Vojisllav Sheshel promovon nacionalizmin serb dhe Serbinë e Madhe

nga Fejzulla Abdullai, Detroit, SHBA

Në faqet e internetit pata rastin që të shoh një analizë të bërë veprës shkencore të një studiuesi serb që për mua i panjohur, me përmbajtje të një ideologjie nacionaliste, do të thoja edhe shoveniste, serbe. Libri i shkruajtur si monografi, është botuar në Beograd në vitin 2002 nën edicionin “Velika Serbija” (“Велика Сербија”) (shqip: “Serbia e Madhe”).

Analizën shkencore me përmbajtje kryekëput naciopnaliste (këtë e tregon edhe vetë titulli i librit), e ka bërë kryetari i Partisë radikale (çetnike) serbe, Vojisllav Sheshelj. Parashtrohet pyetja, pse ky e ka bërë analizën e veprës shkencore të këtij autori ? Përgjigjia është e thjeshtë, sepse edhe ky është një ultranacionalist dhe pseudoshkencëtar serb dhe kryetar i partisë së përmendur nacionaliste, ndaj edhe libri (monografia) e ka titullin e lartëpërmendur.

Pasi libri (monogtrafia) është mjaft voluminoz (rreth 1000 faqe), ku mund të shihet edhe material që për mua nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, unë vemendjen e lexuesit do ta drejtoja atje ku analisti Sheshelj vë në dukje autorin e librit, i cili popujt e tjerë sllavë të Ballkaniti quan serbë, kurse të tjerët i ignoron, dhe pastaj, për trojet e huaja që ai iquan serbe, u dashka t’i bashkëngjiten Serbisë, në këtë mënyrë të krijohet Serbia e Madhe, për të cilën paska ëndërruar gjithë jetën e tij!

Autori Sheshelj, në analizën e tij thotë se studiuesi Llaze Kostiq ka qenë jurist dhe profesor univerziteti. Pat shkruar shumë libra studimore dhe artikuj të ndryshëm me karakter shkencor para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Monografinë e shkruan vetëm për opusin shkencor të tij pas luftës. Studimet e Kostiq-it në migracion i kanë qenë kushtuar tërësisht çështjes nacionaliste serbe.Veç kësaj, ky ultranacionalist, pat shkruar edhe dy monografi për këtë autor në formë fejtoni, publikuar në “Velika Serbija”, gazetë e Partisë Radikale Serbe.

Libri është i ndarë në 15 kapituj. Në Kapitullin e parë bëhet fjalë mbi substratin historik të identitetit nacional serb; Kapitulli i dytë tregon se si e kanë marrë kroatët gjuhën serbe; Kapitulli i tretë tregon mbi serbët katolikë; në Kapitullin e katërt bëhet fjalë mbi Njegoshin dhe serbizmin; Kapitulli i pestë i kushtohet Boka Kotor-it serb; Kapitulli i gjashtë përfshin pakicat kombëtare dhe kombet “artificiale” në vendet serbe; Kapitulli i shtatë, njëmijë vjet barbarizëm kroat; Kapitulli i tetë, Kroatët si keqëbërës më të mëdhenj ndaj popullit serb; Kapitulli i nëntë, ndërgjegjia nacionale serbe; Kapitulli i dhjetë, emigracioni serb; Kapitulli i njëmbëdhjetë, fatkeqësia e jugosllavizmit; Kapitulli i dymbëdhjetë, keqëbërja e komunizmit; Kapitulli i trembëdhjetë, Bosnja Serbe; Kapitulli i katërmbëdhjetë, parimet liberale e demokratike të rendit modern juridik, dhe Kapitulli i pesëmbëdhjetë, ideologjia shtetformuese serbe.

Në vazhdim do të bëj një vështrim të kapitujve për të cilët mendoj se janë të rëndësishëm dhe që do ta tërheqin vemendjen e lexuesit.

I

Kapitulli I: Këtë kapitull autori e ka ndarë në katër nën kapituj: 1.Vendndodhja e parë e popullit Serb 2. Historia politike serbe 3. Feja serbe 4. Shenjat kombëtare serbe.

Autori duke i vënë rëndësi të veçantë vendit të prejardhjes serbe, pastaj edhe vetë emrit serb, është munduar që të sqarojë vendparaqitjen e parë të Serbëve. Sipas tij, nuk u ditka me saktësi se prej cilës degë sllave e paskan prejardhjen serbët! Sllavët, sipas tij, paskan jetuar prej brigjeve veriore të Detit të Zi gjer në brigjet jugore të Detit Balltik; prej Uralit në lindje gjer në pellgun e Labës në perëndim. Për herë të parë sllavët nga autorët romakë e grekë qenkan përmendur me emrin Vendë. Disa shekuj më vonë me emrin Skllavinë ose Antë.

Lidhur me prejardhjen e serbëve e kroatëve, autori qysh në fillim tregon vendprejardhjen e ndryshme të tyre. Sipas disa autorëve egzistuakan dy mendime: sipas disave serbët në Ballkan paskan ardhur nga Galia e sotme, sipas të tjerëve nga Saksonia e sotme, kurse për kroatët thuhet se kanë prejardhje nga rrethi i Krakov-it dhe verilindjes së Çekisë. Në kohën e fundit disa hulumtues paskan konstatuar se Serbët paskan migruar nga territori poljak. Sipas një autori (Novakoviq) që e citon autori, serbët në fillim qenkan quajtur Serbë të bardhë (Бели Срби) që do të thotë serbët e Lab-it. Madje, aty ky autor jep një sqarim pak si të detajuar për vendpozitën e parë të Serbëve, veçmas e të kroatëve. Për të mos hyrë më thellë, këtu ai bën ndarjen në pikpamje nacionale në mes serbëve e kroatëve, edhe pse siç do shohim më vonë, ai edhe autorë të tjerë serbë, lansojnë tezën se kroatët janë serbë me një të folme të një dialekti tjetër!

Sipas konstatimeve të autorëve serbë të cilëve iu referohet Kostiq-i, Ballkani, para se të vinë Serbët, paska qenë i populluar qysh para dyzet mijë vjet! Këtë e dëshmuakan gërmimet arkeologjike të autorëve serbë!? Një konstatim i këtillë edhe pse mund të jetë hipotetik, nuk mund të pranohet si i tillë pasi në atë kohë ka qenë koha e akullit (diluvium-i) dhe kushtet për të mbijetuar njeriu kanë qenë tejet të vështira.

Serbët në Ballkan, sipas tij, paskan ardhur me thirrjen e mbretit Irakli, i cili pat sunduar gjatë vitit 610 dhe 641. Në fillim qenë vendosur rreth Selanikut, pastaj në vendet në mes lumit Sava e masivit malor Dinarik. Një pjesë tjetër në veri të Olimpit në Greqi. Principatat e para serbe paskan qenë: Neretlanja, Zahuma, Travunja dhe Dukla. Madje konstaton se serbët qenë shtrirë në një tokë krejtësisht të shkretuar. Një pjesë e vogël me popullsi serbe të vjetër ballkanike, edhepse qe romanizuar e asimiluar, pati mundësi që ta ruajë gjuhën serbe.

Në vazhdim të tekstit, autori Kostić shkruan mbi historinë e serbëve në vendet e reja. Se sa është i realtë, këtë le ta shohin ata lexues që si profesion e kanë historinë.

Duke i përfshirë vendet e tjera që shtrihen jashtë territorit të sotëm serb dhe që i trajton si vende serbe, aty veçmas flet për karakteristikat e tyre. Këtu bëhet fjalë mbi historinë e Bosnjës serbe; Malin e Zi serb; Krainën serbe; Panoninë serbe; Dubrovnikun serb dhe Maqedoninë serbe. Që të gjitha këto qenkan vende serbe! Një absurd dhe falsifikim shkencor pa presedan i historisë!

Me disa fjalë po përmend vetëm disa prej tyre.

Bosnja Serbe – Gjatë sundimit romak, trojet boshnjake shumë pak qenë populluar. Kjo ka qenë nga fakti se aty sulmet avare i patën lënë gati pa pupullatë. Në shekullin e shtatë serbët aty patën gjetur një numër fare të vogël të cilët shumë shpejt i paskan asimiluar. Sipas tij, të gjitha burimet historike dëshmojnë se pas ardhjes së serbëve në Ballkan, Bosnjën e paskan populluar vetëm Serbët! Me popullatën kroate pat egzistuar një kufi i qartë etnik. Kufiri pat kaluar nga gryka e Lumit Cetinje, nëpër Livanjsko Polje, gjer te lumi Pliva e Vërbas. Në lindje në Serbinë e parë, kufiri pat kaluar gjer në Bullgari dhe në veri e pat kaluar Danubin. Në shekullin e X si hapësirë rreth lumit Bosnja, kufirin e ka patur gjer te lumi Drina, në lindje.

Panonia Serbe – Gjatë dyndjeve të mëdha Serbe, një pjesë e tyre u vendosën në anën e Panonisë. Aty ata paskan gjetur vetëm një numër të vogël të hunëve dhe shkatërrimet avare. Më vonë kjo popullatë u asimilua në serbë, kështu që Panonia si rajon qe tërësisht populluar nga serbët. Për këtë sot flasin emrat e toponimeve që janë në gjuhën serbe. Nga kjo shihet se vetë toponomastika flet se Panonia përkurdoherë ka qenë e populluar me Serbë, ndaj dhe tani u dashka të quhet serbe (ku janë kroatët dhe hungarezët?). Pyetja është, vall kështu mendojnë sot kroatët dhe hungarezët të cilët aty i ka me një numër të konsiderueshëm?

Dubrovniku Serb – Këtë qytet në shekullin e shtatë e paskan themeluar sllavët me emrin Raguza, dhe më vonë me emrin Dubrovnik. Popullatën e qytetit kryesisht e përbënin romejët. Aty për një kohë të gjatë si gjuhë zyrëtare paska qenë latinishtja. Në këtë qytet të posaformuar, serbët paskan ardhur nga vendet serbe përrreth dhe në këtë mënyrë rritej numri i popullatës, qyteti (shteti i vogël) paska filluar gradualisht të ketë karakter serb, ndërsa latinishtja si gjuhë zyrëtare u ndaluaka të përdoret. Tani të gjitha kontratat ndërkombëtare, shkruheshin në gjuhën serbe, duke e përdorur alfabetin qirilik. Prej shekullit të XIV aty filloi të zhvillohet letërsia serbe. Identiteti nacional serb gradualisht qe forcuar. Pavarsinë e këtij qyteti popullata Serbe e paska ruajtur me një fanatizëm të madh. Një gjë të këtillë e paskan kushtëzuar interesat ekonomike e politike.

Maqedonia serbe – Nga kjo gjeohapësirë si tërësi natyrore-gjeografike, nënvizon autori, Serbisë i takuaka vetëm 37% dhe është e shtrirë në pjesën më të madhe në pellgun e lumit Vardar. Për dy pjesët e tjera, një e Greqisë dhe tjetra e Bullgarisë, ekzistuakan vetëm si kuptim gjeografik. Pupullata Maqedonase aty paska mbaruar së asimiluari, duke u shndërruar në atë Greke e Bullgare. Në pjesën tjetër që e paska çliruar ushtëria serbe, poppullata Maqedonase e paska ruajtur identitetin e vet kombëtar. Autori i këtij libri vë në dukje se maqedonasit nuk mund të thuhet që janë serbë, por “me siguri janë grup etnik që është më afër serbëve (“Али су сигурно етничка група која је нај сроднија Србима”). Serbët e maqedonasit qenkan si vëllezër binjakë. Nuk qenkan të njëjtë, por shumë të ngjajshëm! Popullata Maqedonase emrin “Maqedoni”, sipas tij, e paska marrë nga popullata e shtetit antik Maqedoni që qe formuar në shekullin e shtatë para erës sonë. Maqedonasit e shtetit të parë antik i paskan takuar strukturës etnike greke me përzierje të Ilirëve e Trakasve.

Territori i Maqedonisë, veç popullatës së vjetër, u popullua edhe me popuj sllavë. Sllavët e jugokarpatëve kryesisht qenë koncentruar prej Gjerdapi gjer në Danub. Këtij grupi i kanë takuar edhe skllavinët, rusët, ukrainasit, bellorusët dhe serbët. Në territorin e Maqedonisë, bullgarët nuk u asimiluan në Skllavinë. Kjo, sipas autorit Kosti

, është një diferencim etnik i maqedonasve nga skllavinët. Këtu nuk mund të shihet ndonjë sqarim i saktë se në çfarë mënyrë ky autor tani bullgarët i quan maqedonas (ndoshta mendon sipas vendit që quhet Maqedoni?). Në fillim të shekullit të VII vazhduaka diferencimi në mes popullatës sllave (çfar diferencimi mendon autori, aty nuk mund të shihet). Në rrethinën e Selanikut u vendos një numër i vogël i Serbëve. Kjo popullatë e ngjajshme me Skllavinët, më vonë qenka asimiluar.

Depërtimit sllav rezistencë i pat bërë Bizanti, por më vonë kjo rezistencë qenka dobësuar tepër dhe nuk ka patur mundësi kush ta pengojë depërtimin nga veriu. Territori i Maqedonisë me të madhe filloi të mbushet me popullatë sllave, sidomops prej viteve të tetëdhjeta të shekullit të gjashtë gjer në vitet e njëzeta të shekullit të shtatë.

Pasi Maqedonia Skllavine qe populluar dendur me popullatë sllave, në vitin 811 i bashkohet kanit bullgar, Krum dhe Avarëve. Më vonë Maqedonia udhëhiqet nga Samoil-i të cilin autori e quan me origjinë bullgare. Ky udhëheqës qendrën e kishte në Prespë. Pas Samoil-it, në fron vjen djali i tij, Gavrillo Radomir-i.

Në tekstin e këtij libri shihet se autori mundohet të japë argumente se kinse Maqedoninë nga pushtimi Osman e paska çliruar Serbia. Në vitin 1912, pohon autori Kostiq, Serbia pasi e çliroi këtë territor, me shtetin Bullgar bëri një aleancë ushtarake, ku më vonë iu bashkua Greqia e Mali i Zi. Qëllimi i këtij pakti qe ndarja e Maqedonisë. Meqë nuk u gjet një zgjidhje e kënaqshme për Serbinë, ndërmjet këtyre shteteve nisi një luftë tjetër (Lufta e Dytë Ballkanike) për territorin e Maqedonisë së “çliruar” nga Serbia. Me mbarimin e kësaj lufte në vitin 1913, me marëveshjen e Bukureshtit, Maqedonia u nda në tre pjesë. Territorin që e morri Serbia nuk pati dot mundësi që aty ta tërheqë tërësisht administrimin ushtarak, sepse ishte dashur që t’i shuajë trazirat shqiptare (“шиптарске немире), siç i quan ai. Me angazhimin e 50 maqedonasve në ushterinë serbe, Serbia pati mundësi që të realizojë qëllimin e vet. Këtu autori Kostiq vë në dukje edhe një fakt: Sipas tij, vendet aleate paskan kërkuar që Serbia ta rrezikojë Maqedoninë që ta përfitonte Bullgarinë, mirpo qeveria serbe në asnjë mënyrë nuk qenka pajtuar, pasi “Maqedonia për të, qenka pjesë integrale në kuptimin e drejtë të fjalës”. Edhe pse Serbia e “çliroi” Maqedoninë, në një konflikt tjetër që pati me Bullgarët, në vitin 1915 e humbet pjesën e saj. Më vonë përsëri e rimerr pjesën e humbur.

Në këtë kapitull autori bën fjalë mbi fenë serbe. Sipas tij, kisha serbe i paska në juridiksionin e vet të gjitha kishat në vendet e “çliruar” nga Serbia. Kjo qe mundësuar pas Luftës së Parë Botërore, me bashkimin e të gjitha trojeve serbe.

Madje, aty bëhet fjalë mbi letërsinë dhe shkencën serbe. Ajo çfar bije në sy është se autori i këtij libri është munduar që me “argumente të ndryshme” shumë shkrimtarë dhe shkencëtarë të dalluar të etnive joserbe, t’i quajë për Serbë!

II

KAPITULLI VI: Këtu autori përfshin pakicat kombëtare dhe kombet “artificiale” në vendet serbe, ku çështjes së tyre i jep një rëndësi të veçantë.

Aty së pari flet mbi vllehët si pakicë kombëtare në trojet serbe. Sipas tij, paska dallim në mes vllehëve, dhe cincarëve ose kucovllehëve. Më së tepërmi i ka në vendet jugore serbe. Në Maqedoni e paskan emrin arvanitë ose arvanito-vllehë! Emri kucovllehë qenka me prejardhje greke. Si pakicë tjetër kombëtare në vend të dytë, autori i përmend rumunët, hungarezët e kroatët. Pakica rumune është e vendosur në pjesën lindore të Vojvodinës. Me numër rumunët janë të pakët. Po ashtu edhe në pjesën perëndimore të Rumanisë ku jeton pakica serbe qenka me numër të vogël. Aty autori Kostiq, duke iu referuar Cvijiq-it, është i mendimit se çështja e tyre mund të zgjidhet lehtë. Ose me ndërrimin e popullatës ose me ndërrimin e territorit.

Theks të veçantë i është kushtuar “problemit” të islamizimit dhe arbanizimit (shqiptarizimit) të serbëve. Në vendet e “paçliruara” serbe nga turqit, sidomis në Bosnjë, Serbinë e Vjetër dhe Maqedoninë, një numër i madh i “turqëve” ndër të cilët ka patur mjaft serbë të islamizuar, sipas tij, qenkan vendosur në Bosnjë. Lëvizja e këtillë mundësoj që në këtë anë të rritet mjaft numri i myslimanëve.

Interesant është për t’u habitur, kur autori Kosti

, sqaron procesin e asimilimit, i cili, sipas mendimit tim, nuk ka kurfarë baze shkencore. Në kategorinë e turqëve, sipas tij, trajtohen të gjithë të ardhurit, vendet e të cilëve pushteti turk me shekuj i pat pushtuar. Burimisht ata qenkan të nacionaliteteve të tjera, por të përkatësis myslimane, ndaj shumë lehtë qenkan tretur në turqë!

Shqiptarët me të madhe paskan depërtuar në Serbinë e Vjetër, sidomos pas emigrimeve të mëdha nga ky rajon të vitit 1690. Gjer në këtë vit “konstaton” se aty nuk paska shqiptarë! Me ardhjen e tyre, filluaka spastrimi i serbëve dhe tortura të mëdha ndaj popullatës së pafajshme serbe (Vetëm të kujtoj, emigrimet e mëdha, siç i quan ky autor, nuk qenë bërë nga torturat dhe presionet e shqiptarëve, por nga disfatat serbe). Përkatësinë nacionale nuk paskan patur mundësi ta deklarojnë. Aty në mënyrë të përshpejtuar bëhej denacionalizimi i trojeve serbe. Në trojet serbe, shqiptarët paskan ardhur me ndihmën e turqëve. Kjo qenka me qëllim që shqiptarët të jenë si barierë e depërtimit të serbëve në drejtim të tokave serbe, në jug. Madje, autori Kostiq, jep një sqarim se në çfar mënyrë qe bërë shqipatrizimi i popullatës serbe.

Sipas këtij autori, sot në trojet serbe të “okupuara” nga shqiptarët paska shumë serbë të shqiptarizuar. Kur këto territore i pat çliruar ushtëria serbe, akoma nuk pat mbaruar procesi i asimilimit. Tani është shumë vështirë që ata të kthehen në të parët e tyre. Këtu si “zgjidhje” ai propozon popullimin me popullatë malazezase. “Vetëm malazezasit janë në gjendje që terrorit të shqiptarëve t’i përgjigjen me masë të barabartë, dhe vetëm prej tyre shqiptari paska respekt”.

Atuori Kostiq, rëndësi të veçantë i kushton çështjes kombëtare në kohën e komunizmit. Në këtë kohë sistemi I Jugosllavisë mundësoj që të paraqiten shumë kombësi të sajuara. Si, bie fjala, për malazezasit, maqedonasit e myslimanët!

Pse dhe si u krijua kombi malazes – Me qëllim që të zvogëlohet numri i serbëve në Jugosllavi, komunistët e paskan shpikur kombësinë malazezase, pohon autori Kostiq. Madje, një pjesë e territorit Serb qe amputuar me qëllimin e thjeshtë që Serbisë t’i ndërpritet dalja në detin Adriatik. Si ideatorë kryesorë të kësaj ideologjie, sipas tij, qenë Millovan Gjillas, Radovan Zogoviq dhe Jagosh Jovanoviq. Lidhur me këtë çështje, Kostiq-i e citon autorin Radoje Knezheviq, i cili për M.Gjillas-in thotë: “… Ai (Gjillasi) është, në përputhmëri me direktivat e Kominternës për rregullimin federativ të Jugosllavisë si shtet multinacional, shpiku definacionin për kombësi më vete malazezase si diçka e ndarë nga Serbizmi”. Vetë Gjillasi, duke pranuar, paska thënë: “Në kohën e Njegoshit, me të vërtet s’paska patur dallim ndërmjet serbëve e malazezëve. Ndërgjegjia (borgjeze) komb dhe kombësi është dukuri e mëvonshme, sidomos në Malin e Zi, kurse në Serbi mund të jetë më vonë”.

Siç shihet, kombi malazes nuk paska egzistuar më parë. Këtë e dëshmuakan shumë fakte, ndaj u dashka të konstatohet se ky komb artificial paraqitet në kohën e komunizmit duke u ndarë nga kombi Serb. Ndarje qenka bërë me vetë dëshirën e popullit e jo me ndonjë imponim prej anës, kështu konstatuakan ideatorët e kësaj ideologjije, pohon Kostiq-i. Prej këtu del edhe përgjigjia e pyetjes, kuptohet në se parashtrohej paraprakisht: Çfar qëllimi paskan patur komunistët që prej kombit serb të nxjerrin edhe një komb tjetër?

Megjithatë, tek kroatët egzistuaka mendim tjetër. Ata me kënaqësi e pranuakan tezën se malazezët s’qenkan serbë. Disa qenkan të mendimit se malazezët janë komb më vete, kurse sipas të tjerëve u pranuakan si kroatë. Këta të fundit paskan përkrahjen e ustashëve malazezas, Sekulla Dërljevi

dhe Savo Shtedimljija.

Konstrukcioni artificial i kombit maqedonas –Në dallim të tezës për krijimin e kombit malazes, kombi maqedonas qenka krijuar me dekret të regjimit komunist. Mirpo, Kostiq-i mendon se për konsolidimine kësaj kombësie nuk mund të bëhet fjalë, as jashtë as brenda në ved. Madje, duke iu referuar një autori tjetër serb i quajtur Aleksandër Beliq në lidhje me gjuhët sllave, nënvizon: “Ai (A.Beliq) pohonte se ekzistojnë vetëm tre gjuhë të sllavëve të jugut: serbokroatishtja, bullgarishtja dhe gjuha sllovene. Gjuha e vjetër sllave është zhdukur, ndërsa gjuha maqedonase asnjëherë nuk ka ekzistuar”. Me fjalë të tjera, sipas këtij autori, kombi maqedonas nuk paska ekzistuar. Këtë ai e mbështet edhe me faktin kur në vitin 1878 ndonjë fare Jevrem Grujiq i pat shkruar një letër Jovan Ristiqit, përfaqësues jo zyrtar në Kongresin e Berlinit, këto fjalë: “Banorët e Velesit patën shkruar një kërkesë si peticion me qindra nënshkrime, në të cilën luten t’i bashkohen Serbisë, sepse që moti patën qenë serbë”.

Në pjesën serbe të Maqedonisë me dekada u bëka deserbizimi me dhunë i popullatës, kurse në pjesën Bullgare e Greke s’paska koncept për komb maqedonas. Shumë shkencëtarë (nuk citon asnjë) popullatën maqedonase e paskan quajtur për serbe ose bullgare, por kursesi seriozisht nuk e paskan pranuar si komb më vete, pohon autori Kostiq.

Këtë e dëshmuakan qeveritë Bullgare e Greke. Sipas tyre në territorin e Maqedonisë nuk egzistuakan maqedonas sepse këtë popullsi ata nuk e pranuakan për komb. Sipas qeverisë Bullgare, aty jetojnë vetëm bashkëkombësit e tyre. Kombin maqedonas e krijoi Jugosllavia, një klikë me disponim antiserb, konstaton Kostiq-i. Në kohën e Jugosllavisë e më parë gjatë emigrimit nuk ka patur maqedonas. Shumë prej tyre duke u deklaruar për bullgarë, shkuanë në Bullgari. Mjaft shkrimtarë dhe personalitete serbe e paskan prejardhjen nga Maqedonia. Me fjalë tjera, popullata që jeton në Maqedoni, sipas tij, qenka serbe edhe pse Bullgaria i quan për bullgarë, kurse Greqia s’i pranon fare. Ky është pra konstatimi “shkencor” i autorit Kostiq.

Jo vetëm kaq, ai edhe klerikët shqiptarë që kanë jetuar në Shkup i quan për serbë. Pjetër Bogdani, për shembull, i lindur në Shkup, me përkatësi fetare katolike (shqiptar f.a.) i shkolluar në Romë, ka patur për detyrë ta zgjerojë fenë katolike. Si peshkop pat shërbyer në Shkodër dhe më vonë në vitin 1677 emërohet kryepeshkop i tërë Serbisë me seli në Shkup. Këtë figurë të shquar të kombit Shqiptar ky autor e quan për serb!

Sa i përket trojeve serbe në territorin e Maqedonisë, Kostiq-i, duke iu referuar Jovan Cvijiq-it, dhe shkencëtarëve të tjerë të cilët me dokumenta argumentuakan, vë në dukje se rajoni i Shkupit, Kratovës dhe Tetovës nuk i takuakan as “kuptimit gjeografik Maqedoni por Serbisë”. Madje, sipas tij, edhe në ndonjë leksikon historik-gjeografik të botuar në Basel në vitin 1727, për Shkupin paska shkruar se gjendet në Serbi, kurse Maqedonia qenka në jug të këtij qyteti.

Autori Kostiq duke patur për qëllim që edhe trojet e tjera të Maqedonisë t’i quajë për serbe, i referohet toponomastikës. Sipas tij shumë vendbanime në veri-perëndim të Maqedonisë mbajnë emra serbe. Kështu, për shembull, Serbinovo, Serbica, Serbjani, emrat serbe i paskan qysh prej mesjetës. Sipas tij, çështja e identifikimit kombëtar në Maqedoni qenka mjaft e komplikuar. Ky autor haron se këto vende kanë qenë të okupuara nga Serbia dhe ndërrimin e toponimeve e kanë bërë vetë Serbët, ashtu siç iu konvenonte qeverive serbe të kohës.

Nga ky pak tekst i shkruar qartë shihet se autori i këtij libri, kombin maqedonas nuk e pranon dhe si të tillë e paska krijuar sistemi komunist i ish Jugosllavis. Jo vatëm kaq, ai nuk e pranon edhe territorin e Maqedonisë si tërësi më vete gjeografike, por thotë se është pjesë e Serbisë dhe sipas Cvijiq-it u quaka Serbi Jugore. Tezën e këtij të fundit e paska pranuar qeveria serbe ndaj edhe e quan me këtë emër Maqedoninë. Pjesa veriore e Srbisë Jugore sipas një historian serb (Nikolla Vuliq), prej Vranje gjer në Veles, edhe në kohën antike nuk i paska takuar Maqedonisë. Kjo anë qe shtet më vete me emrin Dardani. Këtu autori Kostiq haron se kjo është Dardania Ilire (shqiptare) e jo serbe. Me prejardhje nga Maqedonia qenkan edhe disa shkrimtarë e personalitete serbe si: Nikolla Pashiq, Branko Radi

eviq e Jovan Sterja Popoviq!

Projektet komuniste e paskan përcaktuar kombin mysliman – Jugosllavia si shtet multietnik, në statistikat zyrtare regjistronte edhe popullatë etnikisht të pacaktuar. Kështu bije fjala për myslimanët. Këta rregullisht regjistroheshin si myslimanë pa e përcaktuar etnitetin e tyre.

Në mes dy luftërave botërore politika kroate paska tentuar që kroatët, boshnjakët myslimanë dhe serbët t’i tretin në një tërësi të përbashkët. Një udhëheqës i tyre paska shpikur idenë: “Së pari të gjithë hidhi në një kazan, e pastaj të dalin në sipërfaqe si kroatë”. Qëndrimi i këtillë kroat, pati një revoltë të madhe nga ana e serbëve të Bosnjës. Në Bosnjë e Hercegovinë kurdoherë ka dominuar popullata serbe. Gjatë luftës në aradhat partizane të kësaj ane gati 90% kanë qenë serbë. Për qëndrimin e kroatëve ndaj boshnjakëve myslimanë, autori Kostiq ka patur mendimin se vetë kroatët në krye me diktatorin Broz që patën udhëhequr fjalën kryesore gjatë formimit të shtetit të ri, paskan qenë të mendimit se ata vetë do të kaluakan nga ana e kroatëve. Kjo qenka arsyeja pse i paskan lënë vetë të përcaktohen për nacionalitet mysliman. Megjithatë klikës së titoizmit ndërgjegjësimi nacional i myslimanëve i morri kahje tjetër. Numri më i madh i tyre deklaroheshin të nacionalitetit Serb. Me këtë filloi vazhdimisht të zvogëlohet numri i tyre që deklarohishin për kroatë.

Nga shkaqet e përmendura udhëheqsia komuniste për ndalimin e një ndodhije të këtillë të boshnjakëve, gjeti një shteg tjetër. Në regjistrimet e ardhshme u dashka që ata vetë të përcaktohen si nacionalitet mysliman. Në këtë mënyrë do t’u penguaka kalimi i tyre në nacionalitetin Serb. Këtu autori Kostiq vë në dukje se regjistrimet e popullsisë në sistemin komunist paskan karakter antiserb dhe nuk kanë patur kurfarë bazë shkencore me qëllim që të tregohet realiteti objektiv i çdo nacionaliteti në shtetin komunist Jugosllav. Për nacionalizmin serb, aty autori jep një sqarim të veçantë. Për luftën heroike që paska bërë ushtëria serbe për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve të veta në fillim të shekullit XX, shumë autorë të huajë paskan shkruar me adhurim në gazeta të ndryshme të kohës! Jo, autorë të huaj kanë shkruar për krimet që i pat bërë soldateska serbe ndaj kombeve të tjerë të Ballkanit (shih më gjerë, Edith Durham: Njëzet vjet ngatëresa ballkanike”, ribotuar në Tiranë 2001”).

III

KAPITULLI VII: Interesant është të potencohet urrejtja e pa imagjinueshme e serbëve ndaj kroatëve. Për këtë kroatofobie autori në këtë libër i kushton një kapitull më vete. Në vazhdim do t’i përmend krimet dhe dëmet që i paskan bërë kroatët popullatës Serbe, siç e quan ai, të pafajshme. Çdo krim që paskan bërë, qëllimi i vetëm paska qenë që ta zhdukin rrënjësisht popullatën serbe nga trojet eveta!

Në shekullin e XVII gjatë një lufte tridhjet vjeçare, kroatët paskan bërë një krim të pa parë me vrasjen e njerëzve të pafajshëm, djegien e shtëpive, plaçkitjen e pasurisë së patundur e shumë krime të tjera të pa imagjinueshme. Këtë ai e dokumentuaka me citimin e shumë librave të huaja. Ja si i cilëson disa prej krimeve të tyre:

Lufta tridhjetvjeçare gjakëderdhëse; Tragjedia e Magdeburgut; Europën e tmerron gjakpirja e Kroatëve; Tmerret e jashtëzakonshme të mentalitetit kroat; Egërsirat kroate; Çfar pat shkruar Shiler-i për kroatët; Kroatët si matës të tmerrit; Egërsira kroate në këngët popullore; Kroatët mbrojtës të Franjo Trenk-ut; Kasaphana kroate në vendin Ham; Krimet kroate në luftën shtatëvjeçare të shekullit XVIII; Egërsirat kroate në shekullin XX; Kroatët si mbrojtës të reakcionit; Tragjedia e Milanos; Kroatët janë tmerr dhe frikë për civilët italjanë; Jellaçiq-i dhe kriminelët kroatë; Kroatët e shkatërrojnë Vjenën; Historia Kroate është e mbushur plot me egërsirë; Plaçkitjet dhe vrasjet si cilësi e moçme e karakterit nacional kroat; Serbët janë objekti kryesor i urrejtjes dhe çmendurisë kroate; Dëshmitë gjermane dhe italjane mbi krimet kroate gjatë Luftës së Dytë Botërore; Gjakëpirja kroate i paska tmerruar gjermanët; Teknologjia kroate e vdekjes; Epshet kafshore të qenies etnike kroate; Më mirë është që kroati të të jetë armik sesa aleat; Italjanët janë të tmerruar nga vrasjet kroate; Me qenë kroat-është dënim i rëndë nga Perëndia; Turpi më i madh është të jesh kroat; Komunistët sistematikisht i patën fshehur vrasjet e tmerrshme kroate; Edhe papa qenka keqbërës i madh! Keqbërjet kroate nuk mund të harojen. Po krimet serbe ndaj kroatëve ku janë?

Në këtë kapitull shihet shumë qartë një urrejtje e pashoq e autorit ndaj kombit kroat, të cilën shumë qartë e dëshmon me këto shpifje tendecioze dhe joreale ndaj cilësive të popullit kroat. Sipas tij, kroatët qenkan agresorët më të mëdhenj dhe kriminelët e pashoq, kurse serbët vazhdimisht qenkan viktima! Këtu në asnjë rast nuk përmendet ndonjë sulm i serbëve ndaj kroatëve. Pse një urrejtje e këtillë e skajshme serbe ndaj popullit kroat që nuk egziston askund? Kjo është një pyetje që duhet dhënë përgjigje, por përgjigje s’ka.

IV

KAPITULLI VIII: Edhe këtu autori I përmend kroatët si keqbërës më të mëdhenj të popullit serb. Ai mendon se ndërmjet kroatëve e serbëve nuk ka çështje territorial të pazgjidhura. Në territorin kroat ekzistojnë vende që i takojnë Serbisë sepse aty jetuaka popullatë serbe. Popullata serbe në Kroaci, Dallmaci dhe Sllavoni qenka e ngulitur me kohë. Aty paska ardhur që t’i mbrojë, mirpo nga ana e kroatëve nuk qenka e mirëpritur. Ajo aty nuk paska kurfarë të drejta njerëzore që duhet të ketë një komb. Aty serbët asnjëherë nuk kanë qenë të sigurtë edhe pse me territor dhe numër kanë qenë më të madh se kroatët e vërtetë. Pjesa më e madhe e tyre që quheshin si kroatë janë serbë. Edhe pjesa e vogël e tyre, sipas një numër sllavistësh të cilëve iu referohet (nuk citon asnjë), nuk janë kroatë të vërtetë. Sipas tyre, krotë të vërtetë qenkan ata që e patën lëshuar Kroacinë gjatë paraqitjes së turqëve, dhe pastaj qenë vendosur në Hungari dhe Austri e më larg në veri!

Në këtë kapitull autori Kostiq, kujdes i kushton pozitës gjeografike të territoreve serbe e kroate.

Sipas tij, një farë sllavisti Spirijan Rober (1844) pohon: “Dega serbe jashtë Principatës Serbe, përfshin Malin e Zi, Bosnjën dhe një numër të anëve të Shqipërisë e Maqedonisë”. Në territorin e Kroacisë: Dallmacia, Sllavonia, Boka e Kotor-it, Dubrovniku dhe Sremi, sipas Kostiq-it, qenkan pjesë të Serbisë sepse aty jetuakan me shumicë Serbë. Shumë intelektualë të shquar europjanë në shekullin e XIX si vende serbe i paskan konsideruar jo vetëm Serbinë e sotme, por edhe Malin e Zi, Serbinë e Vjetër, Banatin e Temishfarit, Baçkën, Sremin, Sllavoninë, Bosnjën e Hercegovinën, Dallmacinë dhe Vojna Krainën.

Raportet e tjera në mes kroatëve e serbëve, aty autori i quan të njëanshme. Kroatët si popull keqëbërës e patën përvetësuar gjuhën dhe letërsinë sebe, pohon Kostiq-i.

Madje, shekulli i XX paska qenë shekull i falsifikimeve. Ky shekull në fillim paska sjellë shumë të dhëna të falsifikuara nga ana e kroatëve dhe qarqeve katolike kroate. Këto nuk kanë qenë aq të numërta, sa kanë qenë në qendrimet sistematike se bunjavcat, shkocët, sllavonët katolikë, boshnjakët, dhe hercegovinasit, t’i paraqesin si kroatë që pastaj tek ata të zhvillohet ndërgjegjia kombëtare kroate. Historikisht, sipas tij, ata asnjëherë nuk i paskan takuar ose të kenë qenë etnikisht afër kroatëve. Keqpërdorime dhe manipulime qenkan bërë edhe në të dhënat statistikore. Me këtë qenka bërë kompromitim papresidan i shkencës statistikore jugosllave. Regjistrimi i vitit 1948 paska nxjerrë 200 mijë kroatë më tepër, kurse rreth një miljonë serbë më pakë! Manipulime të këtilla statistikore qenkan bërë edhe në Maqedoni. Në këtë vend terrori antiserb qenka bërë gjatë gjithë regjistrimeve. Sa më tepër të zvogëlohej numri i Serbëve, që në llogari të tyre të rritet numri i maqedonasve. Sipas tij, kudo Serbët paskan qenë viktima! Pse këtij fati të keq që paskan bashkëkombësit e tij, nuk i jep vetë ndonjë sqarim. Ndoshta nuk është në dieni!?

Nga kjo çfar u shkruajt më lart shihet se kroatët kurdoherë ndaj serbëve paskan qenë keqëbërës. Vazhdimisht paskan synuar që në territorin e tyre sa më tepër ta zvogëlojnë numrin e serbëve. Madje, territoret serbe ku paskan jetuar me shumicë serbë, t’i quajnë si të veta.

Jo vetëm kaq, këtu autori i përmend edhe gabimet historike që i paskan bërë serbët, sidomos në dekadën e dytë të shekullit XX. Në këtë kapitull autori përmend edhe këto për kroatët: racizmi i përzierjes etnike; megallomania nacionale kroate; Kroatëve nuk mund t’u besohet; për krime janë të përgatitur; gënjeshtrat dhe falsifikimet kroate; demagogjia ustashe e Ivan Meshtroviq-it; populli kroat është fajtor për krimet e ustashëve; pafytyrësia dhe cinizmi i Brozit (Titos, f.a.); krimi- yshqim shpirtëror i qenies nacionale kroate; shumë serbë i paskan mbuluar krimet kroate. Këto ishin disa cilësi çnjerëzore kroate që autori i përmend në kapitullin në fjalë.

Sipas Sheshelj-it, autori Kostiq, kur flet për pozitën gjeografike të territoreve serbe e kroate, iu referohet disa autorëve të huaj. Sllavisti francez, Siprijan Rober, për shembull, në librin e tij “Sllavët në Turqi” (“Словени у Турској”), botuar në Paris në vitin 1844, paska thënë: “Pjesa serbe jashtë Principatës Serbe, përfshin Malin e Zi, Bosnjën dhe një numër të tokave shqiptare e maqedonase. Nëse ndonjë forcë europjane nuk do të ketë sukses t’i ndajë, popullata serbe e cila në tërësi flet në gjuhën e njëjtë, së pari do të bashkohet, kurse pastaj vetëm në një shtet të fuqishëm prej dy e gjysëm miljonë banorë vendas… raca serbe përfshin të tretën e Turqisë Europjane dhe tërë pjesën jugore Hungareze. Në Turqi, krahinat e saj janë: Bosnja, Hercegovina, pjesë e Maqedonisë, pjesa veri-lindore e Shqipërisë, Mali i Zi dhe Principata Serbe. Në mbretërinë Austriake, Serbia përfshin Dallmacinë, Kroacinë, Sllavoninë, pjesë të Istrës, Vojna Krainën, Banatin, Sremin dhe bregun Danubjan prej Vjene gjer në Shen Andrea në Budim”. Siç shihet, nëse ky citat do të jetë i vërtetë, atëheren sipas autorit Kostiq, Serbia u dashka të përfshijë gati krejt territorin e ish Jugosllavisë (pa Slloveninë) dhe një pjesë të Hungarisë. Këtu citohen edhe autorë të tjerë të cilët hapësirën serbe e tregojnë shumë më të madhe se sa është në kufijt aktualë. Sa mund të jenë të vërtetë citimet e autorëve të huaj që përmenden në këtë libër, mbetet lexuesi vetë të konkludojë.

V

KAPITULLI IX: Në kapitullin e IX bëhet fjalë mbi ndërgjegjien kombëtare serbe. Sheshelji nënvizon se Kostiq-i kur flet për popujt europjene, qenka i bindur se asnjë komb në këtë kontinent nuk qenka i pastër, por pjesërisht i përzjerë me kombet e tjerë. Kështu ekziston edhe rasti me popullin serb. Do të ishim të lumtur sipas Kostiq-it, thotë Sheshelji, nëse populli serb në Europë do të ishte një racë e pastër pa përzierje me racat e tjera, por kjo nuk ekziston.

Sipas një politikani gjerman (Herman Vendell), kontributin më të madh në zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare serbe, përkatësisht nacionalizmit serb, e paska patur Vuk Karaxhiq-i. Kostiq-i, thotë Sheshelj-i, qenka krenar me atë se askund nuk pat gjetur qe në ndonjë literature botërore të shkruhej keq për pamjen fizike të popullit serb. Shumë autorë europjanë paskan shkruar edhe për veshjen kombëtare serbe. Sipas tyre, ajo dalluaka nga veshjet e kombeve të tjerë në rajon. Mbi karakterin kombëtar serb Kostiq-i i paska përshkruar cilësitë shpirtërore anësore duke i krahasuar me kroatët, bullgarët dhe me popujt e tjerë fqinj. Për këtë ai jep edhe disa shembuj ku konstaton se Serbët për kah karakteri dhe virtytet e tjera u dalluakan nga këta popuj. Nëse është kështu, atëheren, pse thotë që të gjithë sllavët e Ballkanit qenkan serbë? Këtu ai është në një konfuzion të lajthitur.

Edhe në këtë kapitull autori flet mbi shtrirjen hapësinore të tokave serbe. Serbët kur paskan imigruar në Ballkan, qenkan vendosur midis kroatëve dhe bullgarëve. Aty i patën përfshirë pellgjet e lumenjëve: pellgun e lumit Bosnjë, Drinës, Kollubarës, Moravës Perëndimore, Ibrit, Neretvës e Moraçës. Këto pjesë ai i quan serbe, pasi popullata që aty jeton me shekuj, ka cilësi dhe gjuhë të përbashkët serbe. Edhe këtu autori i këtij libri vë në dukje se tokat serbë qenkan me një hapësirë të madhe në perëndim të Serbisë aktuale. Nga kjo shihet se vazhdimisht është duke u përpjekur që me argumente kinse “shkencore” ta arsyetojë krijimin e një Serbie të Madhe, ashtu siç është përpjekur Jovan Cvijiq-i e të tjerë nacionalistë serbë.

VI

KAPITULLI XI: Këtu autori flet mbi fatkeqësinë e jugosllavizmit, të cilën e ndan në pesë pjesë: 1.Aspektet etnike dhe territoriale të ideve shtetformuese jugosllave. 2.Çështja e rregullimit shtetëror jugosllav. 3.Kushtet e politikës së jashtëme dhe aspektet ushtarake të shtetit jugosllav ose serb. 4.Tradhëtari serb Desimir Toshiq dhe Deklarata e Stensted-it. 5.Përkrahësit dhe kundërshtarët e opcionit jugosllav.

Në vazhdim do të jap një vështrim të shkurtë vetëm mbi dy pjesët e para.

1.Aspektet etnike dhe territoriale të ideve shtetformuese jugosllave. Autori Kostiq, sipas Shesheljit, kurdoherë pat qenë kundër formimit të një shteti të përbashkët jugosllav me kroatët. Këtë e arsyeton me faktin se formimi i një shteti të këtillë të paparagjukuar mirë, do të ishte një tragjedi e madhe për popullin serb. Sipas tij, të zënë peng më të mëdhenj të këtij opsesioni qenë ish politikanët të cilët duhej të kenë qenë të ndërgjegjshëm në pasojat e tyre të fundit ndaj qenies kombëtare serbe. Pastaj vazhdon: “Sikur jemi të çoroditur, të çnjerëzuar, të magjepsur, nuk mund të çlirohemi nga ngarkesa e fantomit jugosllav. Kjo ne më tepër na tangon, kërkon të na mbysë, kurse ne kërkojmë të mos na lëshojë. E ndjejmë tërë dëmin që na bëhet, të gjitha fatkeqësitë që na sjell, por përsëri s’i largohemi dot… fantomi i këtillë na shkatërron e na zhduk, kurse ne e më tutje e mbajmë dhe besojmë në fantazmat e tij…”. Këtë për popullin serb e quan gabim të madh, dhe vazhdon: “Në tërë historinë e vet as njëherë populli Serb, në tërësi, s’ka bërë gabim më të madh”. Iu shmang emrit të vet të lavdishëm, thotë Sheshelj-i, dhe në supat e veta vullnetarisht e ndërmori hipotekën jugosllave e cila i shkaktoi më tepër gjakderdhje se sa të tëra tragjeditë e së kaluarës historike, konstaton në analizën e vet. Qeveria komuniste jugosllave ka ditur me saktësi se çfar plane po përgatite për të ardhmen e vendit, ku më tepër do të ishte i goditur populli serb, kurse radikalët e Mihajlloviq-it, nuk kanë patur ndonjë strategji të mirëfilltë për popullin e vet, vë në dukje ky ultra nacionalist serb.

Madje, në këtë kapitull bëhet fjalë mbi çështjen e ndërgjegjies kombëtare, eksperimentin pseudohistorik jugosllav, ndërgjgjien kombëtare dhe barierat gjuhësore, mundësia për baraspeshën kombëtare, bilancat negative serbe, perspektivat e shtetit serb.

2.Çështja e rregullimit shtetëror jugosllav. Në një libër tjetër të autorit Kostiq, botuar në vitin 1959, bëhet fjalë mbi aspektet juridike të krijesës shtetërore jugosllave.

Sipas Sheshelj-it, aty bëhet fjalë mbi disa çështje që ai i konsideron të rëndësishme, por të dëmshme për popullin serb. Ato janë: Lindja e çoroditjes serbe mbi vëllazërimin me kroatët; Naiviteti i Rezolutës së Bashkës; Mosmençuria e emigracionint; Projekti mbi kombin Malazes; Çështja e Bosnjës; Çështja e Maqedonisë; Rregullimi juridik dhe sistemi politik.

Këtu vemendjen e lexuesit do ta përqëndroj mbi përfshirjen e Bosnjës si njësi federale dhe mbi çështjen e Maqedonisë, të cilave kombin dhe gjuhën autori nuk ua pranon.

Çështjes së Bosnjës, këtu autori i jep një rëndësi të veçantë nga shkaku se udhëheqsia jugosllave duke e përfshirë Bosnjën si njësi federala, paska dashur që aty ta eliminojë nacionalitetin serb. Pas Luftës së Dytë Botërore aty me numër më të madh paskan qenë serbët, por edhe tre të katërtat e myslimanëve që ishin deklaruar si komb, qenë shkruar serbë! Regjimi komunist sistematikisht paska ndikuar që të rritet numri i myslimanëve, por duke eliminuar ndërgjegjien kombëtare, kulturën dhe traditën politike serbe. Autorit Kostiq, pohon analisti Sheshelj, i pat qenë shumë qartë se, “myslimanizmi në Bosnjë nuk mund të përjetësohet si kategori etnike, sepse qenka vetëm një rezidium i sundimit turk, i cili më nuk ekziston dhe produkt i determinuar fetarisht që sot, po ashtu, nuk ekziston”.

Sheshel-i duke cituar autorin Kostiq mbi çështjen e Bosnjës, konstaton: “popullata serbe e Bosnjë Hercegovinës dëshiron bashkim me Serbinë në xhdo mënyre, aty vetëm në atë sheh mundësinë e ekzistencës së mëtutjeshme kombëtare”. Madje vazhdon se prognoza historike e Kostiq-it qenka mjaft bindëse: “Nëse me të vërtet dëshirohet t’i jepet popullit e drejta e vetvendosjes, ajo në Bosnjë e Hercegovinë do të zhduket brenda një dite, atë ditë kur bëhet plebisciti”. Nga ky vështrim i shkurtë qartë shihet se autori Kostiq, në përkrahje të fortë të Sheshelj-it, me bindje të plotë pohon se myslimanët e Bosnjës qenkan serbë, por të islamizuar nga pushtimi Osman dhe me detyrim nga qeveria komuniste jugosllave qenë shpallur si komb mysliman, që nuk paska mundur të ekzistojë asnjëherë!

Në këtë kapitull autori Kostiq, çështjen Maqedonase, e rishikon përsëri. Këtu atë e sheh si një rast specifik,por me kusht nëse ekziston federatë jugosllave. Ja se ç’thotë për Maqedoninë ky autor nacionalist serb: “Maqedonia paraqet një mëvetësim territorial, ndryshueshmëri demografike ndaj pjesëve të tjera, gjuhësore, pa edhe mëvetësi etnike. Kjo mëvetësi etnike është shumë e afërt: nuk ka qenë e përgatitur, ajo u krijua krejtësisht papritur për vetë ekspertët (etnografët e sllavistët), nuk është e huazuar, por e dhuruar. Nuk është fryt dirrekt i ideatorëve maqedonas (ata qenë të ndarë, disa anonin nga Bullgaria e disa nga Serbia), por është produkt i aktivitetit të Svetozar Vukmanoviq – Tempo…”. Këtu ai Maqedoninë e sheh si një krijesë artificiale që s’ka perspektivë!

Maqedonia si e tillë, sipas këtij autori, nga një pjesë e popullatës me kënaqësi është pranuar, kurse tjetrës i është e imponuar, ndaj një pjesë e madhe qenë të nënshtruar. Pjesët që qenë ndjerë si etnitet tjetër, janë munduar që kategorisht të qëndrojnë në atë që janë dhe kursesi s’kanë pranuar që të shëndërrohen në etnitet tjetër. Këtu ai aludon për përkatësinë etnike të popullatës serbe. Pa dyshim pohon se në brendësinë e Maqedonisë, në jug dhe në perëndim jetojnë serbë, që në kushte të këtilla nuk munden ta shprehin identitetin e tyre kombëtar.

Gjuhën maqedonase kursesi nuk e pranon, dhe konstaton: “është formë kalimtare ndërmjet serbishtes e bullgarishtes. Mua më tepër më ngjan në bullgarishten, kurse bullgarëve ju ngjan në serbishten. Por që i është afër edhe njërës edhe tjetrës, për atë s’ka dyshim”. Gjer në Luftën e Dytë Botërore, maqedonasit nuk paskan patur gjuhë letrare dhe letërsi të shkruajtur. Nga ky shkak, ai qenka i mendimit, se historikisht nuk mund të gjenden kujtime të shkruara në maqedonisht, por vetëm në serbisht dhe fare pak në bullgarisht. Për konstatimin e këtillë, nënvizon Sheshelj-i, Kostiq-i i qenka referuar ndonjë farë profesori Kajica Millanov. Madje, qenka i mendimit se në mënyrë artificiale krijuakan gjuhën e re letrare maqedonase, e cila qenka kombinim i dy dialekteve. “Me këtë si gjuhë amtare sot nuk folka asnjë pjesë e popullatës maqedonase. Sot bëhet forsimi i kësaj gjuhe nëpër shkollat në pjesën jugosllave të Maqedonisë dhe në këtë shtypen librat mësimorë, librat, gazetat dhe tërë literature propagandistike komuniste”.

Autori Kostiq, duke studiuar rezultatet shkencore të kërkimeve linguistike nga studiues kompetentë, çështjen gjuhësore maqedonase e rezimon me këto fjalë: “Krijimi i gjuhës maqedonase” si gjuhë zyrëtare, daton prej vitit 1945, në fakt ajo është kombinim i të folurave dialektore të ndryshme të Maqedonisë. As një dialekt s’është i shpallur si gjuhë letrare, por prej çdo njërit është marrë nga pak. Megjithatë, si bazë për gjuhë letrare të maqedonasve janë marrë të folmet e pjesës perëndimore të Maqedonisë qendrore, para së gjithash në trekëndëshin Prilep- Manastir-Kërçovë-Veles, sidomos e folmja qytetare e Prilepit. Siç shihet, për bazë është marrë dialekti që më së tepërmi dallon nga serbishtja. Nga e tëra kjo, gjuha e sotme maqedonase është një krijesë artificiale, diçka e sajuar dhe e imponuar, por jo organisht e krijuar (siç është gjuha serbe), gjuhë pa rrënjë dhe bazë jetësore. Kur patën krijuar gjuhë të re letrare, qenë të detyruar të krijojnë shkrim të ri dhe alfabet për gjuhën. Kjo pat shkuar me shpejtësi të aeroplanit. Qenë krijuar komisione, të cilët patën sjellë vendim dhe çdo gjë qe zgjidhur me dekret”. Vendimi i këtillë, vë në dukje ky autor, një pjesë e madhe e Maqedonasve këtë të folme s’kanë patur dot mundësi ta mësojnë nga nënat e tyre, por vetëm gjatë shkollimit. Rast i këtillë paska qenë edhe me serbishten, kurse gjatë okupimit edhe me gjuhën bullgare. Gjuha serbe në Maqedoni ka kujtimet e veta, ndaj s’ka patur nevojë që të bëhet një ndryshim i këtillë dhe të krijohet një gjuhë artificiale. Ajo aty qenka krijuar si gjuhë letrare dhe për here të pare qe afirmuar. Historikisht, sipas tij, qenka gjuhë e tyre (maqedonasve).

Nga kjo, analisti Sheshelj, nxjerr disa pyetje: “Pse edhe maqedonasit nuk e patën pranuar gjuhën letrare serbe kur nuk e kanë patur të tyren (siç e kanë sllovenët)? Ç’u ka penguar atyre të jenë participues të një gjuhe klasike botërore të pranuar, këngëve popullore që bota iu mahnitësh…? Përgjigjen e quan të thjeshtë: “duhej të zhdukej serbizmi…”

Madje, sipas autorit Kostiq, është gjë normale dhe e pranueshme që gjuha e folme maqedonase pas kohe të ketë pranuar edhe fjalë nga gjuha letrare serbe. Me kalimin e kohës, kjo qe ndaluar nga regjimi komunist. Sa i përket çështjes nacionale, gjer atëherë nënvizon ky autor, maqedonasit nuk kanë patur ndonjë ndërgjegjie të pastër kombëtare. Për këtë ai i referohet autorit Harman Vendell, i cili për çështjen nacionale maqedonase thotë: “Mospërcaktimi kombëtar i maqedonasve është pasojë e asaj se ata edhe sot nuk janë në një masë të madhe të zgjuar nga gjendja e dremitjes e një kombi pa histori”. Këtë, thotë Sheshelj-i, Kostiq-i e plotësuaka edhe me këtë pohim: “ Jo vetëm që kombësi e sllavo-maqedonasve nuk pat ekzistuar, për vetë ata e panjohur, por edhe në shkencë nuk ka qenë e kristalizuar”. Në lidhje mbi çështjen maqedonase, ja se çthotë për Jovan Cvijiq-in: “Cvijiq-i maqedonasit i pat quajtur masë flotante, e gatshme të treten në serbë ose bullgarë, varësisht se në cilin shtet ndodhen”. Pastaj Cvijiq-i për trojet maqedonase pat thënë: “Sipas cilësive të tyre linguistike, etnografike dhe traditave historike të cilat janë mbuluar në shpirtin popullor, dremitin dhe shpejt mund të zgjohen, mund të caktohen më tepër si serbë ose bullgarë. Kështu si anë serbe më tepër është rrethi i Shkupit, Kratovës, Tetovës dhe më tej në veriperëndim në Serbinë e Vjetër, ku emri Maqedoni gabimisht është zgjeruar. Kjo anë, së bashku me Kosovë e Metohinë, përbëjnë shtetet e vjetra serbe; këtyre iu ndërlidhen traditat më legjendare serbe, të tëra përmendoret arkitektonike dhe artistike sllave, pa përjashtim janë serbe”.

Në tekstin e mësipërm përmendëm në përgjithësi për nacionalizmin serb dhe qendrimet e autorit të librit dhe analistit, lidhur me trojet jashtë Serbisë aktuale dhe për popujt e tjerë që ata i quajnë për serbë.

Tani me disa fjalë do të përmendim hapësirën territoriale, që sipas tyre dhe autorëve të tjerë, duhej të përfshinte një Serbi e Madhe, pas shpërbërjes së Jugosdllavisë komuniste. Shumë autorë nacionalistë serbë, Serbinë e Madhe e parashikonin dhe tani e parashikojnë, të përfshinte Serbinë aktuale (përfshirë Kosovën e Vojvodinën), Maqedoninë, një pjesë së Shqipërisë veriore, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe pjesën më të madhe të Kroacisë. Me këtë të fundit kufiri do të fillonte prej Karllobag në jug, në Ogulin, Karllovac dhe do të dilte në veri gjer në Virovitica, në kufi me Hungarinë. Nuk përjashtohej edhe një pjesë nga territori Bullgar e Rumun në lindje. Ja pra këtë territor duhej ta përfshinte Serbia e Madhe, ashtu siç e parashikonin ideatorët e një shteti me përmasa të tilla.

Sa i përket radikalëve (çetnikëve) serbë në emigracion, analisti Sheshelj, nënvizon se ata qenë tragjikisht të ndarë: në një pjesë e cila përkrahte opcionin jugosllav serb dhe pjesa tjetër si shumicë qe për krijimin e Serbisë së Madhe (Велика Србија), pas shkatërrimit të komunizmit.

Për krijimin e një Serbie të Madhe, veç autorit Llaze Kostiq, libra të këtij karakteri kanë shkruar edhe autorë të tjerë serbë. Millan Jevtiq në vitin 1919 në Nju Jork, në gjuhën serbe e boton librin me titull “Serbia e Madhe”. Me këtë titull pas Luftës së Parë Botërore, libra voluminoze botojnë edhe autorët: Ernest Denija dhe Vlladimir Gjoroviq.

Nga ky vështrim shumë qartë shihet se krerët e partive dhe studiuesë serbë, rëndësi të veçantë i kanë dhënë idesë për krijimin e një Serbie të Madhe. Për këtë qëllim, janë angazhuar struktura të ndryshme shtetërore e partiake. Janë përpiluar shumë projekte dhe shkruajtur mjaft libra voluminoze nga ekspertë të ndryshëm. Projekte pat paraqitur edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve Serbe. Qëllimi i vetëm ka qenë se gjer ku duhet të përfshihet një shtet i madh Serb dhe si duhet të realizohet. Shpërbërja e Jugosllavisë për Serbinë qe një rast “i mundshëm” që ajo ta realizojë idenë e saj, por fatkeqësisht me luftrat të cilat i shkaktoj vetë, pësoj disfata katastrofike, dhe me të nuk pati dot mundësi ta realizojë ëndrrën e saj shumë shekullre.

Mirpo, tani parashtrohet pyetja: Pse Serbia reagon, kur populli shqiptar në Ballkan, kërkon që t’i bashkojë trojet e veta të marra me të padrejtë nga vendet fqinj, dhe me atë të krijojë një shtet etnik me kufij natyralë, kursesi për një Shqipëri të Madhe me okupimin e trojeve të huaja, kurse Serbia me të madhe publikisht reagon, se Shqipëria po synon për krijimin e një Shqipërie të Madhe, duke rëmbyer troje të huaja dhe me të e rrezikuaka stabilitetin në Ballkan? Po Serbia, që shumë qartë shihet synimi i saj, nuk e rrezikon stabilitetin në rajon e më gjerë? A ka të drejtë Serbia në një qëndrim të tillë ndaj politikës shqiptare, kur botërisht dihet se qeveritë e shtetit Shqiptar asnjëherë nuk kanë shkruajtur projekte ose ndonjë programë se si të krijojnë një “Shqipëri të Madhe” siç e quan Serbia? Përgjigje kësaj pyetje do të mund t’i japë xhdo kush, pasi ta lexojë këtë shkrim.

Nga konstatimet e mësipërme, mund të nxirren disa përfundime dhe citime të autorit të librit dhe të analistit, që do të jenë të rëndësishëm për lexuesin:

  • qysh në fillim autori “konstaton” se të gjithë popujt sllavë të Ballkanit qenkan serbë (të tjerët i ignoron), ndaj dhe vendet ku jetojnë ata u dashka t’i bashkohen Serbisë dhe me këtë të krijohet Serbia e Madhe;

  • këtu autori bën falcifikim flagrant të historis, që shkencrisht është i papranueshëm dhe i dënueshëm;

  • kjo monografi, sipas tij,do të qenka libër mësimor për nacionalistët serbë;

  • sipas tij, nuk u ditka me saktësi se prej cilës degë sllave e paskan prejardhjen serbët;

  • me kroatët, edhe pse thotë qenkan një popull, prejardhjen e paskan prej vendeve të dryshme;

  • Panonia, Bosnja, Dubrovniku, Mali i Zi e Maqedonia, qenkan territore serbe;

  • nga territori i Maqedonisë, sipas autorit në fjalë, Serbisë i takuaka vetëm 37%. Kjo tërësi është e shtrirë në pjesën më të madhe të pellgut të lumit Vardar;

  • pupullata maqedonase aty paska mbaruar së asimiluari, duke u shndërruar në atë greke e bullgare;

  • autori Kostiq vë në dukje se maqedonasit nuk mund të thuhet që janë serbë, por “me siguri janë grup etnik që është më afër Serbëve (“Али су сигурно етничка група која је нај сроднија Србима”). Me fjalë të tjera, ai nuk e njeh kombin maqedonas;

  • Maqedonasit e shtetit të pare antik i paskan takuar strukturës etnike greke me përzierje të Ilirëve e Trakasve;

  • ja se ç’thotë për Maqedoninë ky autor nacionalist serb:“ Maqedonia paraqet një mëvetësim territorial, ndryshueshmëri demografike ndaj pjesëve të tjera, gjuhësore, pa edhe mëvetësi etnike. Kjo mëvetësi etnike është shumë e afërt: nuk ka qenë e përgatitur, ajo u krijua krejtësisht papritur për vetë ekspertët (etnografët e sllavistët), nuk është e huazuar, por e dhuruar. Nuk është frut dirrekt i ideatorëve maqedonas (ata qenë të ndarë, disa anonin nga Bullgaria e disa nga Serbia), por është produkt i aktivitetit të Svetozar Vukmanoviq-Tempo…”. Këtu ai Maqedoninë e sheh si një krijesë artificiale që s’ka perspektivë!

  • kombi maqedonas qenka krijuar me dekret të regjimit komunist, një klikë me disponim antiserb;

  • Pjetër Bogdani, i lindur në Shkup, me përkatësi fetare katolike (shqiptar f.a.) i shkolluar në Romë, ka patur për detyrë ta zgjerojë fenë katolike. Si peshkop pat shërbyer në Shkodër dhe më vonë në vitin 1677 emërohet kryepeshkop i tërë Serbisë me seli në Shkup. Këtë figurë të shquar të kombit Shqiptar, ky autor e quan për serb!

  • për qëndrimin e kroatëve ndaj boshnjakëve myslimanë, autori Kostiq ka mendimin se vetë kroatët në krye me diktatorin Broz që patën udhëhequr fjalën kryesore gjatë formimit të shtetit të ri, paskan qenë të mendimit se ata vetë do të kaluakan nga ana e kroatëve;

  • projektet komuniste e paskan përcaktuar kombin mysliman;

  • regjistrimet e popullsisë në sistemin komunist paskan karakter antiserb dhe nuk kanë patur kurfarë bazë shkencore me qëllim që të tregohet realiteti objektiv i çdo nacionaliteti në shtetin komunist Jugosllav;

  • autori Kostiq, sipas Shesheljit, kurdoherë pat qenë kundër formimit të një shteti të përbashkët jugosllav me kroatët. Këtë e arsyeton me faktin se formimi i një shteti të këtillë të paparagjukuar mirë, do të ishte një tragjedi e madhe për popullin serb;

  • Autorit Kostiq, pohon analisti Sheshelj, i pat qenë shumë qartë se, “myslimanizmi në Bosnjë nuk mund të përjetësohet si kategori etnike, sepse qenka vetëm një rezidium i sundimit turk, i cili më nuk ekziston dhe produkt i determinuar fetarisht që sot, po ashtu, nuk ekziston”;

  • gjuha maqdonase “është formë kalimtare ndërmjet serbishtes e bullgarishtes. Mua më tepër më ngjan në bullgarishten, kurse bullgarëve ju ngjan në serbishten. Por që i është afër edhe njërës edhe tjetrës, për atë s’ka dyshim”;

  • gjuha e sotme maqedonase qenka një krijesë artificiale, diçka e sajuar dhe e imponuar, por jo organisht e krijuar (siç është gjuha serbe), gjuhë pa rrënjë dhe bazë jetësore. Si gjuhë letrare daton prej vitit 1945;

  • gjuha serbe në Maqedoni paska kujtimet e veta, ndaj s’ka patur nevojë që të bëhet një ndryshim i këtillë që të krijohet një gjuhë artificiale. Historikisht, ajo qenka gjuhë e tyre (maqedonasve);

  • sa i përket çështjes nacionale, gjer atëherë nënvizon ky autor, maqedonasit nuk kanë patur ndonjë ndërgjegjie të pastër kombëtare.

Nga ky vështrim i bërë kësaj vepre të një autori nacionalist, unë do të shtoja edhe shovinist, në sajë të analizës që ja bën ultranacionalisti dhe lideri i Partisë Radikale (Çetnike) Serbe, Vojisllav Sheshelj, qartë shihet se aty bëhet fjalë për një nacionalizëm dhe shovinizëm që dallon rrënjësisht nga nacionalizmet e tjera të rajonit dhe synimet e autorëve të këtij nacionaliteti që në fakte kinse shkencore të tregojnë se populli serb dhe Shteti serb përkurdoherë paskan qenë të rrezikuar nga vendet fqinje. Madje, popullit serb në rajonet përrreth i qenka mohuar gjuha dhe e drejta e përkatësisë kombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne