Faik MIFTARI
Gjatë ditëve të pushimit të Vitit të Ri më ra në dorë të lexojë librin e autorit arab Muhamed esh Shenkitit ”Mospajtimet politike ndërmjet sahabëve”. Librin sapo e mora së lexuari, nuk mund të ndahesha, ashtu që sa ora edhe e përfundova. Lexuesi shqiptar tani ka rast të njihet me një temë për të cilën gjer tani shumë pak është shkruar, për mospajtimet politike që kanë ndodh në mesin e sahabëve (shokëve), të profetit Muhamedit. Për vlerën dhe domethënien e këtij libri , në parathënien e tij, Rashid el Ganushi përveç tjerash cek:“Me gjithë numrin e vogël të librave që botohen në vendet arabe, numri i përgjithshëm i të cilëve nuk e tejkalon numrin e librave të botuar në ndonjërin prej vendeve më të vogla evropiane, kurse numri i atyre që lexohen është edhe më i vogël, ndërsa numri i atyre librave që meritojnë, me të vërtet, të lexohen, është shumë i vogël”. Me këtë libër Shenkiti ka dhënë një kontribut tejet të çmuar dhe shumë të rëndësishëm për ngjarjet politike që kanë ndodhur në shekullin e parë të kalendarit islam, të periudhës pas vdekjes së të Dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s., dhe se ky libër do të mund të mësohet dhe të përdoret edhe në teorinë e politikës islame. Më tutje Rashid el Ganushi cek se me këtë libër:“Shenkiti ka bërë një shërbim të madh dhe shumë të rëndësishëm për brezat e lëvizjes bashkëkohore islame me anë të rikthimit të qasjes që u ka bërë mospajtimeve ndërmjet sahabëve. Mospajtime këto që e kanë ngjyrosur historinë tonë dhe që ende janë prezentë me ngjyrën e tyre të veçantë, sipas mënyrës ideologjike që i bëhet kësaj pjese të historisë”.
Lexuesve shqiptar në përgjithësi e sidomos studiuesve dhe hulumtuesve e që merren me hulumtimin e çështjeve politike do të preferoja këtë libër për lexim, pasi që do të mund të njihen për së afërmi me mospajtimet politike që kanë ndodh në mes sahabëve (shokëve) , të cilin autori arab Shenkiti e prezanton me një qasje racionale, objektive, reale kundrejt asaj qasjeje të gjer tanishme të njohur në historinë islame, e ashtuquajtur si ” agresivitet emevit” apo “qerbelaizmit shi’it”.
Libri i Shenkitit jep të dhëna lidhur me mospajtimet politike që kanë ndodhur gjatë shekullit të parë të kalendarit mysliman ndërmjet sahabëve (shokëve), me ç’rast i prezanton të dy anët e medaljes, duke cek se:“Të mësuarit e historisë së të parëve, qoftë ajo e sahabëve apo tjerëve duhet ofrojë paraqitjen e figurës së plotë, me të dyja anët e saj të ndritshme dhe të errëta, të qëlluara dhe të paqëlluara, e që nganjëherë janë të stërngritura. Pasi që historia e njerëzve mbetet histori e atyre që janë nga mishi e gjaku, e jo histori e melaikëve që janë të krijuar vetëm për të adhuruar pa dhënë ndonjë mund”.
Kriza e tanishme e civilizimit islam daton nga kjo periudhë e hershme e qytetërimit islam, saktësisht mospajtimeve politike që kanë ndodh në mes sahabëve (shokëve) të të Dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s., kryesisht të mospajtimeve politike në mes Alisë dhe Muavisë, si një ngjarje më tragjike historike që ka ndodh, pasojat e të cilëve shtrihen edhe në ditët e sotme në botën islame. Shenkiti këto mospajtime politike në mes sahabëve(shokëve) i ka përmbledhur në 22 rregullat, nëpërmes së cilës jep arsyet e saja, duke cek kryesoren:“Me të vërtetë kriza e qytetërimeve dhe civilizimit islam në esencë është një krizë kushtetuese, ajo është një krizë, fara e së cilës u mboll në një natë fatkeqe për t’u shndërruar pastaj në një sprovë të verbër(siç ishte beteja e Devesë), për të kaluar më pastaj në një betejë më të ashpër(siç ishte ajo e Sifinit). Në këtë betejë ka triumfuar fuqia mbi të vërtetën, tirania mbi drejtësinë dhe monarkia mbi hilafetin”.
Është indikative se Shenkiti në librin e tij kryesisht bazohet në dijetarin apo studiuesin Ibn Tejmijen, i cili është i njohur në historinë islame, për kontradikta të shumta dhe qasje rigjide në interpretimet islame, me të cilin nuk janë pajtuar shumë dijetarë, të cilin e kanë kritikuar dhe kanë hedh poshtë mendimet e t’ia si të papranueshme, por edhe vet jam habit, kur kam lexuar librin se si Ibn Tejmije në mënyrë reale dhe me një qasje objektive i përshkruan mospajtimet ndërmjet sahabëve(shokëve) në çështjet politike, dhe si i tillë është i vetmi që në krahasim me studiuesit dhe hulumtuesit tjerë ka shkruar në mënyrë të gjithanshme lidhur me këto mospajtime, pavarësisht vërejtjeve dhe kritikave të shumta ndaj tij, ashtu që Shenkiti lidhur me Ibn Tejmijen cek:“Me të vërtetë mundi i Ibn Tejmijes është i dalluar për nga sasia. Sepse ai ka shkruar rreth mospajtimeve të sahabëve në çështjet politike më shumë sesa të tjerët”. Ibn Tejmije ka bërë një dallim shumë të mirë ndërmjet hilafetit dhe monarkisë, një dallim të cilën nuk e ka bërë askush para tij. Ai ka qartësuar se paralajmërimi i të Dërguarit a.s. për shkëputjen e halifetit në vete ngërthen qortimin, mangësinë dhe gjynahun për monarkët dhe se monarkia në vete bart edhe të mohuarit e një pjese të fesë së obliguar”.
Mosmarrëveshjet politike ndërmjet sahabëve(shokëve) nisën me vrasjen e halifit(udhëheqësit) të tretë të myslimanëve, hazreti Osmanit, pas të cilit u zgjodh hazreti Aliu për halif(udhëheqës) të katërt të myslimanëve. Guvernatorët të krahinave të ndryshme që ishin në atë kohë në kuadër të shtetit islam ia dhanë bejatin (besën) Alisë, përveç se Muavisë, guvernatorit të Shamit, i cili dhënien e besës e kushtëzoi së pari me kapjen dhe dënimin e vrasësve të halifit Osman. Por kjo doli që të jetë alibi për të arritur qëllimin e tij politik për t’u zgjedhur halif (udhëheqës) i myslimanëve, pasi që pas zgjedhjes së tij halif, jo vetëm që nuk u përpoq për të zënë dhe dënuar vrasësit e halifit Osman, por as që i ka përmend.
Beteja e parë e cila ndodhi në mes myslimanëve si pasojë mosmarrëveshjeve politike të sahabëve(shokëve) ishte e ashtuquajtur Beteja e Devesë, e cila ndodhi afër qytetit Basra në Irak, në të cilin halifi Aliu grumbulloi një ushtri prej 20.000 ushtarësh, ndërsa rivalët e tij h. Ajsha, Talha dhe Zubejri tubuan një ushtri prej 30.000 ushtarësh. Pas bisedimeve arritën të bëjnë një marrëveshje pajtimi, por pas kësaj në skenë dalin ithtarët e vrasjes së halifit Osman, të cilët duke u frikësuar se nga kjo marrëveshje do të pësojnë ata, u ndanë në dy taborë, natën duke iu bashkëngjitur palëve të kundërt, me ç’rast e nisën sulmin, dhe filloi beteja e përgjakshme, pasi që të dy palët besuan se pala e kundërt e ka shkel marrëveshjen. Beteja përfundoi me fitoren e halifit të katërt të myslimanëve,h. Alisë, me ç’rast në fushëbetejë mbetën të vrarë 10.000 ushtar nga të dyja palë, ndërsa mijëra tjerë mbetën të plagosur. Beteja e Devesë u zhvillua me datë 15 të muajit xhumadel-uhra të vitit 36 hixhri, apo me kalendarin e sotëm gregorian, 7 dhjetor 656. Kjo luftë u iniciua në saje të intrigave dhe tradhtisë nga ana e ithtarëve të vrasësve të halifit të tretë, h.Osmanit.
Sa për ilustrim të cek, se në betejën e Kadisisë në mes ushtrisë së perandorisë persiane (120.000 ushtarë) dhe ushtrisë arabe myslimane (38.000 ushtar) janë vrarë 8500 ushtarë mysliman, ndërsa në betejën e zhvilluar të Jermukut në mes ushtrisë së perandorisë bizantine(200.000 ushtar) dhe ushtrisë arabe myslimane (36.000) janë vrarë vetëm 3000 ushtarë mysliman. Në dy betejat më të mëdha të zhvilluara në historinë islame kundër bizantinëve dhe persianëve janë vrarë pothuajse numër i njëjtë i ushtarëve mysliman sa janë vrarë në betejën e Devesë në mes vet myslimanëve, si pasojë e intrigave dhe kurtheve të turbulluesve.
Beteja e Sifinit e cila pasoi më tutje në mes myslimanëve është tragjedia më e madhe e shënuar në historinë islame e cila nisi në fillim të muajit dhulhixhe të vitit 36 hixhri, apo në qershor të vitit 657, gjashtë muaj pas betejës së Devesë, në vendin e quajtur Sifin , në të cilin në radhët e ushtrisë së h. Aliut morën pjesë 120.000 ushtarë, ndërsa në radhët e ushtrisë së Muavisë, ishin 90.000 ushtar, që do të thotë gjithsejtë morën pjesë 210.000 ushtarë mysliman, në betejën e cila zgjati 70 ditë me ç’rast u vranë 70.000 ushtar mysliman, 45.000 ushtarë nga radhët e ushtrisë së Muavisë, dhe 25.000 ushtar nga radhët e ushtrisë së h.Alisë, që do të thotë se çdo i treti ushtar mbeti i vrarë në fushëbetejën e Sifinit. Beteja përfundoi pa fitues, pasi që pas bisedimeve u arrit që të themelohet një komision i cili do të merret me mosmarrëveshjet politike në mes të h. Alisë dhe Muavisë. Pas një kohe harixhitë (kundërshtarët e marrëveshjes së arritur) e vrasin Aliun, ndërsa dështuan të vrasin Muavinë, ashtu që pas 6 muajsh Muaviu bëhet halif(udhëheqës) i myslimanëve me ç’rast përfundoi periudha e hilafetit( udhëheqjes së zgjedhur) dhe pasoi periudha e monarkisë( trashëgimisë). Këto mosmarrëveshje politike janë duke vazhduar edhe në ditët e sotme në botën myslimane si vazhdim i mosmarrëveshjes politike në mes h.Alisë dhe Muavisë për lidershipin, udhëheqjen e myslimanëve në botë. Këto dy beteja tragjike në mes myslimanëve e ka përshkruar me një fjali të qëlluar , edhe ibn Tejmije në librin e Shenkitit, i cili ceku:” Beteja e Devesë ishte një luftë e intrigës dhe e sprovave, ndërsa ajo e Sifinit ishte luftë ndërmjet atyre që u rebeluan dhe udhëheqjes”.
Autori i librit Shenkiti jep një vlerësim mjaft të qëlluar dhe me vend për mospajtimet politike ndërmjet sahabëve(shokëve) duke e akuzuar Muaviun si shkaktar i këtyre ngjarjeve që sollën gjakderdhje të paparë në mesin e myslimanëve pasojat e së cilës zgjaten gjer në ditët e sotshme në të cilin është katandisur bota myslimane si pasojë e mospajtimeve politike aktuale. Shenkiti përveç tjerash thekson:” Muaviu dhe ata që ishin me të e çuan popullin në një luftë të brendshme, si pasojë e së cilës u vranë 70 mijë prej sahabëve më të përzgjedhur. Me keqja ka të bëjë me atë se ata i shkatërruan bazamentet e udhëheqjes së Halifatit të drejtë. Ata, po ashtu, nuk iu përmbajtën rregullave dhe parimeve islame në të kërkuarit e vrasësve të Osmanit, e as që mundën t’ua ruajnë myslimanëve sistemin pejgamberik të udhëheqjes dhe gjykimit në mes tyre. Përkundrazi, ata e shpifën sistemin mbretëror të qeverisjes, gjë që është risia më e rëndë e bërë në islam, kurse ndikimi i saj është prej ndikimeve më të këqija dhe më të tmerrshme ndaj myslimanëve në përgjithësi. Këta e hapën njërën prej dyerve më të rrezikshme të sprovave dhe intrigave, e cila nuk mund të mbyllet deri në ditët e sotme”.
Në përmbyllje të këtij vështrimi të librit të Shenkitit e përgëzoj Shtëpinë botuese Sira nga Prishtina për botimin e këtij libri duke e preferuar lexuesve për lexim me preferencën e Rashid al Ganushit në parathënien e tij të shkruar për librin e Shenkitit: ”Një libër që ia vlen të lexohet dhe të përsëritet leximi i tij”.