Vojisllav Sheshel: Nacionalisti ëndrra e të cilit nuk u realizua

Vojisllav Shesheli, i lindur në Sarajevë dhe që ishte një komunist i zëshëm deri kur pranoi një ideologji nacionaliste të një “Serbie të Madhe” dhe shkoi në luftë – do të dalë në gjyq në Hagë këtë javë për krime të dyshuara lufte dhe kundër njerëzimit.

Në fillim të viteve 1980, asnjë nga të njohurit e Vojisllav Sheshelit nuk do ta kishte menduar se fanatiku nacionalist që ëndërronte të krijonte një “Serbi të Madhe” do të përfundonte në bankën e të akuzuarve në një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte.

Më 11 prill, Mekanizmi i Gjykatave Penale Ndërkombëtare në Hagë duhet të dorëzojë vendimin e shkallës së dytë në gjyqin e liderit të Partisë Radikale Serbe.

Ai u lirua fillimisht nga akuzat në mars 2016 nga tre akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi në vitet 1990.

Rruga që mori Shesheli për famë politike në kohën e luftës dhe së fundmi në sallën e gjyqit në Hagë filloi në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Sarajevë, ku ai lindi në vitin 1954.

Gjatë kohës së studionte drejtësi në Universitet, “Vojo”, siç njihej, ishte një student i shkëlqyer dhe më pas u bë një nga asistentët më të rinj në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës. Ai la gjithashtu shumë përshtypje te studentët e tjerë.

“Ai ecte gjithmonë i emocionuar, me hapa të mëdhenj, njësoj sikur po maste ndërtesën e fakultetit. Ai dukej shumë agresiv në gjithçka që bënte,” kujton Boro Kontic, ish-shoku i klasës së Sheshelit.

Shesheli e filloi karrierën e tij politike në moshën 17 vjeçare kur u bë anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Në atë kohë, ideologjia e tij ishte thjesht komuniste në orientim. Përveçse ishte anëtarë në Lidhjen e Komunistëve, ai ishte gjithashtu shumë aktiv në shoqatën e studentëve.

“Edhe në atë kohë, ai kishte – dhe ngjarjet e mëvonshme do ta tregonin këtë – disa atribute vetë-projektuese të një lideri apo mesie, qofshin ato të justifikuara apo jo. Ai kishte një qëndrim autoritar, ishte zhurmshëm dhe donte të dominonte dhe të dëgjohej,” tha profesori Zdravko Grebo, i cili punonte në Fakultetin Juridik kur Shesheli studionte atje.

“Falë shtatit të tij të lartë j dhe pantallonave të shkurtra që ai vishte shpesh, për shkak të këmbëve të tij të gjata, ata e thërrisnin ‘Vojo gjirafa’. Ai disi mbizotëronte që atje lart, duke ecur më hapa të mëdha përmes ndërtesës së fakultetit, kështu e mori ai këtë nofkë,” shtoi Grebo.

Shesheli tashmë kishte treguar një tendencë për të vepruar si lider në shkollë të mesme, kur ai ishte kryetar i shoqatës, një studentë me dhjetë dhe anëtari më i ri i Lidhjes së Komunistëve në shkollë.

Ai nuk ishte i prirur të bënte shaka apo biseda të përditshme. Vlastimir Mijoviç, një gazetar veteran dhe redaktor i gazetës Osobodjenje, i cili ishte në shkollë të mesme me Sheshelin, e përshkroi atë si “komunist ortodoks mendjengushtë”.

“Ai ishte shumë inteligjent, megjithatë jo i zgjuar,” tha Mijoviç. “Shesheli ishte kokëfortë dhe i njëanshëm deri në thelb, si të ishte i programuar. Një fanatik nga koka deri te këmbët.”

Pasi hasi në probleme me Partinë Komuniste kur akuzoi një student për plagjiaturë, Shesheli filloi të lëvizte drejt ideve nacionaliste serbe.

Në vitin 1984, ai u dënua se bëri deklarata nacionaliste dhe bëri dy vjet burg para se të shkonte në Beograd, ku ai filloi të integrohej në qarqet nacionaliste serbe që ishin kundër regjimit komunist jugosllav.

Ai filloi të lëvizte drejt  ideve të çetnikëve, lëvizja monarkiste e Luftës së Dytë Botërore, lideri i së cilës Draza Mihajloviç u ekzekutua nga komunistët. Grupet çetnike ishin të ndaluara nën sundimin komunist për shkak të bashkëpunimit të tyre me Gjermaninë naziste, por në vitin 1990, ndërsa sistemi me një parti u shpërbë, Shesheli themeloi Lëvizjen e tij Çetnike të Serbisë.

Kjo çoi në dënimin e tij të dytë me burg në vitin 1990, kur ai u dënua se u përpoq të dëmtonte Shtëpinë e Luleve, ku është varrosur presidenti jugosllav Josip Broz Tito.

I patrembur, ai e quajti veten një “dukë” çetnike, dhe ndërsa ishte në burg, paraqiti kandidaturën presidenciale në zgjedhjet e para shumëpartiake në ish-Jugosllavi.

Edhe pse fitoi vetëm rreth 90,000 vota, kjo e katapultoi atë në post të shquar në skenën politike të Serbisë. Ai themeloi një grup të ri të ekstremit të djathtë, Partinë Radikale Serbe, në vitin 1991 dhe po atë vit u bë deputet në Asamblenë Kombëtare të Serbisë.

Pasi Jugosllavia filloi të shpërbëhej, Shesheli krijoi një njësi paraushtarake vullnetare, të quajtur “Seseljevci”, (“Burrat e Shesheli”) të cilët morën pjesë në konfliktet në anën serbe krahas grupeve të tjera ushtarake.

Gjatë luftërave, ai u bë i njohur për retorikën e tij ekstreme, të cilën ai e përdori për të mobilizuar serbët në të gjithë rajonin.

Ai mbështeti publikisht krijimin e zonave individuale mono-etnike përmes spastrimit etnik. Në atë periudhë, ai përkrahu gjithashtu idenë e një “Serbie të Madhe”. Sipas Sheshelit, ideja bazohej në parimin se “aty ku ka varre serbe, duhet të jetë tokë serbe”.

Serbia e Madhe e Sheshelit përfshinte të gjithë Serbinë dhe Kosovën e sotme, plus Maqedoninë, Bosnjën dhe Malin e Zi, si dhe pjesën më të madhe të Kroacisë.

Gjatë një vizite në vitin 1991 në qytetin kroat lindor të Vukovarit, i cili ishte nën rrethimin e forcave të Beogradit, ai lajmëroi luftëtarët e tij dhe median se “asnjë ustash” nuk do të lejohej të largohej nga qyteti.

Përpjekjet e tij për të dëbuar jo-serbët nuk ishin të kufizuara vetëm në Kroaci; në një fjalim në qytetin Apatin në provincën veriore të Vojvodinës së Serbisë në vitin 1992, ai tha se të gjithë kroatët e mbetur duhet gjithashtu të dëbohen nga Serbia.

“Ne nuk do të vrasim asnjë. Thjesht do t’i fusim ata nëpër autobusë dhe do t’i çojmë në kufirin kroat,” tha ai.

Natyra e njësisë së tij “Seseljevci” mbetet e diskutueshme, pasi Shesheli pretendon se ka pasur mbështetjen – stërvitje, armë dhe para – nga shteti serb, ndërsa Sllobodan Millosheviç dhe bashkëpunëtorët e tij, si në ushtri ashtu edhe në aparatin shtetëror, mohuan të kishin ndonjë lidhje me veprimet e paraushtarakëve.

Në janar të vitit 2003, Gjykata e Hagës ngriti një padi, duke akuzuar Sheshelin për dëbimin e dhjetëra mijërave të jo-serbëve dhe vrasjen e së paku 905 boshnjakëve dhe kroatëve.

Ai shkoi vullnetarisht në Hagë një muaj më vonë dhe e deklaroi veten të pafajshëm, por para se të dorëzohej, ai mbajti një fjalim sfidues, duke këmbëngulur se do të pastronte emrin e tij. “Me akuzat e tyre idiote kundër meje, ata kanë dalë kundër mendjes më të madhe ligjore serbe. Do t’i shkatërroj fare ata,” këmbënguli ai.

Gjyqi filloi në nëntor 2007 pas një sërë vonesash, përfshirë një grevë urie nga Shesheli në shenjë proteste pasi iu caktua një avokat nga gjykata. Ai refuzoi ndihmën ligjore nga gjykata e mbështetur nga OKB-ja dhe u tall me ofertën për një avokat të caktuar nga gjykata.

“Ju e paraqitni gabimisht këtë burrë me një fole zogu në majë të kokës si avokatin tim mbrojtës. Ai nuk do të jetë kurrë avokati im mbrojtës. Keni sjellë aktorët këtu për t’u hequr si avokatë mbrojtës, por ata nuk do të jenë kurrë  avokatët e mi mbrojtës. Ata janë spiunët tuaj,” i tha ai gjykatës.

Ndërsa u mbajt në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së në Hagë, Shesheli botoi një sërë librash, përfshirë një të quajtur “Projekti Kriminal Katolik Romak i Kombit Artificial Kroat”.

Ai u shpreh se gjykata ishte produkt i një komploti – duke thënë në fillim se Papa dhe Vatikani ishin të përfshirë, më pas fajësoi Gjermaninë dhe, herë pas here, duke argumentuar se Britania dhe Shtetet e Bashkuara ishin pas saj.

Ai e quajti gjyqin e tij “një skandal ligjor pa precedent në historinë ligjore të kohëve të fundit”, duke theksuar se as Hitleri dhe as Stalini nuk ishin gjykuar në mënyrë të tillë.

Duke vazhduar talljen e tij të gjykatës, ai bëri thirrje për dënimin më të gjatë të mundshëm për ideologjinë e tij nacionaliste. “Dëshiroj një dënim me vdekje. Do të ishte një fund ideal për karrierën time politike dhe ligjore,” tha ai.

Kur gjyqtarët i kërkuan të ngrihej në këmbë gjatë gjyqit të tij, Shesheli u përgjigj: “Të ngrihem për ju? Ju nuk jeni normal. Ju jeni llumi i tokës. Si mund të ngrihem unë për ju? Unë jam një duke çetnike.” Ai deklaroi gjithashtu në një rast tjetër se ai ishte krenar për “ideologjinë e tij nacionaliste”.

Gjatë kohës që ishte në Hagë, ai u gjykua gjithashtu tri herë për shpërfillje të gjykatës, kryesisht për shkak të deklaratave që fyenin apo talleshin me Gjykatën. Ai u dënua me katër vjet e nëntë muaj burg për këtë.

Megjithatë, pavarësisht të gjitha polemikave, gjyqi i tij arriti të tregonte se njësia e tij “Seseljevci”, bashkë me forca të tjera serbe, pushtuan shumë qytete dhe fshatra në të gjithë Kroacinë lindore dhe Bosnjën dhe Hercegovinën duke vrarë, grabitur dhe torturuar civilë jo serbë.

Historia e Sheshelit më pas mori një tjetër kthesë në vitin 2014, kur për shkak të gjendjes së tij të dobët shëndetësore, Gjykata vendosi ta lironte atë përkohësisht që të kurohej nga kanceri në Serbi.

Por në vend që të largohej qetësisht, ai iu rikthye zhurmshëm jetës politike në Beograd, u rizgjodh si deputet serb dhe deklaroi se s’do të kthehej më kurrë vullnetarisht në Hagë. Ai gjithashtu vazhdoi ta tallte gjykatën e OKB-së, duke u shprehur se kishte fjetur gjatë të gjithë apelit të prokurorisë kundër lirimit të tij nga akuzat për krime lufte.

Edhe në ditët e sotme dalja e tij në media tërheq ende vëmendjes – siç ishte rasti kur ai mbajti një tubim në mbështetje të fushatës presidenciale të Donald Trump apo kur u hoq si gjyqtar i Gjykatës së Hagës në një program televiziv serb – por ylli i tij në politikë është zbehur.

Në vitin 1992, Partia e tij Radikale kishte 101 nga 250 vende në Parlamentin Serb. Tani ka 22 deputetë të Partisë Radikale në parlament, edhe pse ata promovojnë ende ëndrrën e Sheshelit për një “Serbi të madhe”, ideologjia që ushqeu luftërat dhe e çoi liderin e tyre në Hagë.

Disa nga aleatët e Sheshelit nga vitet 1990 kanë bërë pak më mirë për veten e tyre – ish-zyrtari i Partisë Radikale Aleksandër Vuçiç është tani president i Serbisë. Nëse Shesheli dënohet më 11 prill, Vuçiç mund të jetë në pozicionin e sikletshëm ku do të duhet të vendosë ta dërgojë apo jo shefin e tij të vjetër në Hagë për të kryer dënimin e tij.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne