VERSIONI I KRYEPROKURORISË SË SHTETIT RRETH KËRCËNIMEVE DHE DORËHEQJES SË PROKURORIT BLAKAJ

Zyra e kryeprokurorit të shtetit, përmes një komunikate për media ka njoftuar se zyrtarisht asnjëherë nuk është informuar me shkrim nga prokurori tashmë i dorëhequr Elez Blakaj, se ka pasur ndonjë kërcënim në lidhje me punën e tij.

Sipas kësaj komunikate ky institucion zyrtarisht, deri tani ka pranuar vetëm dorëheqjen e tij, të cilën e ka drejtuar te Kryeprokurori i Prokurisë Speciale Reshat Millaku.

Megjithatë ka përmendur dy rastet për të cilat edhe më herët raportoi Insajderi, kur prokurori Blakaj ishte ndjerë i kërcënuar për punën e tij.  Në rastin e hetimit të listave të veteranëve dhe rastin e imamit Shefqet Krasniqi.

“Prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si “Lista e veteranëve të UÇK-së”, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës”.

“Kërkesa e prokurorit Blakaj është shqyrtuar dhe Policia e Kosovës ka vendosur të shtojë patrullimet në vendin ku komisioni po punonte si dhe në vendosjen e kontakteve të kohëpaskohshme në mënyrë që procesi të vazhdojë sipas planifikimit. Megjithatë, prokurori Blakaj nuk ka raportuar për këtë rast se ka ndonjë kërcënim ndaj tij”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu përmendet edhe rasti që lidhej me imamin Shefqet Krasniqi.

“Kryeprokurori i Shtetit ka informacione se prokurori Blakaj në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ka pranuar një mesazh kërcënues me fjalët: “Dënoi kriminelët, e jo hoxhallarët”, kurse më pas prokurori Blakaj e ka raportuar në polici, ku ka deklaruar se veten nuk e ndien të kërcënuar, por është i brengosur rreth familjes së tij, sidomos për fëmijët dhe ka kërkuar përcjelljen nga njësitet policore të fëmijëve të tij gjatë vajtje-ardhjes në shtëpi – shkollë”.

Sipas komunikatës mënjëherë pas marrjes së kërkesës Policia e Kosovës ka filluar me ofrimin e përcjelljes së fëmijëve të prokurorit Blakaj. Edhe në këtë rast, policia ka hapur rast hetimi ndaj kërcënuesit të prokurorit Blakaj.

Të gjitha këto veprime thuhet se u morën bazuar në Ligjit nr. 03/L- 225, nenin 22, parashihet se prokurorët kanë të drejtë të kërkojnë masa të veçanta mbrojtëse për veten dhe për familjet e tyre atëherë kur kërcënimi për jetën e tij dhe familjes vijën si rezultat i ushtrimit të funksionit të tyre.

“Këto janë të gjitha informacionet zyrtare që ka Kryeprokurori i Shtetit lidhur me rastin në fjalë dhe sapo të kemi ndonjë informatë tjetër nga prokurori Blakaj, Kryeprokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore konform mandatit dhe obligimeve ligjore. Ndërsa, për rastet – lëndët që ka pasur në punë prokurori Blakaj është kërkuar që të ndahen te prokurorët e tjerë në kuadër të PSRK-së dhe asnjë zbrazësi nuk do të lejohet në hetimin e plotë dhe të pavarur të secilit rast, pra edhe të rasteve në fjalë”, thuhet në fund të komunikatës.

Burimi: Insajderi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne