Demokratët e kanë emërtuar nismën e tyre të fundit kushtetuese si “vetting të politikanëve”, por vetë ata pranojnë se bëhet fjalë më shumë për një zgjatim apo thellim të dekriminalizimit.
Drafti i demokratëve parashikon edhe plotësimin e një formulari nga ana e politikanëve, njësoj si për gjyqtarët dhe prokurorët, përsa i përket figurës së tyre dhe lidhjeve apo kontakteve me njerëz të papërshtatshëm. Por, në krahasim me vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ky është vetëm një prej aspekteve të kontrollit të trefishtë, pasi njerëzit e drejtësisë verifikohen gjithashtu për aftësinë profesionale dhe pasurinë e tyre, e cila, nëse rezulton e pajustifikuar, u sjell shkarkimin nga detyra.
Kontrolli i pasurisë nuk është kaq i qartë në propozimin e PD-së për politikanët. Gjyqtarëve dhe prokurorëve u kërkohet të plotësojnë një formular të posaçëm për këtë, gjë që nuk gjendet në nismën e selisë blu. Gjithsesi, Neni 2, pika 5 në amendamentin e PD-së parashikon se kush “nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra”. Cili është ky organ përgjegjës për verifikimin e pasurisë mbetet e paqartë. Pas interesimit të Top Channel, selia blu shpjegoi se kjo do të përcaktohet më pas me ligj të posaçëm.
Në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përveç ILDKPKI-së, janë edhe organet e vetting-ut, nën mbikqyrjen ndërkombëtare të ONM-së, që kalojnë në sitë pasuritë e njerëzve të drejtësisë. Ndërsa për politikanët ende nuk dihet kujt mund t’i besohet një kontroll i tillë, në kushtet kur vetë ILDKPKI-ja e ka të pamundur të kryejë verifikime jashtë vendit.
Pikëpyetje mbeten edhe mbi organet që do të hetojnë lidhjet e politikanëve me krimin. Për vetting-un në drejtësi informacioni vjen nga SHISH-i, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe SHKB-ja. Por këto organe opozita i cilëson si nën kontrollin e kryeministrit apo të influencuara prej tij. Përsëri mbetet pyetja: kush do t’i verifikojë politikanët?
Drafti i PD-së nuk ka një përgjigje për këtë…
Burimi: Top Channel