Vettingu, Havari: Duhet pastrim radikal,1 mijë policë me probleme

Ish-drejtuesi i lartë i policisë, Mit’hat Havari i ftuar në studion e Report Tv shprehet se procesi i Vettingut që ka nisur ministri Xhafaj duhet të sjellë një pastrim radikal.

Ai thotë se Vettingu duhet të fillojë nga koka dhe deri te polici më i thjeshtë, ndërsa shprehet i bindur që numri i atyre që janë me probleme dhe rrezikojnë largimin nga radhët e policisë së shtetit janë mbi një mijë.

Vettingu duhet të fillojë nga koka, nga drejtori i policisë deri te polici më i thjeshtë, unë e mbështes si nisëm, por nuk di kush do të jetë në komision, çfarë figurash.

Në polici kanë penetruar njerëz të inkriminuar, një pjesë janë pasuruar me lekët e popullit, ata që u pasuruan kaluan në politikë dhe u bënë deputetë.

Policia shqiptare ka probleme të thella të trashëguara. Përjashtimi i shumë zyrtarëve për korrupsion nga policia, janë larguar dhe janë rikthyer sërish nga gjykata.

Janë kthyer në detyra me mbështetje, i kanë kthyer edhe i kanë bërë drejtorë qarqesh.

Do u tregoj nje rast, kisha një problem me një prokuror që ishte në Elbasan, negativ, kishte bërë një ndërtesë 4-katëshe, e pamundur me një rrogë shteti, kishte abuzuar. I bëra një foto ia thash prokurorit të përgjithshëm, asgjë nuk bënë.

Policia ka 12 mijë punonjës, kanë qenë 17 mijë, por jam i bindur që mbi një mijë po, duhet një pastrim radikal, pa mëshirë. Ata nuk do pranojnë detyra të ulta, pasi i kanë zgjidhur problemet e tyre dhe do të largohen” deklaroi ai.

Havari: Si ndalova vëllanë e politikanit me makinë të vjedhur…
Havari thotë se policisë shqiptare i mungon autoriteti, ndërsa tregon edhe një rast kur ishte në detyrë. “Policia shqiptare nuk ka autoritetin e policisë italiane dhe gjermane.

Nëse i paraqitet një politikan me shkelje, ai trembet, ata thonë ‘s’kemi ca t’u bëjmë’. Unë e kam bërë, por me kosto.

Do të tregoj një rast, kur isha në detyrë. Është një funksionar nga e djathta dhe vëllain e ndaluan se kishte një makinë qe rezultoi e vjedhur, ministri thotë të toleroj, unë i thash nuk kam ardhur këtu për të toleruar.

Ky politikani më mori në telefon dhe po grinte sallatë, por unë thash urdhër; Të bllokohet makina….Unë shpresoj shumë tek këta amerikanët” deklaroi ai.

Ministri Xhafaj firmosi para dy ditësh nisjen e punës për ngritjen e strukturave që do të përgatisin procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës, integritetit dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë, Gardës dhe SHÇBA-së.

Ky ishte urdhri i parë i firmosur nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Procesit të Vettingut do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e strukturave të mësipërme pa përjashtim, në të gjitha nivelet, nga drejtuesi më i lartë deri te specialisti më i thjeshtë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne