Vizita e presidentit të Ukrainës në Gjermani

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko është takuar këtë të shtunë me kancelaren gjermane Angela Merkel në Granse, 55 kilometra në veri-perëndim të Berlinit.

Lajmin e bëri të ditur Ministria e Jashtme ukrainase, sipas të cilës Poroshenko dhe Merkel kanë diskutuar mbi situatën në lindje të Ukrainës. Konkretisht, ka deklaruar ministri Pavlo Klimkin, kancelarja dhe presidenti janë fokusuar në mënyrat për t’i bërë presion Rusisë që të respektojë marrëveshjet e Minskut për t’i dhënë fund konfliktit në Donbas. Gjithashtu, palët kanë diskutuar edhe për procesin e integrimit Europian të Ukrainës, duke rënë dakord për asistencën që Gjermania do t’i ofrojë Kievit në këtë drejtim. Rusia, i ka marrë Ukrainës jo vetëm Krimenë, por e ka detyruar gjithashtu të nisë një luftë e cila ka marrë mijëra jetë dhe e ka shkatërruar një pjesë të vendit. Rindërtimi mund të arrihet vetëm me shumë përpjekje. Parakusht është që të mbajë armëpushimi i Minskut. Presidenti ukrainas u shpreh në Berlin skeptik në lidhje me shanset e kësaj marrëveshjeje. Për këtë është e shqetësuar edhe Gjermania. Sepse tanket dhe raketat ruse janë ende në Ukrainë. Ende ekziston rreziku i një sulmi të rebelëve me mbështetje nga Rusia ndaj qytetit port të Mariupolit në Ukrainë. Armëpushimi është shkelur në mënyrë të përsëritur. Megjithë përpjekjet diplomatike për marrëveshje të përbashkëta me Rusinë për çështjen e Sirisë, Merkel theksoi se perëndimi nuk e lë vetëm Ukrainën.

Sipas saj, frikërat se perëndimi mund të distancohet nga konflikti i Ukrainës me separatistët e mbështetur nga Moska në lindje të vendit janë të pabaza. Siria dhe terrorizmi, nuk e ndryshon faktin që SHBA dhe Evropa kundërshtojnë aneksimin rus të Krimesë dhe agresionin në Donbass. Megjithatë, kancelarja Merkel u shpreh se BE është i shqetësuar për ngecjen e reformave në Ukrainë. As qeveria dhe as presidenti dhe sidomos parlamenti ukrainas nuk janë përpjekur deri tani sa duhet, që të thyejnë sistemin e korruptuar në Ukrainë. Reforma e nevojshme e drejtësisë sapo ka filluar. Ukraina vazhdon të jetë e kapur nga oligarkët, të cilët me rrjetet e tyre të padukshme luftojnë për pushtet dhe ndikim në politikë dhe ekonomi. Madje edhe prokuroria e përgjithshme dhe shërbimi i fshehtë SBU përshkohen prej tyre. Prej këtyre strukturave Ukraina duhet të çlirohet. Konflikti me Rusinë në Donbass nuk mund të shërbejë më si justifikim për mungesën e zellit për reforma. Europa dhe SHBA vazhdojnë të jenë përkrah Ukrainës. Por pa reforma të brendshme radikale do të dështojë zgjimi politik. Europa dhe SHBA nuk duhet ta prekin më Ukrainën vetëm me doreza mëndafshi./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne