Vokrri: Ndeshja Kosovë-Turqi do të jetë e vështirë për të dyja skuadrat

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, duke folur për gjendjen e skuadrës së përfaqësueses së Kosovës, ka komentuar rreth ndeshjes së ardhshme kualifikuese Kosovë-Turqi, për “Botërorin 2018”.

Në një deklaratë me shkrim për Anadolu Agency (AA), Vokrri tha se ndeshja Kosovë-Turqi e cila do të luhet më 11 qershor në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër të Shqipërisë do të jetë një ndeshje e vështirë për kombëtaren e Kosovës, “e cila është në kërkim të fitores”. Por sipas tij kjo ndeshje do të jetë e vështirë edhe për Kombëtaren e Turqisë, “të cilës i duhet fitorja për të mbajtur gjallë shpresën për kualifikim”.

“Dhe kjo do të thotë se do të shohim një ndeshje jashtëzakonisht të mirë e të bukur për shikuesit”, thotë Vokrri.

Vokrri shprehu besimin se si çdo herë tjetër ashtu edhe në këtë ndeshje adhuruesit e futbollit kosovar do të jenë në nivelin e duhur me sjellje “ndaj mikut, ashtu si ishte edhe në ndeshjen që u zhvillua vitin e kaluar më 12 nëntor në Antalya”.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së luajtjes së ndeshjeve jashtë Kosovës ai tha se “Ndonëse Shqipëria është vendi i shqiptarëve, mungesa e stadiumit na shkakton probleme në organizim dhe në shtim të shpenzimeve, si dhe në mundim për tifozët të cilët duhet të udhëtojnë drejt Shkodrës”.

Lidhur me atë se a do të ftohet ndonjë lojtarë tjetër, sidomos në pozitën e mbrojtësit, duke e ditur se në 5 ndeshjet e para Kosova ka mbledhur vetëm një pikë dhe ka pësuar 14 gola, Vokrri tha se trajneri i skuadrës, Albert Bunjaki bën komponimin e skuadrës dhe që ai gëzon përkrahjen e FFK-së.

“Gjithsesi si profesionist mendoj se kemi një skuadër të re e cila nga dita ditës po plotësohet me futbollist të rinj, qoftë nga Liga e Kosovës, qoftë nga futbollistë që luajnë nëpër ekipe evropiane.” thotë Vokrri.

Kryetari i FFK-së, duke theksuar moshën e re dhe cilësinë e futbollistëve, tha se “Kombëtarja e Kosovës ka një perspektivë të ndritshme dhe me punë sistematike shumë shpejt do të jetë pjesë e eventeve evropiane dhe botërore”.

Kualifikimi i Turqisë, ndonëse e vështirë mund të bëhet realitet

Vokrri thotë se shteti turk në vitet apo dekadën e fundit ka investuar shumë në futboll, gjë që sipas tij ka dhënë edhe rezultatet. Duke rikujtuar botërorin e vitit 2002 në Japoni dhe Kore të Jugut ku Turqia e zuri vendin e tretë, Vokrri thotë se edhe pas kësaj Turqia vazhdimisht ka arritur zhvillojë futbollin e sajë.

Sipas Vokrrit “Turqia ka një kombëtare të mirë dhe një përzgjedhës jashtëzakonisht të mirë siç është Fatih Terim, ndonëse nuk është në pozitë të mirë në tabelë, por me një angazhim maksimal suksesi apo kualifikimi mund të bëhet realitet”.

Nis shitja e biletave për ndeshjen Kosovë –Turqi

Në një komunikatë nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) njoftohet se biletat për ndeshjen kualifikuese Kosovë – Turqi e cila do të zhvillohet më 11 qershor 2017, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, në ora 20:45, dalin në shitje sot më 1 qershor.

Biletat mund të blihen në pika të ndryshme në shumë qytete të Kosovës.

Ndryshe, Kosova ndodhet në grupin I, së bashku me Kroacinë, Turqinë, Islandën, Finlandën dhe Ukrainën. Ndeshja me Turqinë është ndeshja e gjashtë e radhës dhe Kosova tani ndodhet në vendin e gjashtë në grup, me 1 pikë kurse Turqia në vendin e katërt me 8 pikë.

Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA në maj të vitit të kaluar, nëpërmjet së cilës u bë pjesë e ndeshjeve kualifikuese për Botërorin “Rusi 2018”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne