhën turqishte, shqipe, maqedonishte dhe serbishte. Disa i ka edhe në gjuhën anglishte, gjë që mund të shihet se është njohës i mire edhe i kësaj gjuhe ndërkombëtare. Në këtë mënyrë mundëson që punimet,   lirisht pakuarfarë hezitimi mund t’i quaj si vepra me cilësi të lartë shkencore, të jenë sa më afër lexuesit. Gjertani në veb. portalin e tij i ka të publikuara gjithsej 56 shkrime, prej tyra disa janë të karakterit publicistik-politik, disa janë replika dhe shumica e tyre janë të karakterit shkencor.
Shkrimet janë të publikuara në pesë gjuhë: turqisht 4, shqip 10, maqedonisht 33, serbisht 1 dhe anglisht 8. Siç shihet më tepër janë në gjuhën maqedonase.
Për shkak të numrit të madh të shkrimeve dhe në interes të hapësirës, në mënyrë selektive do t’i rishpjegoj disa punime që unë mendoj se janë me rëndësi në vlerësimin tim që ja bëj veprës së historianit në fjalë. Marë nëpërgjithësi, nga ajo që mund të shihet në shumicën e punimeve, bije në sy ajo çka është më e dhimbshmja për një kombëtar e fetar të mirëfilltë, eksodi i popullatës myslimane (turke, shqiptare, boshnjake e torbeshe) nga trojet e ish Jugosllavisë/ Maqedonisë. Studiuesit Salim, nuk i ishtë dhimbur vetëm popullata turke, por e gjithë ajo myslimane, e cila dukshëm duket se është shpërngulur vullnetarisht, por përkundrazi, nëpërmjet formave të ndryshme të propagandës së qeverisë jugosllave, unë do të shtoja edhe asaj serbe, e cila ishte kreatore e kësaj politike famëkeqe,   me dhunë qe e detyruar t’i lëshojë vatrat e veta shekullore.
Me qëllim që të jap një pasqyrë më të mire, vështrimet, kritikat dhe analizat shkencore në shkrimet e këtij studiuesi, do t’i ndaj në disa pjesë:
1. Vërejtjet që iu bëhen udhëheqsëve shtetërorë (padallim etnie) dhe qeverive në periudhat kohore (në ish Jugosllavinë e më vonë);
2. Vërejtjet e kritikat, me qëllim të zbulimit të së vërtetës, që iu bëhen autorëve të fushave të ndryshme shkencore (padallim etnie);
3. Vështrimin dhe analizën konçize që i bëhet eksodit mysliman, të cilin me plot të drejtë e cilëson si tragjedi e shekullit të kaluar;
4. Raportet e Republikës së Maqedonisë me vendet e rajonit pas shpalljes si shtet më vete.
5. Mbi përfshirjen e pakicave kombëtare (myslimane) në organet shtetërore, posaçrisht në përfaqësit diplomatike.
Duke lexuar tekstin mbi shpërnguljen e popullatës myslimane në Turqi, aty qartë vërehen kritikat që i bën, drejtuar disa udhëheqsave republikanë e krahinorë të etnitetit myslima (turk e shqiptar). Aty bëhet fjalë për Shukri Ramon dhe Fadil Hoxhën. Këta dy udhëheqsa të rangut të lartë, verbalisht iu besonin mediumeve të asaj kohe (tërësisht të kontrolluara nga organert shtetërore) ku jepeshin informacione lidhur me shpërnguljen e pakicave myslimane, për të cilat  besonin se janë vullnetare (shpërngulje të lire), bile i quanin edhe humane. Me këta ata pa hyrë në esencë qëllimeve të organeve të lartë federale e republikane, verbalisht u besonin.
Ja se ç’ konstatohet për këta dy funkcionerë:
Shkuri Rama, ish kryeredaktor dhe përgjegjës i gazetës maqedonase në gjuhën turke “BIRLIK”, në dy shkrimet e tij të publikuara në këtë gazetë në fillim të vitit 1959, lexuesit nuk qenë të informuar sa duhet mbi të vërtetat që prunë në shpërnguljen e turqëve nga Jugosllavia, respektivisht Maqedonia në Turqi gjatë periudhës vijuese. Duke iu përgjigjur paditjeve të ndryshme që i qenë bërë e publikuar në shumë gazeta turke, ai e përsërit qëndrimin e mirënjohur, ku shprehimisht thotë:“ qendrimi human i pushtetit popullor të qeverisë së asaj kohe Jugosllave, e cila qytetarëve të vet jua pranon të drejtën demokratike për zgjedhjen  e vendit të jetesës”, që siç nënvizon z. Salim, “me ndërgjegje apo pandërgjegje, tërë fajin mundohet ta kalojë në anën turke”. Siç shihet pra, sipas konkludimeve të z. Salim, ai ka qenë krejtësisht i lajthitur, kjo nga fakti se të njëjtin qëndrim e mban kur qëndrimet e tij i publikon në revistën turke “Atdheu i Turqëve”(“Türk Yurdu”). Prej kësaj që u paraqit më lartë, pohon z. Salim, se Shukri Ramo, pat haruar në disa fakte të rëndësishëm, siç ka qenë nënshkrimi sekret i dy dokumentave ndërshtetërore mbi shpërnguljen e Turqëve nga Jugosllavia në Turqi. Pastaj dhe shumë fakteve të tjerë që z. Salim i përmend në shkrimin e vet. Madje, Shukri Ramo-s ndoshta nuk i qenë të njohur edhe shumë fakte të tjera kur në fillim të viteve të 50-ta të shekullit të kaluar mbaheshin bisedime sekrete me Turqinë. Në këtë kohë ai verbalisht i beson Llazar Kolishevskit, e kështu ngjajshëm.
Fadil Hoxha, ish anëtar i Kryesisë së Këshillit Krahinor të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovë e Metohis. Si ilustrim i verbësis ose lajthitjeve të tij në lidhje me këtë çështje mjaft me rëndësi, z. Salim në mënyrë integrale e paraqet tekstin e tij në paraqitjen para mbledhjes speciale të Këshillit Krahinor të LS të PP të Kosovë e Metohis në vitin 1957. Këtu ai, veç të tjerave, bën fjalë edhe mbi shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Në sajë të tekstit të cituar, z. Salim vjen në disa përfundiome mjaft me rëndësi mbi shpërnguljen e shqiptarëve. Në radhë të parë që Fadilit duhej t’i ishte e qartë dhe e njohur se, vetëm 1951 dhe 1956, nga Kosova në Maqedoni përkohësisht u shpërngulë rreth 11.526 persona, me qëllimin e vetëm për migrim në Turqi. Vlerësimet e F. Hoxhës se tërheqja nga nënshtetsia jugosllave me qëllim të shpërnguljes në Turqi, iu qe mundësuar vetëm një numri të vogël të pakicës turke e shqiptare, sipas analistit në fjalë, nuk janë të sakta, sepse këtë shumë qartë e demantoj  eksodi masiv i të shpërngulurve.
Llazar Kolishevski,   kryetar i Kuvendit Popullor të RP të Maqedonisë së asaj kohe ka mossqarime të cilave verbalisht iu besonte dhe në mënyrë jo të vërtetë i përcillte në masën e popullit. Qëndrimet kontradiktore të këtij udhëheqsi në intervistën dhënë gazetës “Nova Makedonija” qe plot me të pavërteta dhe qëndrime kontadiktore. Zoti Salim, me fakte i  kundërpërgjigjet  të pavërtetave të këtij udhëheqsi të lartë të kohës. Ja disa prej tyre:
– Bëhet fjalë për shpërngulje, e atë masovike, e jo “për ndonjë migrim në Turqi të personave vetëm të pakicës kombëtare turke për shkak të disa arsyeve personale- të karakterit fisnor ose diçka tjetër”, siç  thotë Ll.Kolishevski.
Migrimi ka patur karakter masovik, e jo individual, ku qëllimi kryesor qe spastrim i tërësishëm nga popullsia myslimane i një numri të madh të fshatrave e qyteteve anembanë Maqedonisë.
Në Turqi veç Turqëve u shpërngulë edhe myslimanë të nacionaliteteve të tjera si: Shqiptarë, Torbeshë, Boshnjakë dhe Myslimanë të Sanxhakut. Për të mbështetur këtë fakt, z. Salim citon dokumentin e Ambasadës jugosllave në Ankara. Për të pavërtetat e Kolishevskit flasin edhe mbledhjet e mbyllura të organeve më të larta partiake e shtetërore. Edhe shumë fakte të tjera të cilat i ka tekstualisht  të paraqitura, flasin për mospranimin e tezës së Kolishevskit.
Vështrim kritik ndaj një kolegu (historiani). Duke lexuar punimet e kolegut të tij, historianit Qerim Lita, në lidhje me shtrirjen gjeografike të etnitetit turk në hapësirat e Maqedonisë dhe shpërnguljen në Turqi,   studiuesi Salim të pavërtetat e kolegut i parashtron si pyetje, edhe atë:
1. Vall me të vërtet Turqë ka patur ose ka vetëm në Maqedoninë Lindore?
2. Vall Turqit e shpërngulur kanë qenë vetëm nga Maqedonia Lindore, siç vërteton Q. Lita?
3. Vall rritja e numrit të përgjithshëm të popullatës turke në RP të Maqedonisë prej vitit 1948 gjer në vitin 1953 ka qenë i realtë…?
4. Vall është i vërtetë konstatimi i Q.Litës se në Turqi në periudhën prej 1953 dher 1959 një numër të shpërngulur prej 143.800 qenë vetëm Shqiptarë?
5. Vall është i vërtetë përfundimi i Q.Litës se kryetari Tito dhe minstri i punëve të jashtëme turke Fuad Köprülü, në vitin 1953, patën mbajtur bisedime për shpërnguljen e 400 000 Myslimanëve nga Jugosllavia në Turqi?
Studiuesi Salim duke lexuar me kujdes një shkrim të kolegut të tij ku bëhet fjalë mbi shpërnguljen e shqiptarëve nga Maqedonia në Turqi pas Luftës së Dytë Botërore, në raport me Turqit nga Maqedonia, siç përmenda edhe më lartë, të pavërtetat që i konstaton, duke i demantuar kategorikisht, ka tentuar që vetë t’iu japë përgjigje. Ja përgjigjet e tij:
Shikuar në një retrospektivë historike, Turqit në Ballkan jetojnë një kohë shumë më të gjatë para se të depërtojnë Turqit Osmanlionj në shekullin e 14, konstaton ky studiues. Prandaj teza e Q.Litës se kinse Turqë ka patur dhe ka vetëm në Maqedoninë Lindore (unë do shtoja, vall për çfar Turqish mendon historiani Lita? F.A.), është kategorikisht e pavërtetë. Elementin turk, jo vetëm që e ka në Maqedoninë lindore, por edhe në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. Ky element aty është present me shekuj, ky është një fakt historik i patjetërsueshëm, që e dëshmojnë  të dhënat stastistikore dhe shumë fakte të tjera historike që shumë lehtë mund t’i konstatojë edhe vetë kolegu historian, pohon studiuesi Salim.
Madje, autori Salim, poashtu e hedh poshtë kostatimin e pavërtetë të kolegut të tij, duke e cituar: “Turqit në Maqedoninë Perëndiomore kanë qenë aqë sa ka qenë numri i Shqiptarëve në Maqedoninë Lindore”. Këtë mohim të tij bindshëm e plotëson me shumë të dhëna statistikore lidhur me përbërjen etnike të Maqedonisë, sidomos asaj perëndimore.
Një absurd tjetër pa presidan, kur kolegu i tij kostaton se Turqit e shpërngulur paskan qenë vetëm nga territori i Maqedonisë Lindore. Që nuk është i vërtetë edhe ky konstatim, flasin të dhënat statistikore të cilat në shkrimin e autorit Salim  përmenden. Pastaj edhe një konstatim tjetër të cilin autori Salim e hedh poshtë. Nuk mundet të jetë e vërtetë që rritja   kaq e madhe e numrit të Turqëve të jetë si rezultat i turqizimit të Shqiptarëve! Edhe këtë demant ky e plotëson me shumë fakte dhe rrethanave të ndryshme të cilat qenë prezente në territorin e Maqedonisë në një periudhë më të gjatë kohore. Ka edhe shumë fakte të tjera bindëse, që unë këtu në interes së hapësirës, s’mund t’i përmend. Në shkrimet e kolegut të tij mund të gjenden edhe shumë të dhëna të tjera, të cilat mund të cilësohen si paushalle, nga fakti se nuk mund të gjenden fakte të tjera të cilat konstatimin e tij do ta tregojnë si të vërtetë.
Dhe sëfundi, në kritikat që ja bën kolegut të tij historian, autori Salim e hedh poshtë kostatimin se kinse në takimin që e patën qeveritarët turq me udhëheqsin jugosllav Titon  në fillim të viteve të 50 të shekullit të kaluar për kinse 400 000 Turq të shpërngulur në Turqi. Kërkesa ka qenë për një numër më të vogël.
Autori Salim, në kërkimet e veta të bëra nëpër arkivat shtetërore e diplomatike jugosllave-turke, lidhur me shpërnguljen e popullatës turke dhe popullatës tjetër myslimane në Turqi, në sajë të dokumentave që gjen, konstaton se ekzistojnë kontraverza të ndryshme. Kështu bie fjala për marëveshjen të ashtuquajtur “Xhentlemene” midis Jugosllavisë e Turqisë, është përfolur shumë. Disa autorë mendojnë se ajo nuk ka qenë e nënshkruar. Mirpo në kërkimet e tij, duke cituar dokumenta arkivore, konstaton se ajo ekziston dhe është e nënshkruar, dhe shpërngulja bëhej sipas asaj.
Megjithatë, shpërngulja e popullatës në fjalë nga Jugosllavia në Turqi, pas LD Botërore, nga organet më të larta shtetërore është mbajtur në një fshehtësi të madhe. Këtë e vërtetojnë edhe deklaratat e dhëna në mediat e ndryshme nga ana e udhëheqësve të lartë shtetërorë e republikanë. Jo vetëm shpërngulja, por edhe marrëveshja qe mohuar dhe e mbajtur në fshehtësi. Kjo shihet edhe nga intervista e Llazar Kolishevskit dhënë gazetës “Nova Makedonija” më 28 Mars 1954.
Duke u përqëndruar në shpërnguljen e Turqëve dhe popullatës tjetër myslimane nga Maqedonia në Turqi, konstaton   qartë   se akoma nga institucionet ish jugosllave e maqedonase nuk është gjetur e arsyeshme që të zbulohet arësyeja dhe saktësia e asaj se çfar pat ndodhur në vitet e 50 e të 60 të shekullit të kaluar. Pse në këtë kohë nga Jugosllavia dhe Maqedonia rreth 400.000 qytetarë myslimanë, prej tyre vetëm nga Maqedonia ishin rreth 250.000, qenë vënë në situatë dhe pakurfarë arsye objektive që në kushte paqësore t’i lëshojnë vatrat e tyre shekullore- pyet ky studiues. Megjithatë, në sajë të kërkimeve nëpër arkivat e Maqedonisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Turqisë, vjen në njohje, ku shprehimisht nënvizon: “Shpërngulja që ndodhi në periudhën në mes dy luftërave botërore, gjatë dhe pas LD Botërore, para së gjithash ka qenë pjellë e politikës së pushteteve të asaj kohe, të cilët në mënyrë të planifikuar, sistematikisht e të paramenduar punonin për nxitjen dhe zbatimin e shpërnguljes së   popullatës myslimane nga hapësirat e Serbisë Jugore, përkatësisht Maqedonis, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Mali të Zi dhe Sanxhakut, me qëllimin e fundit për pastrimin e këtyre hapësirave nga popullata e përmendur”. Siç shihet pra, shpërngulja  e popullatës myslimane qe e organizuar dhe sistematikisht mirë e planifikuar.
Duke qenë i interesuar për eksodin jo vetëm të popullatës Turke, por  edhe për myslimanët e tjerë (Shqiptarë, Boshnjakë e Torbeshë), sivjet (2018) kur mbushen 65 vjet, Salimi në një fejton të vet të titulluar “ME RASTIN E 65 VJETORIT TË FILLIMIT TË EKZODIT TË TURQVE TË MAQEDONISË NË TURQI”, të publikuar në katër vazhdime, i kushton kujdes të posaçëm kësaj tragjedie që ndodhi me popullatën turke, përkatësisht myslimane në shekullin e kaluar.
Edhe këtu, sikurse në shkrimet e tjera, tregon shpërnguljen e popullatës turke nga territori i Jugosllavis (Maqedonis, Kosovës, Bosnjës, Sanxhakut e më gjerë) në vitet e 50 e të 60-ta të shekullit të kaluar. Aty qartë shihen të dhënat mbi numrin e të shpërngulurve të cilat i komenton edhe tekstualisht duke ia bërë më të afërta lexuesit. Madje, në këtë fejton ai bën një analizë mjaft thelbësore të autorëve të fushave të ndryshme shkencore që janë marrë dhe merren me këtë problematikë njerëzore. Me plot të drejtë e kritikon njëanshmërinë e tyre. Në shkrimet e autorëve që i përmend qartë duket se ata kanë bërë margjinalizimin e etnitetit turk në shpërnguljen e tyre në Turqi. Disa autorë shqiptarë, në rradhë të pare ata nga Shqipëria, flasin vetëm për popullatën shqiptare që është shpërngulur, pa i përmendur Turqit. Disa të tjerë në numrin e Shqiptarëve kanë përfshirë një numër të dukshëm të Turqëve. Mënyra e veprimit të këtillë, në disa vite ka sjellë në rritjen artificiale   të popullatës shqiptare në dëm të asaj turke. Qëndrimi i këtillë mund të cilësohet si antishkencor.
Madje, jep një vështrim të regjistrimeve zyrëtare që janë bër pas lufte në nivel shtetëror dhe republikan, duke konstatuar se janë bërë shumë manipulime në dëm të etnive josllave.
Në disa shkrime mund të shihet se i jep rëndësi edhe anës diplomatike të vendit tonë. Detajisht i sqaron marëdhëniet Maqedonase-Turke, pastaj edhe ato Maqedonase-Shqiptare, prej mëvetësimit të Maqedonisë si shtet gjer në kohët e sotme.
Në lidhje me raportet me Turqinë, theks të veçantë i kushtohet heshtjes së marëdhënieve gjatë vitit 2017, kur në Turqi dështoj tentimi për grushtshtet. Kjo, sipas tij, ndodhi nga disa arsye kur Ankaraja zyrëtare kërkoj mbylljen e disa shkollave dhe institucioneve që vepronin në Republikën e Maqedonisë, patron i së cilave, sipas disave, ka qenë kontraverzi Fethulla Gülen, i cili kohë të gjatë jeton në Amerikë (ShBA). Në këtë rast disi pasiv u tregua vendi ynë. Turqia si vend me ndikim në rajon, kurdoherë qëndroj në krah të vendit tonë. Turqia i pati përkrahje, pavarsisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të RM. Pastaj, ajo qe vendi i dytë që e pranoj Republikën e Maqedoninë me emrin kushtetues, e shumë gjëra të tjera. Nuk mungoj as ndihma materiale nga ana e qeverisë turke. Gjatë 27 viteve të kaluara, Turqia i dha Maqedonisë një ndihmesë mjaft të madhe ekonomike, posaçërisht gjatë viteve të 90 të shekullit të kaluar. Jo vetëm kaq, ndihma nuk mungoj edhe në aspektin politik e shumë drejtime të tjera. Madje, aty mund të shihen sugjerimet korrekte që këtu ja bën z. Salim vendit tonë lidhur me raportet ndërshtetërore me Republikën e Turqisë. Insiston që ato të jenë në një nivel sa më të lartë, ashtu siç u ka hije dy shteteve që kanë një politikë paqëdashëse në rajon.
Marrëdhëniet maqedonase-shqiptare prej vitit 1991, përkatësisht pas shkëputjes së R. së Maqedonisë nga federate jugosllave dhe shpallja e saj si shtet më vete në vitin 1991, pastaj edhe pas demokratizimit të shtetit shqiptar, poashtu pas këtij viti, nga rezhimi komunist totalitar enverist, marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve fqinjë filluan të marrin kahje positive. Kjo mund të shihet në shkrimin e tij ku bëhet fjalë mbi raportet dhe bashkëpunimin maqedonas-shqiptar.  Qëllimi i vetëm në këtë shkrim që, siç thotë vetë, në momentin aktual, ka qenë me qëllim që të japë kontributin e tij në qetësimin e situatës së përgjithshme në vend dhe në marrëdhëniet maqedonase-shqiptare, që në disa raste kanë një zhvillim të padëshirueshëm.
Marrëdhëniet e këtyre dy shteteve aty trajtohen qysh prej kohës kur R. e Maqedonisë ishte si pjesë e federatës jugosllave. Në nivel federate, ku kontributin e vet e jepte edhe Maqedonia, marrëdhëniet me shtetin shqiptar gjer në vitin 1948 kanë qenë në rregull. Pastaj, pas Rezolutës së Inforbyros, po të këtij viti, shpejt përkeqësohen marrëdhëniet diplomatike, mbetet vetëm ndonjë bashkëpunim aty-këtu ekonomik.
Gjendja e këtillë vazhdoj gjer në vitin 1991. Pas këtij viti, Maqedonia si shtet më vete dhe e demokratizuar dhe Shqipëria prej shteti totalitar shndërrohet në shtet demokratik, marrëdhëniet në mes dy vendeve me një  trend më të përshpejtuar marrin kahje positive. Së shpejti vendosen lidhjet diplomatike, bashkëpunimet ekonomike  dhe ato kulturore rriten në nivel të duhur. Fillojnë lëvizjet e lira të popullatës nga të dy anët. Nuk mungonin as vizitat dhe takimet nga ana e udhëheqsëve më të latë shtetërorë, e kështu ngjajshëm.
Në një shkrim të veçantë shihet se përfaqësimi i pakicave kombëtare që jetojnë në R. e Maqedonisë në përfaqësitë diplomatike shtetërore nuk është në përputhje me përqindjen e tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë së shtetit.
I respektuari vendasi im Salim, nuk është vetëm studiues i mire në fushën shkencore, por edhe shok/mik i mirë. Këtë e dëshmon miqësia e tij gjysmëshekullore me një bashkfshatarin tim, me të cilin ka qenë shok i ngushtë për 12 vjet gjer në mbarimin e shkollës së mesme. Nuk mbaroj me kaq, edhe pse gjatë shkollimit të mëtutjeshëm qenë të ndarë, pasi Salimi studimet univerzitare i vazhdoj në Shkup, kurse shoku i tij, Petriti, në Prishtinë, ata lidhjet shoqërore si shokë nuk i ndërprenë. Lidhjet e tyre pas martesës, tani shndërrohen në lidhje miqësore familjare,   përforcohen akoma më tepër. Kjo lidhje vazhdoj gjer në momentin kur shokun e tij prej një smundje të rëndë e të pamjekueshme, kur ai  ka qenë akoma i nevojshëm që t’i shërbente familjes së vet, Perëndia e dërgoj në jetën e amshuar. Ky ishte fundi i një miqësie të dashur, të nderuar dhe të paluhatshme për gjysëm shekulli.
Për miqësinë populli thotë: “Shoku/miku lehtë mund të gjendet, por vështirë është që të mbahet kohë të gjatë”. Salimi, pra, pati mundësi ta mbajë gjer në fund.
Në fund si përfundim të këtij vështrimi tim modest që ja bëra punës shkencore, pa edhe punës diplomatike të Salimit, do thoja edhe këtë:
· së pari ka virtyte të pakrahasueshme njerëzore;
· pasion dhe aftësi për punë kërkimore- shkencore;
· njeri studiues i devotshmëm, i sinqertë dhe i respektuar ndaj çdo studiuesi që merret me studime shkencore;
· vazhdimisht lufton që ta nxjerrë në dritë të vërtetën historike, jo vetëm për kombin e tij, por edhe për të tjerët që jetojnë në territorin e Maqedonisë e më gjerë;
· në kohën e fundit është duke punuar, pa u kursyer, për tragjedinë/ shpërnguljen e kombit të tij në Turqi, që ndodhi në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar;
· është internacionalist i mire;
· në shkrimet e tij mund të shihen edhe punime me përmbajte diplomatike;
· ai nuk është vetëm shkencëtar i mire, por edhe diplomat .
Le të jetë vepra e tij shembull për historianët e rinj që kanë dëshirë të merren me veprimtari shkencore, kurse të nderuarit Salim, i dëshiroj punë të mbarë në fushën shkecore, por me shëndet, jetë të gjatë dhe gëzim në gjirin familjar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne